Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma nuk e ka dekoruar fare qytetin për festat e fundvitit. Thotë se paratë që do të shkonin për zbukurimin e qytetit, do ti orientoj në ndihmë të qytetarëve ne nevojë. Suma, si në tri palë zgjedhjet e fundit, është për këtë vendim e ka përkrahjen qytetare.
Komuna e Hanit të Elezit, nuk ka ndryshuar fare për festat e fundvitit. Deri sa komunat tjera ndajnë dhjetëra mijëra euro, kjo komunë për dekorim, nuk ka ndarë asnjë cent.
Kryetari Rufki Suma, thotë se paratë në vend se t’i dërgoj në dekor për qytetin, do t’i ndaj për qytetarët në nevojë.
“Edhe ne si Komunë do të ndajmë dhurata për fëmijë. Janë kriteret për fëmijët nën moshën 16 vjeçare. Kuptohet të gjithë fëmijëve të stafit të Komunës, shëndetësisë, arsimit, por zakonisht ndajmë dhurata edhe për të varfrit, hendikepuarit apo rastet e tjera sociale”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Rufki Suma.
Madje, Suma thotë se ka bashkëbiseduar me qytetarët, dhe nuk kanë kërkuar asnjë herë, zbukurim të qytetit për festa të fundvitit.
“Zakonisht në traditën tonë edhe qytetarët tonë bëjnë dekorime në baza familjare apo të bizneseve, por në nivel të organizuar nuk kemi pasur asnjëherë dekorime”, tha Rufki Suma.
E Suma, që zgjedhet kryetar në këtë komunë për të tretën herë pa balotazh, qytetarët i ka pas vete edhe për këtë vendim.
“Pse të bëjmë shpenzime pa nevojë kur mund t’ia japim ndonjë të varfëri apo ndonjë fëmije të sëmurë ato të holla”, shprehet qytetari Avdush Kaleci.
“Ne mërgimtarët duhet t’i kuptojmë gjërat sepse Italia është shtet i vjetër, nuk mundemi të krahasohemi me shtetet tjera si Komuna e Hanit të Elezit apo edhe komunat tjera të Kosovës”, deklaroi Halil Haxhami, mërgimtar nga Hani i Elezit në Itali.
Suma, nuk i takon asnjë subjekti politik, dhe në zgjedhje nuk bënë fushatë fare.