Nëse nuk jeni të vaksinuar dhe kishit dilemë nëse do të mund të votoni në zgjedhjet lokale, keni “dritë jeshile” nga ministri, Komisioni për sëmundje ngjitëse, ndërsa të njëjtën gjë e konfirmuan edhe nga KSHZ, kuptohet me respektimin e protokolleve tjera. Certifikata për pranimin e dy dozave të vaksinës kundër Kovid-19 nuk ju nevojitet.
“Certifikatat për vaksinim nuk janë parakusht për hyrje në vendvotime. Atë që të gjithë qytetarët do të duhet të respektojnë si protokoll për mbrojtje janë mbajtja e maskave mbrojtëse, si dhe dezinfektimi i duarve gjatë hyrjes në vendvotim”, tha Lupka Guguçevska Filiposka – zëdhënëse e KSHZ-së.
Për respektimin e masave do të kujdesen këshillat zgjedhorë, përkatësisht njëri prej tyre që do të jetë më afër vendvotimit. Protokollet duhet të respektohen edhe nga ana e tyre si mbikëqyrës.
“Në përputhje me udhëzimin që është në proces të miratimit nga KSHZ, nuk do të lejohet hyrje e personave që nuk mbajnë maska, kështu që në këtë mënyrë do të sigurohet ndonjë siguri në raport me respektimin e protokolleve të sigurimit”, shtoi zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska Filiposka.
Këtë e konfirmoi edhe Komisioni për sëmundje ngjitëse dhe Ministria e shëndetësisë.
“Në lidhje me ditën e votimit, ka protokolle, përqindja më e madhe e atyre që janë të përfshirë në procesin e përgjithshëm, janë të vaksinuar. Por, edhe gjatë zgjedhjeve paraprake, atëherë nuk kishte vaksina por duke bërë kujdes për gjithë protokollet për zbatimin e ngjarjeve në të mbyllur, siç janë numri i të pranishmëve në një vend, mbajtja e distancës, pritja jashtë, nuk kishte asnjë rast të bartjes së virusit”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Në ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhor nga 15 shtatori, Ministria e shëndetësisë është e obliguar që të sigurojë maska dhe pajisje mbrojtëse për anëtarët e organeve zgjedhore, si dhe mjete për dezinfektim për të gjithë vendvotimet.