Boca Juniors shpallet zyrtarisht kampionia e Argjentinës një ndeshje përpara fundit të sezonit. Ky ishte titulli i dytë radhazi për skuadrën nga Buenos Aires dhe i 33-ti në historinë e klubit. Mision i përmbushur me sukses për Carlos Tevez i cili u kthye në Argjentinë duke lënë kampionatin kinez pikërisht për të fituar një tjetër titull kampion me Boca Juniors. Skuadra e Guillermo Barros Schelottos arriti të merrte një barazim 2-2 në sfidën e prapambetur ndaj Gimnasia La Platas në transfertë pikë që i mjaftoi Bocës për ta çuar në +4 avantazhin ndaj Godoy Cruz të vendit të dytë dhe për të fituar zyrtarisht një javë përpara fundit të sezonit titullin kampion në Argjentinë.