Të nderuara motra dhe vëllezër,
I nderuar kryetar i Aleancës, Ziadin Sela,
Të nderuar anëtarë të Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët,
Shumë i respektuar dhe i nderuar profesor Blerim Reka,
Zonja dhe zotërinj
Është një kënaqësi e veçantë që unë i pari të drejtohem në këtë tubim madhështor, duke promovuar kandidatin për Kryetar të shtetit profesor Blerim Rekën. Të nderuar të pranishëm, ka qenë një moment shumë vendimtar, dhe një sfidë jashtëzakonisht e rëndësishme që duhej ta kalojmë edhe si politikanë, por mbi të gjitha si qytetarë të këtij vendi. Atëherë, kur dikush po mundohej të imponojë një fotografi bardh e zi në Maqedoninë e Veriut, ne i thamë JO, sepse ka kaluar koha kur gjerat shiheshin vetëm bardh e zi. Tanimë, jemi në kohën e ndryshimeve dhe respektimit të dallimeve. Pikërisht dalja me kandidaturën e profesor Blerim Rekës i dha një kolorit garës presidenciale.
Shumë të respektuar pjesëmarrës në këtë tubim madhështor, Maqedonia e Veriut, dhe qeveritë qofshin të mëparshme apo edhe kjo e sotmja, mundohen që të imponojnë një mendësi politike të një shteti etnik vetëm të maqedonasve, ndërsa në sytë e botës shtiren se janë tolerant, kozmopolit dhe respektojnë realitetin shumetnik të shoqërisë tonë. Me siguri jeni të vetëdijshëm se edhe atëherë kur behej fjalë për ardhjen në pushtet, liderët maqedonas ishin në gjendje edhe të vriten në mes vete, mirëpo ka një gjë që ata i bashkon. Përveçse i bashkon një partner shqiptar që historikisht ka luajtur rolin e vasalit, partitë maqedonase bashkohen çdoherë kur duhet t’i kundërvihen faktorit të mirëfilltë politik shqiptar i cili me dinjitet përfaqëson shqiptarët.
Të nderuar, sot partitë maqedonase bisedojnë për reforma në gjyqësor duke mos përfshirë asnjë faktor politik shqiptar në negociata, bisedojnë për formimin e agjencive të reja të shërbimeve sekrete (famëkeqe për shqiptarë) edhe këto biseda mbahen larg nga faktori politik shqiptar. Ata nënshkruan edhe Marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit duke mos i pyetur fare shqiptarët. Me angazhimin maksimal tonin arritëm që përmes ndryshimeve kushtetuese të korrigjojmë disa gjëra që drejtpërdrejt cenonin interesat dhe identitetin e shqiptarëve. Ata për çdo ditë takohen që të thurin plane se si t’i mbajnë shqiptarët sa më larg vendimmarrjes, duke ju ofruar pushtet klientelist disa përfaqësuesve politik shqiptar. Përmes veprimeve të këtilla elitat politike maqedonase mundohen që krijojnë një fotografi të rrejshme për realitetin shoqëror dhe shtetëror të Maqedonisë të Veriut.
Prandaj, ne kemi motiv shumë më të madh që në këto zgjedhje presidenciale, të angazhohemi maksimalisht që të faktorizojmë votën shqiptare. Me përkrahjen për kandidatin tonë për President, profesor Blerim Rekës, ne japim disa mesazhe shumë të qarta.
E para, ne nuk i lamë shqiptarët të pa përfaqësuar politikisht. Duke përkrahur kandidaturën e profesor Blerim Rekës ne ju bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që votën e tyre mos e drejtojnë nga partitë politike maqedonase, por të rikthejmë votën shqiptare te përfaqësuesit shqiptarë pasi që vetëm kështu shqiptarët në këtë shtet do jenë të përfaqësuar me dinjitet dhe krenari.
E dyta, me votën tonë për profesor Blerim Rekën, jua pamundësojmë partive shqiptare në qeveri që të thirren në emër të votës shqiptare duke i zhveshur ata politikisht dhe duke i lënë pa legjitimitet politik. Me këtë do ti detyrojmë edhe ata që të kthjellen dhe shpëtimin e vet ta kërkojnë në gjirin e shqiptarëve dhe jo nën ombrellën e partive politike maqedonase.
Dhe e fundit, ne kemi mbështetur një kandidat i cili i plotëson të gjitha kushtet për të qenë President i shtetit. Përmes kandidaturës së profesor Blerim Rekës ne ju ofrojmë edhe maqedonasve një mundësi që të zgjedhin dhe mbështesin një kandidat i cili ka kredibilitet moral, ka njohuri profesionale dhe ka ngritje intelektuale që është mbi nivelin e kandidatëve tjerë në këto zgjedhje. Modeli i profesor Blerim Rekës është që t’i dëshmojmë gjithë qytetarëve në Maqedoni, veçanërisht partive politike maqedonase se shqiptarët kanë njerëz që mund të kryejnë detyrat shtetërore me dinjitet dhe krenari më mirë se çdokush tjetër. Kandidatura e profesor Blerim Rekës është një mundësi për maqedonasit që të dëshmojnë se a janë të gatshëm të pranojnë që shtetin të udhëheqë një shqiptar i cili vjen nga faktorizimi i votës shqiptare dhe jo nga përzgjedhja e partive politike maqedonase.
Prandaj, të nderuar të pranishëm, më lejoni që në emrin tim personal por edhe gjithë anëtarëve të Lëvizjes Besa, të ju ftoj që në këto 19 ditë fushatë të shkojmë në çdo qytet, çdo fshat, çdo mëhallë dhe shtëpi dhe të ofrojmë vizionin tonë për të ardhmen e këtij shteti. Të punojmë gjithë bashkërisht që të tregojmë se ne dimë të bëjmë Republikë, se ne dimë të udhëheqim shtet dhe se në këto zgjedhje kemi ofruar zgjidhjen më të mirë.
Më 21 prill, të gjithë së bashku duke votuar numrin 1, të dëshmojmë se mund të bëhemi të parët.
Duke votuar numrin 1 do dëshmojmë se në këto zgjedhje ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është Blerim Reka për Republikën, Blerim Reka President i Maqedonisë së Veriut.
Zoti ju bekoftë të gjithë juve, zoti i bekoftë shqiptarët, na priftë e mbara.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=685814761832545&id=419609265119764