Nesër bëhen 21 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.
Pavarësisht që kanë kaluar 21 vjet, hoxha Isa Tërshani nga Shtimja i ka të freskëta përjetimet nga kjo ngjarje e rëndë dhe e paharruar që tronditi botën mbarë.
“Pa dyshim sa herë vjen 15 janari, është një rikujtim i ndjenjave jo të mira sepse ato ditë kanë qenë të vështira për krejt popullatën e Kosovës, e në veçanti për komunën e Shtimes dhe familjarët e viktimave. Ne jemi njerëz dhe emocionet janë të pashmangshme, me marrjen e lajmit për Masakrën e Reçakut dhe rënien e atyre viktimave ishte një gjendje jo e mirë shpirtërore për banorët e komunës së Shtimes, lojërat e ulëta të pushtetit të atëhershëm me kufomat e Reçakut ishin të paimagjinuar”, thotë ai.
Isa Tërshani që kishte fatin të jetë njëri ndër hoxhallarët që u mor me varrimin e 45 viktimave të Reçakut, në një rrëfim për Ekonomia Online, tregon se regjimi i atëhershëm serb, përpos krimit makabër ndaj banorëve të këtushëm, bëri edhe një krim tjetër duke bërë lojëra të ndyta më kufomat, të cilat i mbajti peng afërsisht 1 muaj.
Ai tregon se policia serbe i kishte bërë presion të madh që viktimat e Reçakut të varroseshin në tri lokacione të ndryshme.
“Pothuajse 1 muaj ishte një lojë jo e ndershme, ishte krim i shumëfish 3 ditë para se t’i sjellin kufomat në Reçak unë kisha një presion të jashtëzakonshëm nga policia e atëhershme dhe insistonin me këmbëngulje që viktimat apo të rënët e Reçakut të varrosen jo të gjithë së bashku dhe të ndahen 10 persona në Shtime 10 apo 15 në Petrovë dhe të tjerët në Mollopolc. Më kujtohet fare mirë ato ditë ishin ditë të ftohta kishte borë, kisha një rast varrimi erdhi policia më morën u thash a ka mundësi ta kryej varrimin mandej atë çka e keni ju përfundon”, rrëfen Tërshani.
Imami i xhamisë së Shtimes, që njëherësh është edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në këtë qytet, tregon presionin që e kishte përjetuar në stacionin policor për të kryer ceremoninë e varrimit ashtu siç i konvenonte regjimit serb.
“Pasi e kreva varrimin më morën më quan në stacionin policor, komandanti i atëhershëm kishte një gjuhë të ashpër një gjuhë jo korrekte dhe thoshte patjetër t’i duhet të kryesh varrimin e tyre, dhe jo gjithë së bashku por në 3 pjesë. Unë u thash mua më vie keq, por unë jam imam apo jam hoxhë për xhaminë e Shtimes. Ne sipas rregullave të Bashkësisë Islame kemi terrenin tonë dhe asnjë imam nuk ka të drejtë të kryejë varrimin e xhematit të xhamisë tjetër, prandaj unë nuk kam këtu kompetenca, për kompetenca të tilla duhet të kërkoni leje nga qendra”, rrëfen ai.
“Insistimi ishte këmbëngulës toni ishte jashtëzakonisht i lartë, qëndrimet ishin jo të këndshme, për 3 ditë rresht vazhduan këto. Mirëpo në atë kohë takoheshim me zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës ku familjarët e viktimave qëndronin sepse vinin pjesëtarët e organizatës të OSBE-së dhe merrnim edhe informacione edhe prej familjarëve edhe prej aktivistëve të Lidhjes Demokratike, dhe për çdo gjë unë i njoftoja kryesinë e Lidhjes Demokratike”, thotë ai.
Ish-sistemit serb nuk i mjaftoi masakrimi i dhjetëra banorëve të këtushëm dhe kështu bënte presion të madh për të varrosur viktimat pa ndonjë ceremoni dhe buj të madhe dhe kështu dha ultimatum për organizatorët që sa më shpejt dhe në mënyrë të heshtur të varroseshin kufomat, e bashkë me ta edhe gjurmët e krimit makabër.
“Natën e fundit, nata e 3 ka qenë shumë një natë kritike ku ultimatumi ishte shumë i qartë dhe shumë i rreptë, në fund erdhën në atë gjendje sa që ne 28 kufoma që i sollën nga Prishtina ne do t’i sjellim dhe do t’i zbrazim në xhaminë e Shtimes. Unë thash që ato kufoma nuk i pranoj, sepse nuk janë kufoma të xhematit tim, me keqardhje po e them edhe këtë sepse familjarët mund të preken por kisha një arsye që ata të mos t’i lënë në xhaminë e Shtimes”.
“Dhe prej aty unë në atë kohë i njoftova zyrën e LDK-së familjarët, se nëse e bëjnë ndonjë presion të dhunës nuk e di se sa e baj dajakun nëse eventualisht rrjedh diçka mos ma shihni për të madhe. Unë me dëshirë kur nuk do ta bëja një hap të tillë dhe deshi i madhi zot që ata pas shumë përpjekjeve nuk e bënë një veprim të tillë, kështu që të nesërmen erdhën të gjitha kufomat dhe në rrugën e Reçakut u organizuam së bashku me zyrën e LDK-së familjarët e viktimave dhe i kemi sjellë këtu në xhaminë e Reçakut me ne ka qenë edhe profesori i ndjerë Zekerija Cana dhe i kemi vendosur të gjitha kufomat brenda në xhami”.
Përpjekjen për varrimin e kufomave në lokacione të ndryshme imami Isë Tërshani e sheh si argumentim që Serbia me vetëdije të plotë kishte ushtruar represion të paparë mbi popullatën civile në Kosovë.
“Pa dyshim unë mendoj që këtu kanë qenë 2 arsye, arsyeja e parë që të humbet apo të mbulohet krimi i kryer dhe arsyeja e 2 është që të mos ketë një sensibilizim i opinionit dhe të ketë sa më pak masë në varrimin e viktimave. Prandaj vet fakti i këmbëngulësisë së pushtetit të atëhershëm të qeverisë së Serbisë që të bëhet varrimi ndarazi, jep me kuptua edhe sot kuptohet qartazi që ajo ka bërë një krim të paparashikuar. Kështu që fal Zotit dhe njerëzve tanë familjarëve dhe rrethit varrimi është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme sipas të dhënave që kanë ekzistuar sepse normalisht të mirat nuk kanë kufi”, thotë ai.
Tërshani: Varrimi ndodhi nën vëzhgimin e plotë të forcave serbe
Pas gati një muaj forcat serbe më në fund viktimat që i masakruan i dorëzuan te familjarët dhe më 11 shkurt 1999 ndodhi ceremonia e varrimit ku prezent ishin shqiptarë nga mbarë trojet etnike.
Po ashtu imami Tërshani tregon se edhe gjatë ceremonisë mortore ishin nën monitorim të forcave serbe.
“Pasi arritën kufomat në xhaminë e Reçakut dhe pasi ishte përcaktuar lokacioni i varrezave së bashku me imamin e ndjerë mulla Mahmut Mahmutin kemi dalur në vendin e varrezave dhe kemi përcaktuar kahen kah të varrosen që në aspektin fetar është e preferuar që ana e djathtë e të vdekurit të jetë kah kibla. Kanë dalur djemtë dhe fshatarët e Reçakut, kanë filluar menjëherë hapjen e varreve dhe jemi munduar që dita e nesërme të jetë një organizim sa më i mirë për t’i nderuar ata të cilët kishin rënë pothuajse 1 muaj ditë më parë”, thotë ai.
Në rrëfimin e tij para mikrofonit të Ekonomia Online, hoxhë Isa Tërshani tregon se si u bë varrimi i 40 martirëve të Reçakut.
“Pa dyshim se janë kujtime të hidhura, janë momente të vështira jo vetëm për mua që realisht asnjë familjar nuk e kam këtu, kur e llogaritë familjarët çfarë ndjenjash kanë. Dita e nesërme ka qenë një ditë jashtëzakonisht e mirë, ka pasur masë nga të gjitha trojet shqiptare. Organizimi i varrimit ka qenë jashtëzakonisht mirë. Më madhështore e ka bërë prania ndërkombëtare, gjegjësisht ish-ambasadori Ëalker i cili mbajti një fjalim jashtëzakonisht shumë domethënës, përkundër asaj që në pjesën tjetër ishin forcat serbe që vëzhgonin çdo moment. Edhe të varroseshin viktimat e Reçakut duheshin të pritshin në radhë, të gjithë ishin nëpër supet dhe duart e njerëzve, sepse 40 viktima të varroseshin nuk ishte punë e lehtë”, thotë ai.
Masakra e Reçakut ishte vrasja masive e 45 shqiptarëve nga Kosova që ndodhi në fshatin Reçak, në qendër të Kosovës, në janar 1999. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.
Ambasadori i atëhershëm i cili ishte kryesues i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, Ëilliam Ëalker përçoi mesazhin në mbarë botën që në Reçak kishte ndodhur një krim kundër njerëzimit. Kjo deklaratë pasojë edhe bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë e Serbi.