Friday, March 29, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionISHE FISNIK, ASHTU SIÇ E KISHE EDHE EMRIN! FISNIK I DASHUR, I...

ISHE FISNIK, ASHTU SIÇ E KISHE EDHE EMRIN! FISNIK I DASHUR, I SHTRENJTI YNË!

ISHE FISNIK, ASHTU SIÇ E KISHE EDHE EMRIN!

(Fjalë përkujtimi për nipin tim Fisnik Vinca, 1 maj 1955-12 tetor 2020)

Fisnik i dashur, i shtrenjti ynë!

Po ndahemi sot nga Ti, me dhimbje e pikëllim të papërshkrueshëm, ne familjarët, të afërmit, miqtë, shokët dhe dashamirët e tu të shumtë. Ky është për ne një nga momentet më të rënda në jetë! Në familjen tonë ti ishe më i shëndoshi dhe më i forti, por sëmundja e kobshme të mposhti.

Linde në Veleshtë, u rrite në Strugë, studiove në Prishtinë. Kreve studimet e drejtësisë dhe u bëre jurist i diplomuar. U ktheve në vendlindje me diplomë fakulteti, por punë nuk të dhanë. Jo. Për shkak të mbiemrit. “Gordo zvuči” (tingëllon krenar), kishin thënë në zyrat e shtetit. Dhe vërtet ashtu tingëllonte, krenar, si gjithmonë, mbiemri VINCA, që jo rastësisht fillon me shkronjën “V”.

U orientove detyrimisht në hoteleri, por lokalet ku punove i shndërrove në institucione kulture. Vite me radhë te “Avona”, pastaj te “Panorama”jote . Aty vinin intelektualë, shkrimtarë, artistë, akademikë nga Prishtina, Tirana, Shkupi… nga tërë hapësira shqiptare. Ti i prisje e gostisje me pije e meze, por u recitoje edhe poezi. Vargje për atdheun, për dëshmorët e kombit dhe gjakun e derdhur për liri. Aty ku ishe ti nuk mungonin kurrë gazetat, revistat, librat, këngët. Shqip. Edhe në kohën kur ato ishin të ndaluara. As rrëfimet dhe historitë për trimat dhe të diturit. Miq të tu ishin disa nga korifenjtë e artit shqiptar Reshat Arbana e Kastriot Tusha… Edhe poetë si Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Ali Podrimja, Koçi Petriti… Edhe profesorë dhe akademikë si Ylli Popa, Luan Omari, Fahrudin Hoxha… Në një rast, ky i fundit, ndërtuesi i hidrocentraleve në Shqipëri, para se të niseshin për në Tiranë nga Prishtina, në kohën kur Struga ishte urë lidhëse, duke e ditur se Fisniku ishte nipi im, më tha: “Ç’t’i them nipit?”. Thuaji: “Mos e lësho frontin!”, i thashë gjysmë me shaka.

Edhe ata që bënë luftën dhe që ikën nga lufta gjetën strehë tek ti. Qetë, thjesht, pa zhurmë e lavdi. Në librin “Tronditja e shekullit” të Profesor Rexhep Qosjes figuron edhe emri yt dhe i Sadifes sate. E pritët bashkë me Isën e Hamiden në Qafëthanë kur po kthehej në Kosovën e çliruar.

Mikpritja dhe bujaria jote ishin shembullore. Edhe në këtë plan ti vazhdoje traditën familjare.

I urtë e rebel, krenar e dinjitoz, ti ishe krenaria e familjes. E tërë qenia jote rrezatonte humanizëm e bamirësi. Edhe atdhetari, por të vërtetë e jo të shtirur, sepse ti ishe kundër lustrës dhe mashtrimit. Në familje dhe në shoqëri.

U martove, u bëre baba, madje edhe gjysh. Të donin dhe të respektonin të gjithë. U tronditëm pa masë kur mjekët konstatuan sëmundjen e keqe. S’lamë derë pa trokitur për shërimin tënd, por më kot. Me forcën tënde fizike dhe shpirtërore, por edhe me mbështetjen morale të familjes, i rezistove sëmundjes muaj me radhë, deri në mëngjesin e kobshëm të 12 tetorit, kur pushoi së rrahuri zemra jote fisnike.

Ishe fisnik, ashtu siç e kishe edhe emrin. Nderi të ndrinte në sy, në ballë, në fjalë e veprime. Të gjithë ne, i madh e i vogël, fjalët “ke Fisniku” i shqiptonim verë-dimër disa herë në ditë. Ishte si të thuash bukë dhe kripë, gaz dhe dritë.

Për mua, xhaxhanë tënd të vogël, “Axhen Agim”, që të kisha jo vetëm nip, por edhe shok, Struga pa Fisnikun nuk do të jetë si Struga me të. Ishte njeriu i parë që takoja kur vija dhe i fundit me të cilin përshëndetesha kur shkoja.

Takimin e fundit e patëm në Shkup, në spital. Nuk do ta harroj kurrë shikimin tënd, sa të jem gjallë. Nuk mund të flisje, sepse e kishe humbur zërin, por flisje me sy dhe me zemër.

Me sy e gjeste dhe me atë pak zë që të kishte mbetur, më the se e kishe lexuar librin tim më të ri “Ditari i pandemisë”. Ike në kohë pandemie, por as masat dhe kufizimet nuk i penguan njerëzit që të vijnë në përcjelljen tënde për në banesën e fundit, për çka i falënderojmë.

Sot po ndahemi nga Ty, i dashur Fisnik, por vetëm fizikisht, sepse ti do të jesh me ne shpirtërisht: si bashkëshort, si baba, si gjysh, si vëlla, si nip; si njeri dhe si familjar, në ditë gëzimi e helmi si kjo e sotmja.

Pusho i qetë pranë prindërve të tu, nënës, Nekijes dhe babait, Adiut, në këtë truall që sot qielli po e lag me shi si të vajtonte për ty.

Lamtumirë, Fisnik!

Strugë, 12 tetor 2020
Agim Vinca

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments