Rezultati i zgjedhjeve presidenciale tregon qartë se humbës janë opozita shqiptare, kandidati Reka se bashku me Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa. Kështu deklaroi nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti në intervistë për TV 1.
Ai tha se në historinë e Maqedonisë Reka është kandidati shqiptarë që ka marrë më pak vota shqiptare. Ai ka premtuar mbi 150 mijë vota ndërsa ka marrë afër 80 mijë që është një humbje e dukshme, u shpreh Mexhiti
“Reka ka premtuar 150 mijë vota dhe rezultati është krejt ndryshe. Ai ka fituar më pak vota se të gjithë kandidatët deri më tani në të gjitha zgjedhjet presidenciale, më pak vota se Nexhipi, Ostreni, Selmani…
Edhe pse atëherë ka pasur dy ose më shumë kandidat, ndërsa Reka i vetmi shqiptar në garë arriti të grumbullojë afër 80 mijë vota”, tha Mexhiti.
Ai tha se opozita shqiptare dështoi edhe në Dibër. Në këtë komunë BDI mposhti Aleancën dhe Besën që dëshmon se BDI është parti më e madhe te shqiptarët.
“Lufta u zhvillua në komunën e Dibrës. Prej vitit 2005 deri më tani kjo komunë udhëhiqet nga BDI dhe mu pikërisht tani garuam me opozitën në ketë komunë edhe kësaj radhe i fituam bindshëm”, tha Mexhiti.