Gjermani i hap dyert për të gjithë
Mungesa e madhe e fuqisë punëtore në Gjermani pritet të zgjidhet gradualisht me Ligjin e ri për shpërngulje. Ai duhet të miratohet në vitin 2018 dhe do të bazohet në sistemin e pikëve ngjashëm me atë të Zelandës së Re dhe Kanadasë
Mungesa e madhe e fuqisë punëtore në Gjermani, si ajo e punëtorëve me kualifikime më të ulëta, por edhe më të larta – pritet të zgjidhet gradualisht me Ligjin e ri për shpërngulje, shkruan gazeta KOHA. Pritet që në vitin 2018 të miratohet legjislacion i ri që do të bazohet në sistemin e pikëve ngjashëm me atë të Zelandës së Re dhe Kanadasë. Aktualisht, tregu gjerman i punës kërkon mbi 1 milion punëtorë të rinj, që nuk mund të mbulohen nga oferta e fuqisë punëtore brenda Bashkimit Evropian, andaj pritet të hapen dyert për punësimin legal të punëtorëve të profileve të ndryshme në Gjermani nga e tërë bota.
Ekspertët vlerësojnë se kërkesa e madhe për fuqi profesionale punëtore nuk do të mund të mbulohet me shpërnguljen nga shtetet evropiane, siç ishte rasti viteve të kaluara me masat nxitëse në sektorin e arsimit, por vetëm në hapjen e tregut gjerman të punës për profesionistët nga e tërë bota. Sipas Institutit për hulumtimin e punës, vazhdon trendi i kërkesës për fuqi të re punëtore. Në tremujorin e tretë apo në fundin e muajit shtator të vitit 2017, kanë qenë të hapura 175 mijë vende pune më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total i bie se në Gjermani ka 1.097.600 vende të hapura të punës.
Në ndërkohë, edhe shefi i Agjencisë gjermane të punës, Detlef Shele, alarmon për mungesën e madhe të fuqisë punëtore dhe kërkon miratimin e Ligjit të ri për shpërngulje si zgjidhje të këtij problemi. “Shtetit për çdo vit domosdoshëm i nevojitet shpërngulja e 300 mijë punëtorëve të kualifikuar. Vetëm me punëtorë nga BE, kjo nevojë nuk do të kënaqet në suaza afatgjate”, thotë Shele për gazetën “Frankfurter Alemajne Cajtung”.
Sipas tij, Ligji për shpërngulje nuk do të kishte të bëjë me refugjatët që vijnë në shtet për shkaqe humanitare, por do të tangonte vetëm njerëzit që shprehin dëshirë të vijnë të punojnë në Gjermani. Studimet tregojnë se për shkak të ndryshimeve demografike, deri në vitin 2030 në Gjermani do të mungojnë 8 milionë punëtorë. Andaj, edhe politikanët në Gjermani kanë ngritur iniciativë që me Ligj të ri për shpërngulje të zbutet mungesa kronike për fuqi punëtore. Sistemi i ri pritet të bazohet në sistemin e pikëve ngjashëm me atë në Zelandë të Re dhe Kanada. Aktualisht, kjo temë bisedohet ndërmjet demokristianëve , liberalëve dhe të gjelbërve, me ç’rast partia liberale më fuqishëm angazhohet për hapjen e tregut të punës.
Sipas analizave, në Gjermani ka sot mbi 1 milion vende të lira pune dhe rreth 3 milionë vetë që kërkojnë punë. Një disbalancë e tillë, raporton Dojçe Vele, duke cituar ekspertë të fushës, lidhet me transformimin e tregut të punës.
Në disa degë, për shembull në bujqësi apo pylltari, nuk ka më nevojë për forca të reja. Ndërsa në mjaft sektorë të tjerë, kërkesa është tepër e lartë. Alexander Kubis nga Instituti IAB thotë se vendit nuk i mungojnë punëtorët e kualifikuar. Por sërish, disa zona dhe sektorë ndeshen me probleme të mëdha për gjetjen e fuqisë punëtore. Vende të lira pune ka me bollëk në sektorin e logjistikës dhe atë të magazinimit. Mungesë dhe nevojë vërehet gjithashtu në sektorin e ndërtimit, atë të shëndetësisë dhe të përkujdesjes mjekësore.
Sipas Kubis, një sërë ndërmarrjesh sot shpenzojnë më tepër kohë sesa në vitin 2010 për të gjetur një person të përshtatshëm për vendin e punës. Kjo periudhë aktualisht kërkon e pakta 82 ditë, ndërsa përpara 7 vjetësh, ishte 70 ditë. Sipas tij, kriter kryesor i punësimit mbetet shkollimi dhe cilësia e tij, e kjo gjë shihet jo vetëm tek profesionet akademike, por edhe tek personat që përfundojnë shkollat profesionale. (koha.mk)