Patriotët e Fejsbukut këtyre ditëve kanë një lodër të re – shpalljen e “tradhëtarëve” lidhur me ndeshjen e futbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Futbollistët shqiptarë që luajnë për Maqedoninë e Veriut, si dhe shqiptarët e Maqedonisë që bëjnë tifo për ekipin e vendit ku jetojnë, qenkan tradhëtarë?
Kam ca pyetje logjike për këta patriota dhe “autoritete” absolute në “çështjen kombëtare”:
– Vallë me këtë “tezë” pranoni statusin e pakicës për shqiptarët në Maqedoni?
Vallë jeni ardhacakë apo migrantë në vendin e vatanin tuaj, që duheshka të bëjmë tifo për “mëmëdheun”?
Vallë pranoni se Maqedonia u takon vetëm maqedonasve, e jo edhe shqiptarëve po edhe të tjerëve që janë qytetarë e sovranë të saj?
Vallë ne këtu kemi statusin e diasporës të Kosovës?
Nëse nuk ju pëlqejnë këto, kam edhe ca tjera:
Për kë bëjnë tifo austriakët apo zviceranët (që kanë etnogjenezë gjermane) kur luajnë Austria apo Zvicra kundër Gjermanisë? Nëse nuk e dini, besoj se keni kë pyesni.
Shyqyr që loja në terren dhe ajo jashtë terrenit mbaroi pa asnjë problem e incident, përkundrazi në atmosferë të fer plejit dhe miqësisë vllazërore mes dy vendeve fqinje. E “gjysmëloja e tretë”, prej intensitetit të kokave të thyera, huliganizmit të dhunshëm, këngëve për “shiptarin e vdekur e të mirë” dhe “vajzën maqedone k.rvë” po degradon në teza kaq të shfryra, absurde dhe banale.
Karshi shpallësve të “tradhëtarëve”, po qëndrojnë shumë e më shumë shqiptarë që po e konsiderojnë Maqedoninë e Veriut shtet të tyre, në plot kuptimin e fjalëve, si pronarë denbabaden, e jo si qiraxhi apo mysafirë. Mu si shqiptarët në Kosovë, apo ata në Shqipëri. Këtë rezultat 3 me 0 që e kemi arritur si komb duhet ta ruajmë dhe shfrytëzojmë mençur, e jo ta zhbëjmë.
E të mos flasim se, jo vetëm lojtarët, po edhe qytetarët shqiptarë që bënë tifo për Maqedoninë, i lanë nacionalistët maqedonas pa tekst. Po, ja që paska tekst për shpallësit e patriotëve dhe tradhëtarëve mes vetë shqiptarëve. Sado që ju duket pak, edhe kësaj i thonë – përparim dhe evoluim 😎
#NandIqni
#PatriotaMeBateria
#AluminiumOverMaximum