Historiani i njohur Vebi Xhemaili ka sjellur Dekalogun (Kushtetutën) e Ballit Kombëtar me dhjetë pikat e saj. Momenti dhe konteksti në të cilin ai ka risjellur Dekalogun, ka ngjallur spekulime se po bëhet gati ringjallja e “Ballistëve” në Maqedoni, respektivisht formimi i partisë Balli Kombëtar. Xhemaili ndryshe është ithtari njohur i ideologjisë balliste,transmeton Gazeta Express.
Në vazhdim u sjellim Dekalogun e plotë të postuar nga historiani Xhemaili:
Dekalogu i Ballit Kombëtar: KUSHTETUTA E SHQIPTAREVE:Amanet:Mit’thad Frashri
1. Luftojmë për Flamurin Kuq e zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar.
2. Luftojmë për një Shqipëri të Lirë, Etnike, demokratike, me bazë shoqërore moderne.
3. Luftojmë për një Shqipëri ku do të mbretërojë liria e fjalës dhe e mendimit
4. Luftojmë për një Shqipëri të rregullueme ekonomikisht dhe shoqërisht, në mënyrë që të mos ketë shfrytëzues dhe të shfrytëzuem, d.m.th të mos ketë njerëz që jetojnë në kurriz të të tjerëve; mos të ketë bujq pa tokë të vetën të mjaftueshme, puntorë krahu dhe mendjeje pa banesë dhe jetë të sigurueme, pra një Shqipëri të rregullueme me një sistem ekonomik rrënjësisht të reformuem simbas shpirtit dhe nevojave të popullit shqiptar.
5. Luftojmë për një Shqipëri ku do të zbulohen, do të përkrahen dhe do të rriten vlerat e
fshehura në çdo shtresë të popullit, me anë të shkollës shqiptare.
6. Luftojmë për një Shqipëri ku do të çmohen drejtësisht të gjitha vlerat, pa dallim
moshe, krahine, besimi apo klase.
7. Luftojmë për të formue një Shqipëri të drejtueme nga njerëz të pa kompromentuem,
nga shqiptarë që nuk janë kursyer në çdo kohë e në çdo rrethanë për shpëtimin dhe të
mirën e këtij vendi, prej burrash puntorë, të aftë e të ndershëm.
8. Luftojmë për një Shqipëri që të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shembullore
antipatriotët, tradhëtarët, të shiturit, ngatërrestarët, spekulluesit, spiunët; për një
Shqipëri ku nuk do të kenë vend dallkaukët, servilët dhe të gjithë ata që pengojnë
zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së Rilindur.
9. Luftojmë për të harmonizue dhe bashkue energjitë e Kombit, për të gatue bashkimin
mendor dhe shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.
10. Luftojmë për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të Kombit, kundra pushtuesit, për
realizimin e idealit të lartë kombëtar:
Shqipëria Shqiptarëvet!