Thursday, March 28, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniËndrra e Ballkanit për një të ardhme është diku larg

Ëndrra e Ballkanit për një të ardhme është diku larg

Në Tetovë, autobusë të mbushur plot me punëtorë emigrantë largohen pothuajse çdo natë, drejt destinacioneve si Italia, Gjermania dhe Zvicra, të cilat janë njëkohësisht edhe destinacionet më të pëlqyera të emigrantëve nga Maqedonia e Veriut.

Trishtimi që pasqyrohet në fytyrat e tyre është reflektim i valës së trishtë të emigracionit që ka përfshirë rajonin e Pollogut (Maqedoninë Veriperëndimore). Sidoqoftë, kjo situatë që po ndodh në Maqedoninë e Veriut nuk është një rast i izoluar, pasi emigracioni po formëson të ardhmen e zymtë të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Emigrimi masiv ka të bëjë kryesisht me punonjës të kualifikuar, si mjekë dhe punonjës të tjerë të sektorit të shëndetësisë, të cilët kanë mundësitë më të mëdha për të gjetur punë në vendet ku emigrojnë.

Pasiguria sociale dhe ajo financiare, kujdesi shëndetësor jocilësor, stanjacioni i punës, klientelizmi, si dhe diskriminimi ndaj grupeve më të cenueshme siç janë pakicat etnike, gratë dhe personat LGBT janë arsyet kryesore të këtij emigrimi masiv, që po ndodh në vendet e Ballkanit Perëndimor, shpjegon Zhivka Deleva, një studiuese e pavarur në Interkulturanstalten Westend e.V të Berlinit, e cila ka emigruar gjithashtu nga shteti i saj i origjinës.

Një trend i ngjashëm edhe në Kosovën fqinje

Midis periudhës 2008 dhe 2018, vendet e Bashkimit Europian kanë nxjerrë rreth 245,000 leje qëndrimi për punë për qytetarët e Kosovës. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, gati gjysma e këtyre lejeve janë dhënë nga Italia, por shumë profesionistë, veçanërisht ata në sektorin e kujdesit shëndetësor, zgjedhin si destinacion të preferuar Gjermaninë.

Vigan Roka, 32 vjeç, është një ndër mjekët e shumtë që u larguan nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2013, ai shkoi në Gjermani për të ndjekur specializimin e tij në degën e oftalmologjisë. Arsyeja kryesore se përse ai zgjodhi Gjermaninë ishin kushtet që Klinika Universitare u ofronte specialistëve të kësaj dege të mjekësisë.

“Ishte e pamundur që të realizoja ëndrrën time për t’u bërë kirurg i syve në Kosovë, prandaj isha i detyruar për të zgjedhur si rrugë të vetme emigrimin, edhe pse me zemër të thyer”, u shpreh ai.

Ky trend është shumë i përhapur veçanërisht në qytetin e vogël të Detmoldit, ku njësoj si z. Roka, kanë emigruar edhe gjashtë mjekë të tjerë nga Gjakova, qytet në Kosovën Perëndimore.

Dëshpërimi, faktori kryesor që i çon shqiptarët të ëndërrojnë Perëndimin

Shqipëria është një ndër shtetet me normën më të lartë të emigracionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por qeveria socialiste e krahut të majtë me në krye Edi Ramën e ka etiketuar çështjen si një “trend global”. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave, në pesë vitet e fundit, mbi 200,000 shqiptarë kanë emigruar drejt vendeve të BE-së, ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se Gjermania është destinacioni kryesor i emigrantëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, kërkesat për të mësuar gjuhën gjermane janë rritur shumë.

Alketa Kuko, Drejtore e institutit “Gëte” në Tiranë, thotë se numri i mjekëve, arkitektëve dhe inxhinierëve që janë regjistruar në kurset e gjuhës gjermane është rritur ndjeshëm.

“Mua më duhet të marr vetëm nivelin B2 të gjuhës gjermane dhe pastaj gjithçka tjetër është gati për mua në Gjermani” shprehet, Olti, 32 vjeç nga Tirana, me profesion pediatër.

Ai shpreson të fillojë një jetë të re në janar të 2020, në Dyseldorf të Gjermanisë. Në muajt e fundit, si shumë të rinj të tjerë, edhe ai i është përkushtuar mësimit të gjuhës gjermane, duke qenë se edhe shkolla që ai ka vendosur të ndjekë për të studiuar është ajo e mjekësisë.

Paga e tij, në Njësinë e Kujdesit të Urgjencës në Tiranë është 35,000 lekë [286 euro] në muaj, ndërsa në Gjermani, ai ka mundësi që në të njëjtin vend pune të marrë një pagë deri në 6 herë më të lartë.

Duke qenë se profesioni i mjekut është një ndër më të kërkuarit në Gjermani, Shqipëria, njësoj si vendet e tjera të rajonit po humbet një numër të madh profesionistësh të këtij sektori. Sipas të dhënave të pjesshme të Urdhrit të Mjekëve dhe Paramedikëve në Tiranë, rreth 1,049 mjekë dhe 1,271 paramedikë, kanë plotësuar dokumentet e nevojshme për të emigruar.

Serbia nxit politikat në vend në drejtim të rritjes së lindshmërisë

E paaftë për të ndaluar procesin e emigracionit, qeveria serbe po përqendrohet në një tjetër drejtim, në marrjen e masave të duhura në vend për të nxitur rritjen e normës së lindshmërisë.

Sipas një ligji të ri të qeverisë serbe, një familje e cila ka fëmijën e saj të parë të lindur pas vitit 2018, do të dëmshpërblehet nga shteti me një pagesë prej 800 eurosh. Ndërsa pas lindjes së fëmijës së dytë, kjo familje do të marrë një pagesë mujore prej 80 eurosh gjatë dy viteve të para të lindjes. Nëse, ajo vendos të bëjë edhe një fëmijë të tretë, atëherë do të marrë një pagesë mujore prej 100 eurosh, gjatë 10 viteve të ardhshme. Qeveria serbe ka rritur edhe nivelin e pagesës për mjekët dhe infermierët, në një përpjekje për të frenuar emigrimin në masë të këtyre kategorive.

Shërbimi gjerman për Emigracionin vlerëson se në vitin 2017 dhe 2018, rreth 51,000 njerëz kanë emigruar nga Serbia në Gjermani dhe nëpërmjet procedurave të lehtësuara për të marrë leje pune, kjo valë e emigracionit pritet të vazhdojë.

Mirjana Arnaut dikur punonte si gazetare në Serbi, ndërsa tani është e papunë në Gjermani, por ka mbështetjen e bashkëshortit, i cili ka gjetur punë në një kompani gjermane.

Ata vendosën ta rrisnin fëmijën e tyre larg Serbisë. “Serbia nuk është vendi ku ne duam të jetojmë. Serbia është një qytet i trishtë, që të ngjall vetëm dëshpërim, që promovon vlerat e gabuara dhe politikën e keqe. Këto dhe shumë arsye të tjera, na kanë bërë që të mos ta shikojmë më atë vend si të ardhmen e fëmijëve tanë”, thotë Mirjana.

Dy të tretat e të rinjve malazezë dëshirojnë të largohen nga shteti i tyre

Mali i Zi ka popullsinë më të vogël në Ballkanin Perëndimor, me vetëm 625,000 banorë.

Pavarësisht industrisë së lulëzuar të turizmit, rreth 150,000 njerëz janë larguar nga Mali i Zi, gjatë tri dekadave të fundit. Sipas EUROSTAT, rreth 17,346 malazezë morën një leje qëndrimi në BE gjatë periudhës 2008-2018.

Gjermania ka lëshuar rreth 3,000 leje pune për qytetarët malazezë. Të dhënat nga sindikatat e mjekëve tregojnë se 150 mjekë specialistë janë larguar nga Mali i Zi në 4 vitet e fundit.

Sipas një studimi të fundit të kryer nga Fondacioni Westminster për Demokracinë në Mal të Zi, u arrit në përfundimin se rreth 70% e të rinjve po mendojnë të largohen nga vendi i tyre për të emigruar diku jashtë.

Autorë: Majlinda Aliu, Aleksandar Manasiev, Aleksandra Bogdani, Duladan Mladjenović, Milica Milovanović.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments