Bujar Osmani e afron në nivel më të lartë bashkëpunimi Maqedoninë e Veriut me SHBA-në
Sot kur shënojmë 14 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryediplomati Bujar Osmani mbajti konferencë për media kushtuar Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të mbahet më 2 qershor në Uashington.
Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që do të realizojë Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara, që është një sukses i madh diplomatik, por edhe pjesë e rëndësishme e përmbushjes së interesave tona strategjike në përputhje me kursin euroatlantik të vendit.
“Dialogu Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara është një konfirmim i kësaj aleance të fuqishme mes dy vendeve dhe në të njëjtën kohë një forum i rëndësishëm që do të sigurojë përmirësimin e partneritetit strategjik, forcimin e bashkëpunimit dhe në një farë mënyre ngritjen e marrëdhënieve bilaterale në një nivel më të lartë. Kjo do të nënkuptojë definim të bashkëpunimit bilateral në një formë të mirëfilltë institucionale, të udhëhequr nga diplomatët e të dy vendeve, që në plan afatmesëm dhe afatgjatë sigurisht që do të kontribuojë në forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit në një numër më të madh sferash”- theksoi Osmani.