Në periudhën në vijim pritet që Komisioni për Sëmundjet Infektive të vendosë për propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura gjatë qëndrimit të gjatë, si dhe ajrim të rregullt të dhomave.
Ky propozim i Ministrisë vjen pas rritjes së konstatuar të transmetimit të koronavirusit.
“Kur qëndroni në një dhomë të mbyllur, ambient të mbyllur, për një kohë të gjatë, duhet të vendoset maska, dhe personat nga kategoritë e rrezikut duhet të mbajnë një maskë të paktën të llojeve FPP2 ose H95 ose FFP3. Dhomat në të cilat njerëzit qëndrojnë më gjatë (zyrat, klasat në kopshte, dhomat e mbledhjeve, etj.), si dhe ambientet sportive, duhet të ajrosen dhe dezinfektohen rregullisht. Për të shmangur grumbullimet e panevojshme në grupe të mëdha dhe sa herë që është e mundur të ruhet një distancë prej dy metrash”, janë rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë që i dërguan dje Komisionit.
Ministria dhe Komisioni po monitorojnë në mënyrë aktive situatën me Covid-19 në vend, por edhe situatën në nivel evropian dhe global.
“Nëse qytetarët ndjejnë disa nga simptomat standarde (kollë e thatë, temperaturë, dhimbje fyti, dhimbje muskulore etj) duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë nga mjeku i familjes dhe duhet të vendosin maskë.
Numri i termineve për testimin e pacientëve tashmë është rritur në qendrat shëndetësore anembanë vendit, ndërsa vetëm në Shkup testimi bëhet në pesë pika”, informojnë nga Ministria.
Sipas Ministrisë, vaksinimi kundër Covid mbetet mbrojtja më efektive kundër zhvillimit të formave më të rënda të Covid-it dhe shtrimit në spital.
Rritja e numrit të rasteve të reja, sipas Ministrisë, është 79,9 për qind.