S’ka gjë nga njoftimet e kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev se më 9 korrik do të fillojë pastrimi i 200 funksionarëve. Sherri rreth ndërrimeve të drejtorëve po e dridhë koalicionin qeveritar. Autoritetet nuk janë gati për të filluar me ndërrimin e 200 zyrtarëve, që kryeministri e paralajmëroi se do të fillojë nga sot, transmeton Portalb.mk.
Gjatë dy javëve të kaluara Zoran Zaev disa herë njoftoi se më 9 korrik do të merren vendime për ndërrimin e drejtorëve, zëvendësministrave, anëtarë të bordeve drejtuese, bordeve mbikëqyrëse, drejtorëve në nivel lokal. Ose, siç e quajti ai, ndryshim i përgjithshëm politik dhe shoqëror i më shumë se 200 njerëzve. Por procesi është shtyrë sërish. Të paktën këtë e ka deklaruar kryeministri për TV 21, e si arsye për vonesën ai ka përmendur se bisedat me kandidatët ende qenkan në zhvillim e sipër.
Ton të ngjashëm ka edhe deklarata e zëvendëskryeministrit Bujar Osmani, i cili pa dhënë detaje konkrete tha se bisedat ende janë duke u zhvilluar.
“Ky proces s’ka përfunduar ende. Jemi duke debatuar në parti në lidhje me këtë aspekt, por edhe me partnerin e koalicionit për të plotësuar vendet. Pra, aktualisht nuk ka asgjë specifike. Po bisedojmë. Në momentin kur do të ketë emra konkretë ose ndryshime, publiku do të informohet me kohë”, deklaroi Osmani.
Shantazhime dhe pazarllëqe
Megjithatë ky shpjegim i partnerëve në qeveri nuk është fare bindëse. Nuk është bindës, sidomos nëse merret pasur parasysh njoftimi i Zaevit, i cili me shumë bindje deklaronte se ndërrimet kryesore tashmë janë punë e kryer. Nëse është kështu, ku ka ngecur puna?
“Ka pakënaqësi dhe rezistencë në LSDSM, por freni kryesore është në BDI. Ka struktura që as duan të dëgjojnë për tërheqjen e disa prej zyrtarëve. Jo vetëm nga pozicionet në ministri, por edhe në ndërmarrjet publike, madje edhe në nivelet më të ulëta. Puna është mjaft serioze, për të mos thënë kritike për funksionimin e koalicionit. Partia e tyre dhe interesat personale janë më të rëndësishme se ato shtetërore. Nga ajo që di unë, kryeministri është i vendosur ta shtyjë procesin deri në fund dhe vështirë se do të tërhiqet”, ka komentuar për Dojçe Vele në gjuhën maqedonase zyrtari, i cili është i përfshirë në të gjithë procesin.
Kryeministri Zoran Zaev njoftoi se ndryshimi në eshalonin e dytë të pushtetit do të përfshijë 20 deri në 25 drejtorë
Zyrtarët e BDI-së të pazëvendësueshëm
Se i gjithë procesi ka dobësi paralajmëroi fshesa e ministrave që kapi pesë resorë, duke përfshirë atë të financave. Publiku që atëherë reagoi se ndryshimet janë thjesht makijazh dhe se fshesa e vetme e vërtetë ishte largimi i Dragan Tevdovski i cili u tërhoq qetë nga ky resor i rëndësishëm, i cili deri një zgjedhjen e ministrit të ri është nën kontrollin e kryeministrit. Ky epilog, në fillim, shkaktoi ankth në BDI, kuadri i të cilit është zëvendësministër i financave.
Ky zhvillim, sipas disa ekspertë, vetëm konfirmon se qeveria ka problem serioz për t’u përballur me sfidën:
“Në përgjithësi, kudo ka problem, në të gjithë pushtetin ekzekutiv. Jo vetëm në qeveri, por edhe në ministri, agjenci, ndërmarrje publike. Problemi është në BDI, por edhe në LSDM. Është e qartë se nuk kanë kuadro, personel cilësor që duhet të kontribuojnë për atë jetë më të mirë, e cila është shndërruar në një frazë të zbrazët. Çfarëdo që të bëjë kryeministri bie në ujë për shkak të asaj që bëri më parë me makijazhin e zbehtë të qeverisë. Nëse ekonomia nuk shkon, ku është ndërrimi i ministrit të ekonomisë, ka ardhur puna për të ndërruar ministrin e vetëqeverisjes lokale e po ashtu edhe të kulturës. Është turp që kuadër i tillë do të udhëheq me resorin e sistemit politik. Unë nuk e di se kush janë ata zyrtarë të BDI-së janë aq të pa zëvendësueshëm. Ndërkohë që s’kanë ndonjë kapacitet”, thotë analisti politik Jove Kekenovski.
Në kushte të tilla, sipas tij, nuk duhet të ketë optimizëm se do të ndodhë diçka spektakolare:
“Në përgjithësi, mendoj se nuk duhet të pritet asgjë speciale. Bëhet fjalë për makijazh të detyrueshëm si rezultat i presionit në publik. Gjëja kryesore ku duhej bërë diçka ishte – të ndërrohen ministrat që vërtet nuk kanë funksionuar – e ai i la ata. Me fjalë të tjera, vendosi edhe më të paaftë në pozicionet e tyre. Ndërsa ata që duhej të ndërrohen nuk u ndërruan. Kështu që nuk pres asgjë më shumë edhe me drejtorët apo ata që nuk janë të suksesshëm në punën e tyre. Unë nuk jam optimist, përkundrazi – jam pesimist”, komentoi Kekenovski.
Lista e gjatë për “Fshesa 2”
Dhe derisa pazaret e koalicionit janë duke u zhvilluar, publiku ka filluar të publikojë emrat e drejtorëve të BDI-së që janë në listë për t’u ndërruar. Bëhet fjalë për zyrtarët e Agjencisë për investime të huaja, “Posta e Maqedonisë”, “Rrugët e Maqedonisë”, “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”, Byroja e prokurimeve publike, Drejtoria për rezervat e detyrueshme të naftës, Inspektorati shtetëror për transport, Shërbimet e përgjithshme në Qendrën Klinike Universitare. Tetë drejtorë, kuadro të BDI-së, të cilët sipas njoftimeve duhet të largohen me siguri.
BDI është freni kryesor?
Por lista, sipas njoftimeve, është shumë më e gjatë dhe duhet të përfshijë strukturat menaxheriale që vijnë edhe nga radhët e partnerëve të tjerë të koalicionit. Kryeministri Zoran Zaev njoftoi se ndryshimi në eshalonin e dytë të pushtetit do të përfshijë 20 deri 25 drejtorë. Përveç kësaj, është e pasigurt se kush do të jenë zëvendësministrat dhe cilët do të duhet të largohen nga postet e tyre. Deri më tani vetëm zëvendësministri i arsimit Petar Atanasov ka dorëzuar dorëheqjen e tij.
Ndryshimet – premtim parazgjedhor
Kryeministri Zoran Zaev e paralajmëroi të ashtuquajturën fshesë më 22 prill, para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në një tubim parazgjedhor para qytetarëve, ai deklaroi se votuesit i dërguan atij një mesazh të qartë se kishte pakënaqësi të madhe nga qeveria qendrore dhe lokale dhe premtoi të bëjë pastrim të mirë pas zgjedhjeve.
Ky proces filloi me një zëvendësim të plotë të strukturave udhëheqëse të partisë së tij. U shkarkua i gjithë Bordi Ekzekutiv i LSDM-së, të gjithë gjashtë nënkryetarët e partisë, sekretari i përgjithshëm, organizativ dhe ndërkombëtar i partisë. Pas një periudhe të caktuar, u ndërruan ministrat në sektorët e financave, kulturës, bujqësisë, vetëqeverisjes lokale, mjedisit, marrëveshjes kornizë dhe për rregullore të investimeve të firmave vendore.