Tallava, zhanër sa i njohur po aq edhe i përçmuar në Kosovë, ka ardhur në skenën muzikore të Ballkanit në vitet e 80-ta dhe që nga ajo kohë është bërë stili më popullor.
Në orën e parë të një dasme shqiptare, shumica e mysafirëve qëndrojnë ulur me biseda ditore.
Të paktë janë ata që kërcejnë në sallë — atmosfera duket formale dhe e ngadalshme. Pa pritur gjatë, muhabeti formal ndërpritet dhe të gjithë e zhvendosin vëmendjen kah hapësira e valles duke e regjur atë — tingujt tallavasë jehojnë në ambient. Në mbi 20 dasma në Kosovë kam qenë dëshmitar i kësaj pamjeje.
Kur i tregova disa shokëve se jam duke hulumtuar për tallavanë, shumica mendonin se do ta ‘shkelmoja’ atë. Ca të tjerë e mendonin pikërisht të kundërtën — se do t’i shaja ‘urrejtësit e tallavasë’.(Shtyp mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen ⤵⤵⤵)
Mirëpo ky shkrim e eksploron mënyrën se si njerëzit i mohojnë cilësitë e tallavasë, dhe më së shumti si tallavaja u bë kaq popullore.
Një nga stilet më të njohura muzikore në Kosovë, tallavaja, u lind nga komunitetet rom dhe ashkalinj në Ballkan gjatë 1980-1990 dhe për një kohë të shkurtë u bë e njohur edhe për shqiptarët. Sot ky stil në të njëjtën kohë përjetohet (shijohet) dhe përbuzet nga publiku shqiptar. Përderisa njerëzit kërcejnë me tingujt e tallavasë në dasma e ahengje, tallavaja shpesh nënvlerësohet dhe konsiderohet si stil ‘inferior’ i muzikës.
Shpesh mund të dëgjohet qëndrimi se “dasmat s’kanë lezet pa tallava”, ajo i bën njerëzit që ta pushtojnë hapësirën e kërcimit.
Disa nga këngët tallava më të njohura janë “Mihane” dhe “Pina Viski”, këngë këto që dëgjohen në shumë dasma. Madje tallavaja përfshin edhe valle siç është gajdia e Gjilanit, burrnisht-ja dhe çoçeku.
Muzikanti rom nga Kosova Bajram Kafu Kinolli thotë se statusi i tallavë në kulturën shqiptare ka të bëjë me racizmin po ashtu edhe me tendencën për të bërë ‘demarkacion’ të qartë ndërmjet asaj që mendohet si pjesë e kulturës shqiptare dhe asaj që shihet si ‘e ardhur nga jashtë’.
Kafu Kinolli, vokalisti i bendit Gypsy Groove, shprehet se ky raport vjen nga diskriminimi ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve nga shqiptarët e Kosovës.
Fjala “tallava” në shqip ka marrë kuptim pezhorativ, që shkon përtej përshkrimit të një stili muzikor.
“Duke marrë parasysh se romët, ashkalitë dhe egjiptianët e kanë kultivuar më së shumti dhe se janë në krizë të prezantimimit të kulturës së tyre… disa njerëz e quajnë tallavanë degradim. Kjo vlen sidomos sot kur fjala “tallava” është term i degraduar e i fëlliqur për çfarëdo lloj të keqeje në Kosovë. Do të thotë se këtë muzikë e bëjnë romët dhe gjithçka që kultivohet nga ata nuk është ‘e jona’”, tha Kafu Kinolli duke iu referuar termit derogativ për romët, ashkalitë dhe egjiptianët në shqip.
Fjala tallava ka marrë kuptim negativ në shqip, që shkon përtej përshkrimit të stilit muzikor. “Debat tallava” mund t’i referohet një bisede të çrregullt, ‘politikë tallava’ i referohet një politike të bërë lëmsh dhe ‘tallava e madhe’ përdoret për të përshkuar ‘një lëmsh të madh’.
Astrit Stafai, profesor dhe multi-instrumentist nga Kosova thotë se publiku shqiptar e lidh tallavanë me muzikën çerektonëshe ndërsa tallavanë e konsideron muzikë të nivelit të ulët.
“Te ne kur përmendet fjala tallava menjëherë nënkuptohet muzikë e cilësisë jo të mirë, muzikë e cila nuk ka nivel, e cila nuk ka kriter. Fatkeqësisht këtë term po e përdorin edhe për gjëra të tjera jashtë muzikës [tallava], gjë për mua nuk ka logjikë dhe nuk ka kuptim”, tha Stafai për Gazetën Jeta në Kosovë.
Mikaela Minga, muzikologe nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, në artikullin e saj në Peizazhe të Fjalës, e përshkruan marrëdhënien e shqiptarëve në diskriminimin e tallavasë si marrëdhënie “dashuri/urrejtje”.
Duke iu referuar etnomuzikologëve, Carol Silverman and Svanibor Pettan, Minga shkruan se fjala tallava vjen nga fjalët “tel o vas”, nga gjuha rome, “nën dorë”, që lidhet me lëvizjen delikate të duarve në vallen e grave të quajtur çoçek.
Stili muzikor u luajt për herë të parë nga ashkalitë dhe romët në vitet e 80-ta, me gjasë në Kosovë apo Maqedoni. Që nga atëherë është transformuar duke e bërë rrugën e saj në pjesë të tjera të Ballkanit. Sipas Kafu Kinollit, tallavaja ka kaluar në disa faza të transformimit.
“Në fillim ka qenë muzikë me defa, në të cilën audienca ka qenë e lidhur direkt me këngëtarin. Është luajtur në kafene e jo në dasma”, tha Kafu Kinolli. Në vitet e 80-ta tallavaja është performuar nga gratë, me defa, ndërsa më vonë këngët u popullarizuan nga burrat.
Kafu Kinolli thotë se në të 90-tat, zhanri u bë më i njohur pas futjes së baterive, bas kitarës, kitarës, harmonikës dhe klarinetës.
“Në këtë fazë filloi të luhet në të gjitha dasmat e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve. Pra aty u këndohej dasmorëve, ku këngëtarit i vihet lista dhe renditja se kujt do t’i këndojë”, tha ai.
Tallavaja shpesh ngatërrohet me turbofolkun, më së shumti për shkak se të dyjat përdorin instrumente të ngjashme dhe në raste të ngjashme. Mirëpo njohësit e muzikës argumentojnë se dallimet ndërmjet këtyre zhanreve janë të mëdha, duke qenë se “turbo-folku është hibrid i dy stileve muzikore – muzikës popullore dhe popit”, siç shprehet kompozitori Liburn Jupolli.
“Në turbo folk, aplikohet forma standarde e këngës — një këngë turbo folk ka strofë e refren si në këngët standarde. Nga ana tjetër, tallavaja është më lineare. Një këngë tallava mund të jetë 10 minuta e gjatë, me harmoni homogjene dhe mund të përbëhet nga një interval i vetëm muzikor”, thotë ai.
Përderisa është e pamundur të përcaktohet se nga ku ka filluar tallavaja, muzikologët supozojnë se është përhapur në masë për herë të parë në Kosovë dhe Maqedoni në vitet e 80-ta dhe ato të 90-ta.
Sipas Mingas, e cila i referohet muzikologut slloven Svanibor Pettan, versioni modern i mori dhenë në vitet e 80-ta kur burrat filluan ta këndojnë atë në ambiente private, para se të bëhej popullore në Kosovë e Maqedoni në vitet e 90-ta.
Visar Munishi, hulumtues i kulturës popullore në Departamentin e Muzikologjisë në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë, beson se ky stil muzikor ka filluar në Maqedoni e më pas ka ardhur në Kosovë.
“Në bazë të këngëtarëve dhe grupeve që e kultivojnë këtë lloj muzike, i pari që e solli këtë lloj muzike ishte një rom nga Peja, i ardhur nga Maqedonia. Ndërsa, ishte këngëtari Bekim Kumanova ai që e bëri të njohur këtë zhanër mes komunitetit shqiptar”, tha Munishi për Gazetën JnK.
Kafu Kinolli shprehet se tallavaja karakterizohet nga përdorimi i improvizimit dhe tregimi i historive.
“Tallava është një lloj muzike e cila përbëhet nga ritmi dhe harmonia — dallohet nga zgjatja këngës. Në këto këngë improvizohet jeta e një personi ose një familjeje, shkurt e shqip, këndohet për te gjallët dhe të vdekurit nëpër ahengjet e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve e besa sot edhe shqiptarëve”, shprehet Kinolli.
Kritikët, nga ana tjetër, thonë se tallavaja nuk “i plotëson kriteret” për të qenë zhanër muzikor për shkak të mungesës së formës dhe përdorimit të tepërt të improvizimit. Një qëndrim të tillë e ka edhe Stafai.
“Tallavanë nuk do ta definoja si zhanër muzikor për shkak se tallavaja nuk i plotëson kushtet, nuk i plotëson kriteret për të qenë zhanër muzikor. Pse? Tallavaja është improvizim momental duke u mbështetur, për shembull, në një ngjarje momentale qoftë familjare apo personale. Tallavaja nuk ka as formë muzikore dhe nuk ka zhvillim muzikor, thjesht nuk ka koncept të shëndoshë të të qenit një stil muzikor”, thotë Stafai.
Ai shprehet se e sheh si të mrekullueshme mënyrën se si kjo muzikë luhet nga muzikantët romë.
“Sa i përket instrumentistëve po t’i dëgjosh instrumentistët e komunitetit rom sesi e luajnë tallavanë është një mrekulli në vete, ata e ndjejnë këtë muzikë sepse është pjesë e kulturës së tyre. Ndërsa te ne është e kundërta, ne kemi stilin ndryshe, e kemi mënyrën e jetesës ndryshe andaj te ne nuk mund të jetë në një nivel aq të duhur sa që është te komuniteti rom. Do të ishte më mirë sikur t’ia linim muzikantëve romë sepse është stili i tyre dhe mënyra e tyre e jetesës”, shton ai.
Eli Krasniqi, antropologe kulturore, mendon se ndërthurja e kulturave është aspekt qendror i muzikës dhe shoqërisë.
“Kultura nuk është statike, ajo në vazhdimësi është në kushte shkëmbimi (merr e jep) me popujt që jeton ose që janë fqinje. Por tashmë është e vështirë të kufizohet sepse në aspektin muzikor me masivizimin e internetit, rrymat e zhanret qarkullojnë në mënyrë konstante”, tha Krasniqi për Gazetën.
Gif: Jeta Dobranja, Trembelat
Krasniqi thotë se mendimet për huazimet kulturore dhe se a duhet të ketë ndarje të qartë ndërmjet kulturës shqiptare e rome në këtë rast shpesh formohen nga racizmi.
“Në këtë pikë, refuzimi i tallavasë (përtej shijesh individuale) me idenë që nuk është shqip, por është e romëve, reflekton qëndrimin racist ndaj romëve. Ndoshta ky nuk do të ishte rasti po mos të ishin sjelljet dhe qëndrimet refuzuese ndaj romëve në jetën e përditshme. Kur përshkruhet diçka negative, përdoren mbiemra cilësues të grupeve në margjina, qoftë racore apo edhe gjinore ”, thotë ajo duke shtuar se edhe artistët që e luajnë këtë stil muzikor ndonjëherë kanë qëndrime raciste.
Mund të ketë edhe njëfarë selektimi, pra përdorimi i tallavasë për përfitime ekonomike, pa i ndryshuar qëndrimi ndaj romëve dhe kulturës së tyre.
Kafu Kinolli pajtohet se racizmi ka pasur rol në zhvillimin e tallavasë nga popujt e tjerë të Ballkanit, duke thënë se origjina e panjohur e këtij stili thotë diçka më të thellë për popujt e regjionit dhe jetët e tyre. Sipas tij, tallavaja e përfshin trashëgiminë shpirtërore të rajonit.
“Do të thoja se është muzikë e krijuar nga melosi i Ballkanit dhe popujve që jetojnë në të”, shprehet ai.
Ky artikull fillimisht është botuar në Prishtina Insight.