Prof. Nebi Dervishi
“ELEZ ISUFI – Gjenerali me gajtan dhe emër që i ngjallte tmerrin serbëve (1861- 29 dhjetor 1924)”
Viti 2021 lidh në një emërues të përbashkët dy skajet e jetës! 160 vjetori Jubilarë dhe 97 vjetori i vasjes tinzare të Elez Isuf Ndreut (1861-1924)- udhëheqësit të shquar popullor, i njohur nga rapsodët “gjenerali me shajak”- emër që ngjallte t’merrin në mesin e ushtrive vrastare osmane, e më vonë serbo-sllave në dekadat e parë të shek. XX.
Populli dibran ndër shekuj ka shkruar faqe të lavdishme në historinë tonë kombëtare,ku një vend të veçantë zënë luftrat kundër pushtuesve serbo-sllavë të cilët me aneksimin e Dibrës hidhnin hapin e parë për pushtimin e tërë pjesës veriore të Shqipërisë, për t’a shtrirë sundimin deri në lumin Shkumbin. Për këtë qëllim ata shfrytëzua Luftën Ballkanike kundër Perandorisë Osmane, që filloi në tetorin e vitit 1912.
Në këto rrethana, kur vihej në pikëpyetje fati i atdheut, populli i Dibrës, ashtu si tërë populli shqiptar, rroku armët dhe luftoi me heroizëm, si për dëbimin e Perandorisë Osmane, ashtu edhe kundër synimeve grabitqare të monarhive të Ballkanit, që kishin hyrë në marrëveshtje konspirative/Aleanca Ballkanike – në verën e 1912, për coptimin e Shqipërsë.
Populli i Dibrës në këto luftra është udhëhequr nga atdhetari i shquar Elez Isufi, i cili hyri në histori në periudhën e ngritjes së Lëvizjes Kombëtare mbarëshqiptare për ta bërë Shqipërinë shtet të lirë e të pavarur. Formimi i tij si udhëheqës popullor u arrit gjatë rrugës luftarake të popullit për liri e pavarsi, për ruajtjen e tërësisë toksore dhe demokratizimin e jetës në vend.
Elez Isufi qe jo vetëm një strateg i shquar ushtarak- “gjenerali me shajak”, por edhe një politikan i zgjuar, që diti të orientohej në çdo situatë. Pati vazhdimisht kontakte e bashkëpunime me atdhetarët e shquar, Si: Ismail Qemalin Bajram Currin, Fan Nolin, Hasan Prishtinën, Avni Rustemin, Isa Boletinin, Islam Spahiun, Ramiz Dacin, Vehbi Dibrën, etj.
Në një këngë rapsodi popullor thot: “Në tanë Evropën ka shku fjala, qe nand vjet lufton me krajla”… Tmerr i shkijeve ka qenë pa dyshim Elez Isufi, “Arusha e malit”, – prej nga ka dalur shprehja “Elez Isufi, Arush e malit, tokën mbush me shapka të serbit”. Dhe kjo nuk ka dalë më kot, ka qenë makthi i serbëve për nëntë vite me radhë.
Elez Isufi lindi në vititn 17.03.1861 në fshatin Sllovë të Dibrës. Jeta e tij është jetë e një luftëtari trim, atdhedashës, e një udhëheqësi popullor që luftoi me armë në dorë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga invazioni turk, shovenizmi serb, imperalizimi austro-hungarez si dhe reaksioni i brendshëm. Nuk pati mundësi të arsimohej, por qe arsimdashës dhe me të hollat e tij mbajti hapur për disa vjet shkollën shqipe në Sllovë. Nuk ishte rasti i parë që në historinë e popullit shqiptarë, një i paarsimuar të mposht gjeneralët dhe diplomatët më në zë të Evropës. Isa Boletini, Idriz Seferi, Elez Isufi e të tjerë, edhe pse të paarsimuar, hynë në nalet e historisë botërore si gjeneralë të zotët e të pathyeshëm. Universitet dhe akademitë e tyre qenë malet e Shqipërisë dhe mbrojtja e trojeve të tyre. Dhe kush lufton për mbrojtjen e trojeve atërore, është i pathyeshëm.
Elez Isufi u shqua veçanërisht në luftë e në shumë beteja kundër shovenizmit serb në periudhën nëntor 1912 e deri në dhjetor të 1921. Këto beteja treguan se Elez Isufi ishte një “mjeshtër” apo strateg i luftës popullore. Brenda nëntë viteve në trojet dibrane u asgjasuan me mijëra ushtarë serb.
“Elez Isufi, Arusha e malit,
fort po i pret asqert e Kralit”
– i ka kënduar populli këtij luftëtari të dalë nga gjiri i vet.
“Nëntë vjet luftoi me armë në dorë kundra shovenizmit serb… Ai ishte dëmtuar rëndë nga shëndeti, sepse në të shumtën e kohës rrinte në shpella, mbasi dronte nga një sulm i papritur i serbëve që ishin vendosur në malin Korab”- shkruan në kujtimet e tija, Ismail Strazimiri, bashkohanik i Elez Isufit.
Në qeverinë e V. Vidit e atë të Esat Pashës, Elez Isufi nuk e përzi, megjithse ky i fundit do të shkojë në Peshkopi për ta bindur atë dhe atdhetarët e tjerë dibranë të lidhen pas qerres së tij.
Edhe pushtuesit austro – hungarez përdorën mënyra e forma nga më të ndryshme për ta pasur përkrahjen e atdhetarit dibran. Ata i dhanë urdhërin më të lartë “Fran Jozef Orden (dekoratë), si luftëtar i shquar në luftë kundër serbëve.
Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore (1914-1918), u bashkërenduan me atdhetarët e shquar si Hoxhë Kadriun, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, etj., për organizimin dhe bashkimin e forcave demokratike në një front të përbashkët. Me themelimin e “Komitetit për mbrotjen Kombëtare të Kosovës” më 1918, Elez Isufi u bë anëtar i kësaj organizate që udhëhiqej nga H. Kadriu. Sipas shtypit periodik dhe gazetave të kohës, në vitet 20 të shek. XX, Elez Isufi qe personi më me autoritet në Dibër. Ai dha një kontribut të çmuar në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 1920, në caktimin e deputetëve të “Drinit”. Kryengritja e gushtit 1920 dhe Lufta e L. Lurës në dhjetorin e vitit 1921, kundër ushtrisë serbe në trevën e Dibrës, u organizua dhe u drejtua nga “gjenerali me shajak”, Elez Isufi. Pra, Elez Isufi e udhëhoqi kryengritjen e armatosur në krahinën e Dibrës më 15 gusht 1920 për çlirimin e tokave të shtetit shqiptar të pushtuara nga forcat e armatosura serbe. Ai e vazhdoi luftën deri në dhjetorin e vitit 1921, kur serbët më në fund u detyruan të tërhiqeshin përfundimisht në kufirin e vendosur më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.
Ditët e para të Marsit të vitit 1921, nisi një lëvizje e fuqishme anti-zogist, e udhëhequr nga Bajram Curri, Halit Lleshi, Aqif Elbasani e Elez Isufi. Ndonëse 300 dibranë të prirë nga Elez Isufi më 8 mars 1921 depërtuan në Tiranë dhe e mbajtën kryeqytetin për 3-4 ditë nën kontrollin e tyre, më në fund, më 11 mars duke ngelur vetëm dhe pa municion u shtrënguan të tërhiqen dhe të kthehen në Dibër. Në këtë mënyrë, Lëvizja e Marsit dështoi, por, u tregoi forcave demokratike se duhej të organizoheshin më mirë dhe në planin kombëtar për përmbysjen e qeverisë së Ypi – Zogolli.
Pas fitores së Revolucionit të qershorit 1924, Elez Jusufi ishte i pari i cili e lajmëroi Fan Nolin “… Zogu i ka ndezur zjarret gjatë gjithë kufirit dhe po përgatitet të futet në Shqipëri. Ju ç‘po bani nga Tiranë?… Ta dini se përveç meje, të gjithë bejlerët dhe agallarët e Dibrës japin shenja që tani se do të përkrahin hyrjen e Zogut në Shqipëri…”. “E dijn – qe përgjigjur Fan S. Noli, “plaku nuk shkruan gënjeshtra dhe nuk gabon, por sigurisht ka kaluar koha për marrje masash”, / (I. Strazimiri, Kujtime, f. 117).
Elez Isufi mori pjesë në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924 dhe luftoi për realizimin e programit të qeverisë të kryesuar nga Fan Noli. U plagos rëndë dhe vdiq më 29 dhjetor 1924, në fshatin Sllovë, në moshën 63 vjeçare.
Fundi i tij tragjik qe shumë zhgënjyes për Plakun e nderuar, sidomos ndaj një pjese të parisë dibrane dhe asaj kombëtare që i patën dhënë besën dhe e tradhtuan bile i mbushën pushkën dorës tinzare dhe e vranë më 16 dhjetor 1924 nipin e tij e bashkëluftëtarin e trimin Suf Xhelilin dhe plagosën për vdekje Elez Isufin. Vdekja e tij e kobshme u kthye në një mort për mbarë popullin e Dibrës e të Lumës dhe tërë miqve të shumtë që kishte në mbarë vendin.
Vrasjen e Elez Isufit dhe veprën e tij populli do ta përjetësonte në dhjetra këngë dhe koha do ta qendiste në kornizën e portretit të tij sintenzën e mendimit lapidare: “PUNOVA PËR KOMB E ATDHE”. Populli do ta quante Elez Aga, megjithëse nuk ishte aga: “Plaku i nëntë maleve”, “Shqipja e Korabit” e të tjera epitete.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Diktatura komuniste nuk mundi ta zhbënte mitin e gjeneralit me shajak, pasi ai luftoi tërë jetën ndaj serbëve. Mbi djemtë, nipërit dhe stërnipërit e Elez Isufit, ranë shumë shpejt tragjeditë e kalvarit komunist. Në luftë me turqit, me sllavët, me italianët e gjermanët, kullave të Elez Isufit iu rrënuan binarë, gurë e qoshe. Si për ironi të fatit, e për qejf të sllavit, diktatura komuniste i sheshoi ato kulla me fitilat e dinamitit. Por krimi dhe ndëshkimi shfaqen kurdoherë pranë njëri tjetrit. Ndërsa emri i diktaturës u mallkua prej miliona shqiptarëve, Elez Isufi mbeti në historinë tonë duke i bërë nder asaj, duke pasuruara me jetën dhe veprën e tij.
Vendimi i Kuvendit të Komunës së Dibrës që mban datën 28 janar 2021, për të ngritur shtatoren në Bronx të Elez Isufit – (Gjeneralit me shajak) në qytetin e Dibrës që u inaguruar në mënyrë solemne më 26 shtator 2021), me kërkesën e Shoqatës së të Burgosërve e të përndjekurve Politik – Dega në Dibër dhe kryetarit të saj z. Bashkim Mashkulli, është një mirënjohje për këtë figurë kombëtare, për rolin e madh dhe kontributin që ka dhënë atdhetari dibran në luftrat kundër Perandorisë Osmane dhe ushtrive grabitqare serbe, është një punë e mençur, e qëlluar dhe kombëtare, sepse ky personalitet ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare në çerekun e parë të shek. XX.
Pra,Elez Isufi – Ndreu – ishte dhe do të mbetet simboli i luftës dhe rezistencës kundër pushtimit serb të trojeve etnike shqiptare i cili asnjëherë të vetme nuk e lëshoi Dibrën, në mënyrë që mos t’i rrezikohet pushtimi nga grabitqarët.
Lavdi ndër shekuj “Harushës së malit dhe gjeneralit me gajtan, që nga 26 shtatori 2021, i hedhur në shtatore bronxi reflekton në qendër të Dibrës së Madhe!
08.XI.2021
Strugë.