Pavarësisht emërimeve të fundit të drejtorëve dhe zv. drejtorëve në disa institucione dhe organe shtetërore, disa drejtori dhe poste në ekzekutiv që i takonin Aleancës për Shqiptarët, ende mbeten pa udhëheqës.
Bëhet fjalë për zv/ministrin e Transportit, zv/ministrin e Punës dhe Politikës Sociale dhe sekretarin shtetërorë të ministrisë së drejtësisë. Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski thotë se për këto vende te zbrazëta në ekzekutiv, po bisedohet mes LSDM-së dhe BDI-së.
Bëhet fjalë për marrëveshje mes partnerësh të koalicionit. Kuptohet për vendet e lira që janë krijuar. Për momentin ende nuk ka informacione se kur do të plotësohen të njëjtat – deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, njofton Alsat-M.
Partnerët e koalicionit qeverisës ende nuk bëjnë të ditur nëse këto vende të zbrazëta po ia ruajnë ndonjë partie tjetër opozitare, në rast të ndonjë riformatimi më të gjerë të ekzekutivit. Edhe vetë kryeministri Zaev, kohë më parë tha se është i interesuar për një shumicë më të qëndrueshme, duke i pasur parasysh problemet me sigurimin e kuorumit dhe votimin e ligjeve në Parlament.
Në seancën e 56-të, Qeveria emërtoi disa Drejtorë dhe zëvendës drejtorë. Numër i konsiderueshëm i drejtorive mbeti me udhëheqës të njëjtë dhe në partinë e njëjtë, megjithatë pati edhe shkëmbime dhe riemërtime. Partnerët e koalicionit “zhvatën” edhe drejtoritë që i takonin Aleancës për Shqiptarët. LSDM-ja nga Sela ka marrë Inspektoratin e Tregut, ndërsa BDI-ja Inspektoratin për pylltari dhe gjueti. Akademia për Mësimdhënës, Byroja për Furnizime Publike, Drejtoria për mbajtjen e librave amë, Byroja për ekspertizë ligjore dhe Byroja për metalurgji, për herë të parë udhëhiqen nga kuadro të BDI-së. Ndërkaq Inspektorati për mjedis jetësorë, Qendra për Menaxhim me kriza, Inspektorati për Transport, Enti shtetëror për pronësi industriale dhe shumë drejtori të tjera, vazhdojnë të udhëhiqen nga kuadrot e njëjtë të BDI-së që i kanë udhëhequr deri më tani.