Sonte prej orës 21 për të tretën natë me radhë filloi ora policore gjegjësisht ndalesa për lëvizjen e qytetarëve gjatë orëve të natës si masë për mbrojtjen e popullatës dhe ballafaqimin me koronavirusin.
Që dje vlen vendimi për kufizimin e lëvizjes për të rinjtë deri në 18 vjeç dhe më të moshuarit se 67 vjeç. Ndalohet lëvizja e të rinjve deri në 18 vjeç prej orës 21 deri në orën 12, ndërsa më të moshuarit se 67 vjeç prej orës 11 deri në orën 5 të ditës tjetër. Kjo do të thotë se të rinjtë deri në 18 vjeç do të mund të lëvizin prej orës 12 në mesditë deri në orën 21, ndërsa të moshuarit mbi 67 vjeç prej orës 5 deri në orën 11 paradite.
Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev sonte në emisionin Top Tema në Telma informoi se MPB është duke zbatuar kontrolle në dy mënyra lidhur me lëvizjen e qytetarëve, në pajtim me planin gjeneral dhe planet e dorëzuara në Sektorët e Punëve të Brendshme – përmes pikave të cilat janë vendosur në udhëkryqet kryesore, kryesisht me qëllim të kontrollit të lëvizjes së automjeteve motorike përmes patrullave mobile.
Pjesëtarët e MPB-së janë duke i legjitimuar personat të cilët dyshojnë se u përkasin dy kategorive, u jepet paralajmërim përkatës dhe regjistrohen. Nëse sërish nuk e respektojnë ndalesën për lëvizje kundër tyre do të shtrohet padi penale.
Me orën policore nuk janë përfshirë pjesëtarët e MPB-së, ARM-së, ekipet zjarrfikëse dhe personat e higjienës komunale të cilët për momentin punojnë në turne, ndërsa për personat mjekësore do të sigurohen legjitimacione speciale.
Ora policore nuk do të vlejë edhe për personat që kanë nevojë për ndihmë mjekësore urgjente, persona që janë në gjendje të rrezikshme për jetën, personat të cilët shkojnë në dializë. Ata do të mund të shoqërohen më së shumti nga dy persona. Nëse për shkak të urgjencës të gjendjes shëndetësore, në mënyrë shtesë do të evidentohet edhe kontrollohet arsyetimi i daljes dhe transporti deri te institucionet shëndetësore përmes paraqitjes së dokumentacionit pas përfundimit të kontrollit mjekësor.