Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sonte gjatë tubimit zgjedhor në komunën e Butelit bëri një apel deri të pranishmit, por edhe të gjithë qytetarëve tanë që të zhvillojmë një fushatë të qetë dhe me dinjitet e me këtë të respektojmë të gjithë pjesëmarrësit nëpër tubimet tona pa pasur nevojë të ofendojmë apo etiketojmë dikë me akuzat se ka bindje të ndryshme politike.
“Unë kam një lutje deri tek të gjithë ju, nëpërmjet jush dhe nëpërmjet mediave të cilat po na ndjekin që të zhvillojmë një fushatë shumë dinjitoze, ashtu siç e kemi dhe ngjyrën e fushatës, moton por edhe frymën të cilën po e ndërtojmë, ta respektojmë njëri tjetrin, të respektojmë oponentin, t’i respektojmë të gjithë pjesëmarrësit nëpër tubimet tona, në veçanti zonjat, motrat të cilat në numra të mëdha po na bashkëngjiten. Prandaj ju lus gjithsecilin që ta përcillni mesazhin që duam një fushatë të qetë, një fushatë demokratike, një prezantim të projekteve tona me të cilat duam të ua bëjmë jetën më të mirë qytetarëve dhe t’i dëgjojmë edhe ata në mënyrë që ta përmirësojmë dhe veten.”