Askush nuk i konfirmon, por ato zhvillohen. Grupe pune të dy partive, LSDM-së dhe VMRODPMNE-së në diskrecion të plotë po i harmonizojnë qëndrimet rreth paketës reformuese të ligjeve.
Marrëveshja e parë ka rënë lidhur me Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, shkruan Dojçe Vele në gjuhën maqedonase.
Sipas Dojçe Vele, tashmë një kohë të gjatë në fshehtësi funksionojnë grupe pune të dy partive më të mëdha-LSDM-së në pushtet dhe VMRO-DPMNE-së opozitare, të cilat i harmonizojnë qëndrimet lidhur me disa ligje për të cilat nevojitet konsensus dhe shumicë prej dy të tretave. Në VMRODPMNE jozyrtarisht konfirmojnë ekzistimin e këtyre grupeve, por nuk zbulojnë përbërjen e tyre, e as cilat janë rezultatet e punës së deritanishme. Burime parlamentare thonë se kanë dëgjuar që “një grup bisedon për ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, grup tjetër për paketën reformatore të ligjeve, kurse për shkak të volumit të punës janë formuar madhe edhe nëngrupe pune, prej të cilave njëra ka të bëjë me Rregulloren e Kuvendit”.
Edhe në LSDM këtë proces e mbajnë në fshehtësi, por jozyrtarisht konfirmojnë se është arritur marrëveshje ndërpartiake rreth Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve.