Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë do të mund t’i drejtoj seancat edhe në gjuhën shqipe ndërsa ministrat do të mund të flasin shqip edhe në seanca qeveritare.
Gjuha shqipe do të përdoret në të folur dhe me shkrim paralelisht me maqedonishten në funksionimin e përgjithshëm të Qeverisë. Këto janë risitë kryesore me propozim- ligjin për përdorimin e gjuhëve, që kanë të bëjnë me politikanët.
Sa i përket qytetarëve, sipas ndryshimeve, krahas maqedonishtes, shqipja do të përdoret në institucionet në nivel qendror, si në- posta, fondin e shëndetësisë dhe komisione të ndryshme. Kjo e drejtë garantohet edhe në departamentet rajonale të institucioneve shtetërore në komunat të cilat nuk janë dygjuhëshe, ku me përkthim do të ndihmojë Agjencia e re qeveritare.
Përdorimi i gjuhës shqipe do të zbatohet edhe në mbajtjen e evidencave amë në komunat dygjuhëshe, në pullat postale, fletëpagesat dhe banderolat, aktet e noterëve dhe përmbaruesve.
Tabelat e institucioneve shtetërore do të jenë dygjuhëshe, jo vetëm në Shkup, por edhe në zyrat rajonale në komunat në të cilat shqiptarët janë së paku 20%:
Me fjalë tjera, kjo do të thotë se kjo tabelë në Veles do të jetë dygjuhëshe.
Velesi nuk është komunë dygjuhëshe, por drejt Velesit graviton komuna fqinje Çashkë, e cila është dygjuhëshe. Kjo, sipas zgjidhjeve të reja ligjore, është baza e emërtimeve e të gjitha zyrave rajonale të institucioneve qendrore në Veles, si për shembull regjistri qendror, të bëhen dygjuhëshe. Nga ky obligim janë përjashtuar organet e pushtetit lokal në Veles- komuna, ndërmarrjet lokale publike, shkollat, etj.
Sipas formulës së njëjtë, tabelat do të duhej të ndërrohen edhe në zyrat rajonale në Prilep, duke marrë parasysh komunën fqinje dygjuhëshe të Dollnenit.
Ligji i ri parasheh edhe këtë risi:
Neni 16
Në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë dhe aeroportet që gjenden në rajonet ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, emërtimet e institucioneve, mbishkrimet dhe udhërrëfyesit tjerë shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj.
Termi “rajon”, si duket me vetëdije krijon hapësirë për interpretim. Është e qartë se tabelat në vendkalimet drejt Shqipërisë dhe Kosovës do të jenë dygjuhëshe, meqë gjenden në komuna dygjuhëshe. Por, dilema është, si do të jenë mbishkrimet në vendkalimin kufitar në Shën Naum, i cili gjendet në territorin e komunës Ohër. Ose, si do të jenë tabelat në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit.
Me këtë ligj, askund nuk është përjashtuar përdorimi i gjuhës maqedonase, shqipes, atje ku do të përdoret, do të jetë në përdorim paralel me maqedonishten. Që këto ndryshime të funksionojnë në praktikë, Qeveria ka parashikuar 2 milionë euro. Një pjesë e kuadrit të nevojshëm do të përzgjidhet nga Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, zbatimin e ligjit do ta vëzhgojë një institucion i ri- inspektorati për përdorimin e gjuhëve, për çka duhet të miratohet edhe një ligj i ri.
Zbatimi në praktikë i ligji më së shumti vështirësi do të has në gjyqësor.
Foltorja e Prokurorisë Speciale është vendi i vetëm prej nga prokurorja Fatime Fetai iu drejtua opinionit në gjuhën shqipe. Kur i adresohesh institucioneve ose gjykatës, sipas ligjit aktual, një mundësi e tillë nuk ekziston. Me shkrim apo me gojë, gjuhë zyrtare për të në procedurat penale dhe të tjera, është vetëm se gjuha maqedonase.
Me ndryshimet propozuara në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, kjo planifikohet të ndryshohet.
Projektligji mbi Përdorimin e Gjuhëve, Neni 9, paragrafi 2
“Të gjitha procedurat udhëhiqen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoni dhe në shkrimin e tyre, nëse gjykatësi, prokurori publik, pala e tretë ose ndonjë pjesëmarrës tjetër në procedurë është person që flet një gjuhë të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoni”.
Por, këtu paraqitet një problem. Ligji për Përdorim të Gjuhëve ku janë parashikuar ndryshimet votohet me shumicë të thjeshtë kurse ligjet që rregullojnë dispozitat aktuale për gjuhën zyrtare, për procedura penale dhe të tjera gjyqësore, janë sistemike dhe aprovohet me votimin e dy të tretës së deputetëve.
Në Ligjin për Përdorim të Gjuhëve ka një afat prej një viti nga miratimi, që të harmonizohet me të gjitha ligjet e tjera. Nëse kjo nuk ndodh me ligjet procedurale të gjyqësorit, që është e pamundur pa mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, gjyqtarët dhe prokurorët do të ballafaqohen me problem-cilën gjuhë të përdorin në këtë proces.
Profesorja universitare Besa Arifi nuk ka dyshim se në rast mospërputhjes, drejtësia do të të ndjekë ligjet e veta procedurale. Pavarësisht, sipas saj projektligji për përdorimin e gjuhëve parasheh:
Neni 23, paragrafi 5 i Projektligjit për Përdorimin e Gjuhëve
“Në rast të mospërputhjes së dispozitave të këtij ligji me dispozitat gjuhësore të ndonjë ligji tjetër, autoritetet janë të detyruara të zbatojnë dispozitat e këtij ligji.”
Por, edhe opozita duhet të tregojë vullnet dhe ligjet të përshtaten pasi ndryshimet do të kërkojnë nevojën për qindra përkthyes në gjykata dhe në prokurori. Këtë nuk mund ta bëjë cili do përkthyes, por vetëm ata që kanë njohuri shumë të mira të terminologjisë juridike.
Përveç vullnetit politik, i cili padyshim ekziston, suksesi i zbatimit të shqipes si gjuhë e dytë në gjyqësor do të varet nga paratë. Qeveria pret që këtë llogari ta paguajnë gjykatat dhe prokuroritë. Por këtë vit ajo nuk e respektoi minimumin ligjor për buxhetin gjyqësor, që të jetë të paktën 0.8 për qind të Prodhimit Bruto Vendor.