Një 28 vjeçar nga Gostivari është arrestuar mbrëmë në aeroportin e Shkupit, pasi policia e Gostivarit ka shpallur fletarrest intern për të. Ai është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën “kanosje për sigurinë”. Përmes facebookut, jashtë nga Maqedonia e Veriut, ai i ka dërguar kërcënime për jetë kryeministrit Oliver Spasovski, merr vesh Telma nga burime brenda hetuesisë. Për veprën për të cilën akuzohet, parashihet dënim prej 1 deri në 5 vite arrest.
Kërcënimet janë shkruar në facebook si koment ndaj një deklarate politike të shpërndarë nga Spasovski.
Pasi është arrestuar, policëve u ka thënë se në momentin kur e ka shkruar kërcënimin ka qenë nervoz dhe e ka bë në afekt.
MPB njoftoi se personi në fjalë ka dalë para gjykatësit në procedurë paraprake, transmeton Gazeta Lajm.
“M.M. dyshohet që përmes rrjeteve sociale ka adresuar kërcënime, respektivisht e ka cenuar sigurinë e funksionarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore. M.M. është mbajtur në Stacionin policor në Gostivar dhe do të dalë para gjykatësit në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore në Gostivar”, njoftoi MPB.