Monday, November 25, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeKulturëAvdulla Rushiti- Struga – Gojdrinasi – Atdhetari që luftoi në dy fronte”...

Avdulla Rushiti- Struga – Gojdrinasi – Atdhetari që luftoi në dy fronte” (1882 – 1959), (me rastin e 60 vjetorit të vdekjes)

Prof. Dr. Nebi Dervishi

“Avdulla Rushitit- Struga – Gojdrinasi – Atdhetari që luftoi në dy fronte” (1882 – 1959)
(me rastin e 60 vjetorit të vdekjes)

Prej kohësh e kam bërë objekt studimi atdhetarin e madh strugan, “të harruanrin” apo të “mohuarin” Avdulla Rushitin (1882-1959), i njohur me mbiemrat konspirativë, “Gojëdrini” dhe “Struga”, i cili sivjet, 2019, i mbush plotë 60 vjet nga vdekja, dhe i varrosur në Vienë të Austrisë.
Pas shumë përpjekjeve gjurmuese e hulumtuese ndër vite arrita në përfundim se Avdulla Struga – Rushiti apo Gojdrinasi, i takon brezit atdhetarë e fatlumësh që kontribuan në të gjitha ngjarjet kombëtare para, gjatë dhe pas shpalljes së Pavarsisë më 28 Nëntor 1912, si dhe luftuan për bashkimin e trevave etnike shqiptare në një njësi autonome. Ai, ka qenë pjesmarrës me pushkë në dorë, së bashku me shumë atdhetarë të tjerë, që luftuan në më shumë fronte, kundër hordhive e tiranisë osmane, që tani po perëndonte, dhe falangave grabitqare të shteteve fqinje ballkanike,të cilët në Luftën e Parë Ballkanike 1912/1913 i okupuan trevat etnike shqiptare.
Tani na është e njohur, se, gjatë rrugës historike popullit shqiptar i ngelën me qëllim të pastudjuara e të harruara më shumë ngjarje dhe personalitete. Ideologjia moniste ekstreme e së kaluarës kishte diktuar që, si ngjarjet e veçanta ashtu edhe një varg figurash atdhetare të mbetëshin nën mjegullnajat dhe t’i mbulonte pluhuri i harresës. Dhe, kjo nuk ka ndodhur rastësisht, sepse, një populli që i mohohet historia, ai asgjasohet forcërisht, kurse një popull që fle gjumë dhe harron hsitorinë e lavdishme të tij, ai popull dalëngadalë asgjesohet në formë të qetë ose në fund të fundit i përsëritet historia.
Për kompletimin e figurës atdhetare strugane të Avdulla Rushitit – Strugës , ndihmesë të madhe më dhanë: prof Mojsi Murra – nga Peshkopia, Dr. Lutfi Turkeshi nga Dibra, Rushit Rushiti nga Struga (i nipi i personazhit që trajtojmë), z. Asllon Hani nga Veleshta e Strugës (më ndihmoi në lokalizimin (gjetjen) e varrit familjar në Vienë), e sidomos historini e studjuesi prof. Dr. Ali Vishko, i cili e ka njohur për së afërmi figurën dhe familjen e Avdulla Rushitit (Strugës), i cili nuk i përketë vetëm intelektualëve e atdhetarëve shqiptar, por asaj aradhe e plejade të personaliteteve të mëdhenj që nuk jetojnë për vete, por për të tjerët,dhe për këtë fisinkëri janë të shpërblyer me kujtimin e perjetësisë.
Avdulla Rushiti lindi në Strugë në vitin 1882, në lagjen e atëhershme “Hotishtë”. Ishte i biri i Rushitit të Parë, i cili së bashku me Mehmet Reshit Beun përfaqësonin Ohrin e Strugën në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më (10 qershor 1878). Ky i fundit zgjidhet edhe anëtar i Këshillit Qëndror të Lidhjes.
Në kasabanë e Strugës, Avdulla Struga e kaloi fëmijërinë, i kreu mësimet fillore në mejtepin e qytetit, u formua në mjedisin familjar e qytetar dhe u brumos me dashurinë për vendlindjen dhe për atdheun.
Në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIX, ku lindi dhe u rrit Avdulla Rushiti, Struga ishte kthyer tanimë në një qendër të rëndësishme qytetare, e tërhequr jo vetëm në jetën ekonomike të trevave Lindore shqiptare por edhe në ngjarjet politike e kulturore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sepse këtu ishin vendosur dhe vepronin shumë familje të shquara, si: e Murat Sojliut (Bakallit), Dr. Murteza Ali Strugës, e Beqir Agë Bautës, e Riza Drinit etj. Gjithë kjo atmosferë e qytetit të lindjes do të linte mbresa në intelektin e Avdullait të ri. Edhe pse u shkëput shumë shpejt nga vendlindja dhe shkoi së bashku me babanë Rushitin në Stamboll, ku kreu shkollimin e mesëm, ai nuk do ta harronte kurrë kasabanë e Strugës, siç e kishtin traditë ta quanin vendlindjen struganët e atyre viteve.
Ndikim vendimtar në formimin e tij, si atdhetar dhe intelektual revolucionar ushtruan idetë e mëdha të rilindasve të shquar shqiptar që jetonin e vepronin në kryeqendrën e Perandorisë, në Stamboll, si: Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Naim e Sami Frashëri, Dr. Ibrahim Temo, etj. Por, ndër faktorët kryesorë që e shtynë Avdulla Rushitin drejt veprimtarisë atdhetare, ishin: gjendja e rënduar e Shqipërisë nën regjimin apsolutist të sultan Abdul, mungesa e të drejtave kombëtare dhe politike-kulturore për shqiptarët, si dhe rreziku që i kanosej ekzistencës së kombit shqiptar dhe të ardhmes së tij të mjegulluar e të zymtë.
Nga Struga u largua në moshë të re për t’u shkolluar, por i mekur, tanimë me një dashuri të zjarrtë për Shqipërinë, të cilën nuk arriti ta zbeh as madhështia e kryeqytetit të Perandorisë, Stambolli, as vitet që kaloi largë vendlindjes. Lidhjet e vazhdueshme me Strugën dhe me familjen e tij, qëndrimi atje gjatë pushimeve verore dhe takimi me bashkëvendasit, bënë që në mendjen dhe në zemrën e tij të mbeten gjithnjë të freskëta vuajtjet e popullit shqiptar, aspiratat e tij për liri dhe pavarsi, për të hyrë në rrugën e ekonomik, arsimor dhe kulturor. Dëshira për ta parë atdheun e lirë nga çdo zgjedhë e huaj, për ta shpëtuar nga copëtimi që i kanosej për shkak të politikave shoveniste të monarkive fqinje, për t’i parë shqiptarët dhe trojet e tyre të bashkuara në një shtet të vetëm kombëtar, u kthyen në intelektin e Avdulla Rushitit të ri, në një ëndërr, në një aspiratë së cilës do t’i kushtojë gjithë jetën e tij. Pra, erëra të moçme e të reja, erërat e përpjekjeve të parreshtuara dhe të luftës së shqiptarëve për liri e pavarsi i vinin Avdullait të ri nga të gjitha anët. Vinin nga Stambolli, Manastiri, Ohri, Korça, erërat e përpjekjeve të pemëve dhe erërat e barotit nga malet e Shqipërisë. Po këto tufane frynin edhe në vatrën e Rushitëve, një nga familjet me tabanë kombëtar, e dëgjuar për shqiptarizmin e saj, e që për shumë breza jetonte në Strugë.
Në një bisedë rasti me z. Rushit nga Struga, një pinjoll (nip) i Avdulla Rushitit, zhvilluar më 04.II.2012, mora këto të dhëna: Babai i Avdulla Rushitit quhej Rushit dhe ka pasur tri djemë: 1. Avdullai (1882-1959)- nuk ka lënë trashëgimtar; 2. Xheladini (1870-1919), gjyshi i Rushitit të Ri (të intervistuar) dhe 3. Musa që ka lënë Qemalin i emigruar në Turqi dhe nuk ka lënë trashëgimtar, si dhe vajzën Lale, e martuar në Dibër, dhe bashkorti është quajtur Avdulla. Zoti Rushit më tha se Avdullai pas largimit nga Struga, në vitet e Luftës së Parë Botërore, u vendos në Vienë, ku u martua me një femër austriake, hapi biznes atje dhe ndërroi jetë rreth viteve 60 të shek. XX. Për të plotësuar figurën e Avdulla Rushitit tërë këto vite kamë hulumtuar e studjuar dokumentet arkivore dhe literaturën përkatëse, si dhe shkova personalisht në Vienë ku jetoi, veproi dhe ndërroi jetë kryepersonazhi i këtij portreti modest.
Në Vienë kontaktova me shumë bashkëatdhetare Struganë, të cilët i pyeta ndoshta e kanë njohur Avdulla Strugën. Rastësisht takova mikun Z. Asllan Hani nga Veleshta e Strugës, i cili nga vitet 60 të shek. XX punon në Vienë, në varrezat e qytetit. Porsa e pimë kafenë e rastit, mikut Asllan ia drejtova bisedën për atëqëmë interesonte. Ai pa pritur më tha:”Miku të çon te varri. Atje kamë punuar 33 vite pandërpre”. Pa humbur kohë shkuam te varrezat e qytetit në Lagjen (Biciklin) njëmbëdhjetë të Vjenës. Në mesin e mijëra varreve të krishtera qëndronte edhe një varr familjar i familjes Struga, i rregulluar dhe i mbajtur mirë, me një pllak mermeri ku shkruhej: Në krye kishte gjysëm – hënën, dhe më pas Avdulla Struga (1882-1959) dhe më poshtë Johann Struga (1891 – 1972).
Tek Avdulla Rushiti –Struga mplekseshin në një të vetme, mendimi atdhetar dhe demokrat me veprimin revolucionar. U vundua në përkrahje të qëndresës kundër osmane të viteve 1903-1904, të themelimit të “Komitetit të Fshehtë për Lirinë e Shqipërisë”, “Ja vdekje ja liri”, në nëntor 1905, në Manastir dhe të luftës së armatosur të çetave që u organizuan nën drejtimin e tyre. Duke iu referuar Sejfi Vlamasit, në librin: “Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942)”, pas themelimit të Komitetit të Fshehtë të Manastirit (1905), anëtarë i Komitetit Qendror të tij, përveç atdhetarëve të shquar, si: Halit Bej Bërzeshtës, Fehim bej Zavalanit, Gjergj Qirijazit, Bajram (Bajo) Topullit, Sejfi Vlamasit, Nuçi Naçit, Toger Nazif Ohrit, Sulejman Starovës, Idriz Gjakovës, Hystref bej Starovës, Hysen bej Deshnicës, Jashar Hajri Bitinçkës…, ka qenë edhe Avdulla Rushitit- Struga, i cili pa humbur kohë themeloi, kuptohet në mënyrë konspirative nënkomitetet e Komitetit të Fshehtë të Manastirit, në Ohër, Strugë, Dibër, etj, si dhe çetat e armatosura që vepronin në këto rajone.
Populli shqiptar e priti me gëzim të madh shpalljen e Hyrjetit (Kushtetutës) më 23 korrik 1908, sepse shpresonin se do t’i siguronin liritë politike dhe barazia që i ishin premtuar. Atdhetarët shqiptarë, pa hequr dorë nga synimet politike, shfrytëzuan me mjeshtri e shkathtësi liritë e kufizuara dhe mundësit legale që krijoheshin me shpalljen e Kushtetutës, duke formuar klube në shumicën e qyteteve shqiptare, të cilat kujdeseshin për çeljen dhe mbajtjen e shkollave shqipe, për botimin dhe shpërndarjen e gazetave dhe të librave në gjuhën shqipe, etj. Në nëntor-dhjetor të 1908 edhe në Strgë u formua Klubi “Bashkimi” ku veprimtarët e saj më të spikatur ishin Avdulla Rushiti së bashku me Nuri Sojliun, Murat Bakallin, Beqir Aga (Bauta), Dr. Murteza Ali Struga etj. Pranë Klubit “Bashkimi”, në Strugë, u hap edhe shkolla e parë në gjuhën shqipe.
Avdulla Rushitit – Gojëdrinasi do të mbështesë matrialisht dhe me logjistikë Kongresin e Parë të Alfabetit në Manastir, ndërsa në Kongresi e Dibrës (23-28 korrik 1909) mbështeti rrymën atdhetare të Dervish Himës të cilët ishin mbrojtës të alfabetit latin dhe kundër rrymës që mbronin me fanatizëm alfabetin arab.
Në fund të muajit maj të vitit 1909, vetëm në Strugë, Ohër e Pogradec u arrestuan 17 veta, përkrahës të shkollës dhe të shkrimit shqip, të cilët u akuzuan për propagandë reaksionare kundër regjimit kushtetues. Midis të arrestuarve ishte edhe Avdulla Rushiti, njëri nga udhëheqësit më në zë të lëvizjes kombëtare në trevën e Ohrit së bashku me Hamdi bej Ohrin, etj. Klubet shqiptare protestuan kundër këtyre veprimeve të dhunshme, derisa i detyruan xhonturqit që t’i shpallin të pafajshëm dhe t’i lirojnë atdhetarët e arrestuar.
Më 2 shtator 1909, u thirrë me nismën e Klubit shqiptar të Selanikut, u thirr Kongresi i Elbasanit, ndërkaq klubet”Bashkimi” dhe “Vllaznia” shpërndanë ftesat klubeve dhe shoqërive brenda dhe jashtë vendit për pjesmarrje në Kongres. Në këtë Kongres marrin pjesë 35 delegat, përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Midis delegatëve të kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, mësues e atdhetarë, si Mit’hat Frashëri, Orhan Pojani, Dervish bej Biçaku, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Sevasti e Gjergj Qiriazi, Hamdi Bej Ohri, Irfan Bej Ohri, Andrea Konomi, Grigor Cilka, Don Nikoll Kaçori, Simon Shuteriqi, Dhimitraq Budo, Luigj Gurakuqi, si dhe Avdulla Rushitit- Struga, i cili përfaqësonte klubin “Bashkimi” dhe qytetin e Strugës. Në këtë Kongres kombëtar, sipas programit u shqyrtuan çështjen themelore si: çelja e një shkolle normale dhe masat e nevojshme për atë; krijimi i një qendre të vetme për drejtim, për organizim dhe financimin e shkollave shqipe; masat për bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare, etj. Një kontribut të madh në Kongresin e Elbasanit dhe në hapjen e Normales, padyshim se do ta jep edhe Avdulla Rushiti, jo vetëm me prezencën si pjesmarrës, por edhe në punën e Kongresit.
Avdulla Rushiti, që njihet edhe me emrin konspirativ – Gojëdrinasi, do të jetë përfaqësues dhe i deleguar i Klubit “Bashkimi” të Strugës, në Kongresin e Dytë të Manastirit (1-3 prill 1910), i cili u thirrë me nismën e Klubit “Bashkimi”, të Manastirit. Edhe ky Kongres ishte një mbledhje mbarëshqiptare për mbrojtjen e shkollës dhe të shkrimit shqip kundër reaksionit xhonturk, për përparimin kulturor të Shqipërisë dhe për organizimin e mëtejshëm të lëvizjes kombëtare. Kongresi i Dytë i Manastirit, ku fjalën kryesore e pati Dervish Hima, miratoi programin prej 10 pikash, me të cilat kërkohej: liri e mësimit të gjuhës shqipe, heqja e të gjitha pengesave që qeveria nxirrte për përhapjen e shkollave shqipe, çelja në Shkup e një shkolle normale, etj. Pra, ky Kongres ishte edhe një manifestim i rëndësishëm që i dha hovë të mëtejshëm Lëvizjes Kombëtare shqiptare, që trasojë rrugën drejt shpalljes së Pavarsisë më 28 Nëntor 1912, ku edhe kontributi i Avdulla Rushitit është i padiskutueshëm.
Për Avdulla Rushitin dhe bashkëveprimtarët e tij në këto anë (Hamdi Bej Ohrin, Dervish Himën, Murat Sojliun, Irfan Bej Ohri Nuri Sojliun etj.) tanimë ishte e qartë se dobësimi i Perandorisë Osmane dhe largimi i saj prej trevave shqiptare, në fillim të vitit 1912 ishte në prag dhe i pashmangshëm,.
Edhe në Nahinë e Strugës në fillim të vitit 1912 gjendja ishte tepër e rëndë. Në krye të çetave të këtyre viseve ishin venduar disa atdhetarë të shquar si: Irfan Bej Ohri, Hamdi Bej Ohri, Mehmet Beut (kryetar i komitetit shqiptar në Ohër), Beqir Aga (Bauta), Murat Sojliu dhe Avdulla Rushitit – Strugës, çeta e të cilit kishte vite që fliste me gojën e armëve.
Gazeta “Liria e Shqipërisë” e 11 gushtit 1912, që dilte në Sofje shkruante: “Me gëzim të madh lajmërojmë që para disa ditësh kryengritësit strugan dualën në mal, të cilët kërkojnë të gjithë ata të drejta që kërkojnë vëllezërit tonë të Kosovës. Kryengritësit janë: Dalip Aga, Beqir Aga, Avdulla Efendiu (Struga) Abdurrahman Sojliu, Ismail Hakiu, Aqif Menkoni, etj”.
Pas disfatës së ushtrisë osmane në Luftën e Parë Ballkanike, dhe pa i ftohur akoma armët që kishin luftuar ndër vite kundër turqve, çeta e Avdulla Gojdrinit dhe prisi i saj, i kthyen kundër ushtrisë serbe, e cila nën pretekstin (shkakun) e dëbimit të turkut nga Ballkani, sulmuan dhe pushtuan viset shqiptare etnike, ndërsa çetat atdhetare shqiptare u detyruan ose të largohen në Malësinë e Ohrit e Strugës, ose u detyruan të strehohen në brendi të teritorit të shtetit shqiptar dhe në mbështetje për mbrojtjen e tij.
Më 1-4 mars 1913 i zhvilloi punimet Kongresi i Triestes, që përbënte një moment të rëndësishëm në veprimtarinë e patriotëve nga Shqipëria dhe diaspora për mbrojtjen e interesave kombëtare. Në Kongres morën pjesë personalitetet më të shquara nga tërë viset e Shqipërisë, të kolonive shqiptare në SHBA, Rumani, Turqi, Egjypt, dhe nga Arbëreshët e Italisë, etj. Kongresi shqiptar që u mbajt në Trieshte, s’ka dyshimi se u mbështet dhe u organizua nga Qeveria e Austro-Hungarisë, e cila në këtë moment kërkonte t’i forcoj pozitat e veta në Shqipëri. Delegatë të këtij Kongresi ishin rreth 100, si: Hil Mosi, Fan Noli, Faik Konica, Nikolla Ivanaj, Aleksandër S. Drenova (Asdreni), P. Evengjeli, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri (Çoku), ndërsa treva e Strugës u përfaqësua nga Avdulla Rushitit – Gojdrinasi (Struga).
Rreth Kongresit të Trieshtës, gazeta “Liria e Shqipërisë” e Kristo Luarasit, më 15 shkurt 1913, në Sofje e jep këtë lajm:
“Fletët e Evropës shkrojtën se më 16 të Shkurtit (me kalendarin e ri – 1 mars – N.D.) do të mbahet një Kongres në Triestë prej shqiptarëve që gjindeshin jashtë Shqipërisë. Në këtë Kongres do të ketë delegatë nga Kolonitë e Amerikës, Misirit, të Rumanisë, etj… Delegatët që gjenden në Trieshtë, javën që shkoi, mbajtën një mbledhje ku zgjidhen një Komision prej shtatë vetësh ku si kryetar u zgjodh Hil Mosi, dhe si nënkryetar Dervish Hima e Faik Beu. Ky komision pat për koncept programin e Kongresit”.
“E para pikë që do të ketë kongresi do të jetë: Të përmbahet e gjallë kombësia shqiptare kudo. Kongresi ka për qëllim të protestojë te Fuqit e Mëdha kundër Ushtrive luftonjëse serbe dhe greke në Shqipëri”. Ky qe Kongresi i Trieshtës, ku një kontribut të madh dhe ndër më të vendosurit padyshim ishte Avdulla Rushitit- Gojdrinasi.
Kryengritja e Shtatorit e vitit 1913, ishte kryengritja e parë e armatosur kundër pushtuesve serbë për çlirimin e bashkim kombëtar. Shpërtheu më 20 shtator 1913, në Dibër (Peshkopi) dhe përfshin Golobordën, Strugën, Ohrin dhe u përhap edhe në Kosovë, deri në afërsi të Prishtinës. Kryengritësit çliruan: Pershkopin, Dibrën, Ohrin, Strugën, e Gostivarin. Haki Stërmilli, në veprën “Dibra në prag të histories”në mes tjerash shkruan: “Kur fuqija kryengritëse e Dibrës iu avit qytetit të Strugës, këtu nuk shifesh asnjë shenjë alarmuese në qeveritarët serbë, mbasi ata kishin vendos jashtë qytetit fuqin të mjafta ushtarake.
Përveç kësaj, Qeveria serbe, për t’u siguruar nga struganët, kish arrestue në qytet Abdurrahman Agën, Emrulla Agën, Xhemal Sojliun, Avdulla Efendiun, etj., të cilët i kishte dërguar në burgun e Ohrit, ku kishte burgosun edhe disa të tjerë nga ai vend. Sërbët mbas tri ditësh, vendosën me i gri me pushkë këta të burgosun. Por, kjo vepër dështoi nga një propagandë që zhvilluan shqiptarët, të cilët përhapën lajmin se gjoja kryengritësit e Dibrës me një fuqi të madhe i ishin afrue qytetit. Qyteti i Ohrit murr zemrën prej këtij zani dhe rroku armët e u lëshua mbi burg. Mbas një luftimi që u zhvillue në mes popullit dhe fuqisë së paktë sërbe, ngadhnjyen shqiptarët dhe të burgosurit shpëtuen pa pësue as ndonjë dam”.
Të burgosurit e Strugës, sa dolën nga burgu, u kthyen në Strugë, ku organizuen, bashkë me të tjerët, një çetë prej 300 vetësh të prirë nga Avdulla Gojëdrinit. Kjo çetë e bashkue me fuqinë dibrane, zu malet e Petrinjës”.
Për Kontributin e Avdulla Rushitit në Kryengritjen e Shtatorit më 1913, flet edhe Millan Mato, shqiptar orthodox nga Struga, që ishte anëtar i Qeverisë së Përkohëshme të Kryengritësve kryesuar nga Sefedin Pustina. Ai, vite më vonë në ditarin “Kryekomitit tregon” (Naj Komitat raskazhuva) botuar në Sofje 1932 dhe ribotuar më 2002, faqe 100-102) në mes tjerash shkruan:
“Në Velesht na u bashkangjitën mbi 200 burra të armatosur dobët. Arkatari i çetës Avdullai nxorri nga strajca flamurin shqiptar me sfond të kuq dhe në mes me shqiponjë ngjyrë të zezë, të cilën e vari në një dru të gjatë të stolisur me lule… Pasi arritëm në Strugë për pak kohë ndaras, në tri grupe u tubuan rreth 80 shpirt (bullgar); turqit u tubuan nga Abdurrahman Aga, ndërsa shqiptarët nga Avdulla Rushid-ov (Rushiti). Dhe të tri grupet e grumbulluara i urdhërova që bashkërisht pa humbur kohë të nisen për në Betejë…”
Pas kundërmësymjes serbe dhe betejës së Petrinjës, 1-2 tetor 1913, Avdulla Rushiti, me çetën e tij, doli në mal, me shpresë se shqiptarët e këtyre viseve do të riorganizoheshin për çlirimin e këtyre trojeve nga ekspasionizmi dhe hegjemonizmi shovenist serb.
Masat e ashpra të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe kundrejtë popullsisë tërësishtë të pafajshme shqiptare, si dhe marrja e kompetencave Qeverisë së Përkohshme të Vlorës nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, ia rrudhën shprësn Avdulla Rushitit – Gojëdrinasit që të qëndronte me armë në dorë maleve të Stogovës dhe Petrinjës. Në këto rrethana aty nga fundi i vitit 1914, kur tanimë kishte filluar Lufta e Parë Boërore, Avdulla Rushiti largohet përfundimisht për në Austri dhe vendoset në Vienë. Atje, pas martesës me një femër austriake me emrin Joahnn, do të hap dy lokale në qendër të kryeqendrës, Vienës, të cilat në vitet në mes dy luftrave botërore (1918-1939) do të bëhen vendet më të frekuentuara për emigrantët politik dhe studentët shqiptar që studjonin dhe vepronin në vendet perëndimore.
Në vitet që jetoi në Vienë, Avdulla Struga do të bashkëpunojë dendur me Hasan Bej Prishtinë, Prof. Eqerem Çabejin, Lasgush Poradecin dhe me atdhetarë të tjerë, që jetuan, vepruan e studjuan në Vienë, si dhe për disa vite do të financojë gazetën “Zani i shqiptarit” organe të shoqërisë të studentëve shqiptar “Albani: që vepronte në kryeqendrën e Austrisë.
Avdulla Rushiti – nuk la trashëgimtarë. Ndërroi jetë 55 vite më parë, në vititn 1959, pa e parë vendlindjen e tij të dashur, Strugën. Eshtrat e tij prehen në varrin familjar në Biciklin 11 të Vienës, ku është varrosur edhe bashkëshortja e tij Johann Struga (vdes më 1972).
Kronisti i Revistës “Kosova” e dt. 19 shtator 1942, në zërin “Përpjekjet Kreshnikë të Strugës shqiptare për liri e për Shqipëri”, në mes tjerash shkruan: “…Vjet më 27 gusht (1941) Struga desh t;ua kalonte shoqeve midis qendrave të Tokave të Çliruara; ishte e para që hodhi themelet t’u ngrehë një përmendore Dëshmorëve për të pavdeksuar lavdinë e shkëlqyer t’atyre vigajve, të cilët, të rritur nën meloditë hynore të valëve të Drinit plak që këngëton jetën mijëvjeçare të Kombit t’onë, me zemra të ndezura flakë të dashurisë s’Atdheut ranë theror: djelm të njohur e të panjohur që kanë bërë më të shtrenjtën për këtë tokë të dashur shqiptare…” “…S’andejmi Struga nxorri frymëzimin e zgjimit kombëtar, arriti të bëhet një nga vatrat e lëvizjes patriotike. Me pushkë e me libër në dorë, bijët e saj u përpoqën midis rreziqeve dhe vuajtjen burgimin dhe arratinë. Kjo lëvizje mori një hovë të jashtëzakonshëm rreth viteve 1900 – 1908 dhe kishte gjetur përkrahësit fanatik…”, në mesin e të cilëve është edhe Avdulla Rushitit, Gojëdrinasi apo Struga.
Avdulla Struga bënë pjesë në plejadën e atdhetarëve shqiptarë që duhet vlersuar realisht për kontributin që ka dhënë për çështjen kombëtare. Natyrisht ky portret modest, hartuar me rastin e përvjetorit e 60 të vdekjes nuk është i plotë. Hulumtimet e mëtejshme do të hedhin dritë me të dhëna të reja për këtë atdhetar strugan, që nuk kurseu as jetën e pasurinë në të mirë të çështjes kombëtare. Në këtë përvjetor Komuna e Strugës dhe Kryetari i saj, dhe të gjithë struganët pa dallime partiake, duhet të bëjnë më shumë, të organizojnë homazhe te varri familjar në Vienë, të organizojmë tribuna shkencore, të ngrejnë nismën për emërimin e ndonjë rruge me emrin e tij, të hartohet një monografi, e pse jo të mirret një inciativë për sjelljen e eshtrave në vendlindje, sepse emri i këtij kolosi ishte zemra e shpirti i popullit të vet, sepse ai lindi e jetoi, vepro e punoi, frymoi e sakrifikoi, për lirinë e pavarsinë dhe ardhmërinë e vet, me të cilat premise hyri në Panteonin e emrave që nuk vdesin kurrë.

22 dhjetor, 2019

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!