Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe kreu i VMRO-DPMNE-së opozitar Hristjan Mickoski besojnë se në rrethin e dytë të zgjedhjeve do të arrihet censusi prej 40%. Ahmeti tha se fushata e partisë së tij për mbështetje të kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovskit nuk është e zbehtë dhe se partia e tij do të angazhohet që të mobilizojë gjithë anëtarët e saj për të një fushatë dhe rezultat të suksesshëm nga zgjedhjet.
“Unë e kam bërë një vlerësim dhe mendoj që kjo është një e arritur për tani më shumë e afërt. Organizimi është në nivel, të gjitha shtabet janë në krye të detyrës dhe besoj shumë që suksesi do të jetë i plotë. Në 5 maj vendoset a do të jemi të suksesshëm dhe a do të japim porosi te komuniteti ndërkombëtarë që ne jemi një shtet serioz, mirë i organizuar sepse me 5 maj në rrethin e dytë nuk votohet thjeshtë kandidati por votohet filozofia e përshpejtimit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe në BE. Assesi nuk është zbehtë, organet e partisë, të gjitha kanë mbajtur takime dhe kanë dhënë direktivat për mobilizim për 5 maj – tha Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, beson se në rrethin e dytë do të arrihet censusi dhe qytetarët do të zgjedhin president.
I pyetur nëse do të mbajë përgjegjësi nëse Gordana Siljanovska Davkova nuk do të fitoj zgjedhjet, Mickovski tha se pas zgjedhjeve do të bëhen analiza të rezultateve edhe pse sipas tij, rrethi i parë dëshmoj se VMRO-DPMNE është parti e konsoliduar.
“Unë e thash, president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë do të jetë profesoresha Gordana Siljanovska Davkova dhe vetë kjo e jep përgjigjen se pres të ketë census në rrethin e dytë në 5 maj. Ne në rrethin e parë dëshmuam se VMRO-DPMNE është e konsoliduar, VMRO-DPMNE, se VMRO-DPMNE qëndron fuqishëm në këmbë, VMRO-DPMNE fitoi në 47 komuna në Maqedoni, fitoi 42,5% të votave që atyre që vendosën. Dhe unë mendoj se nuk ka opsion tjetër për qytetarët e Maqedonisë përveç opsionit se zonja Gordana Siljanovska Davkova është presidente e ardhshme e Maqedonisë – deklaroi Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkaq, ditë më parë kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela tha se javën e ardhshme në kuvendin e partisë do të vendoset se si do të veprojnë më 5 maj.
Megjithatë, Sela tha se është e drejtë e qytetarëve që të vendosin se si ata dëshirojnë dhe mohoi mundësinë për pazare politike në lidhje me mbështetjen e dy kandidatëve të mbetur për President, Gorana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski.