Kreu i Aleancës për Shiqptarët, Ziadin Sela bashkë me bashkëpunëtorët e tij, janë duke realizuar takime me qytetarët nëpër çdo vendbanim ku ata kanë mbështetës dhe jo vetëm. Së fundmi, në takim me qytetarët e Komunës së Haraçinës, Sela ka folur për problemin e zbrazjes së shtëpive të shqiptarëve dhe ikjen për çdo ditë të të rinjve, të cilët sipas tij, kanë humbur shpresën për jetë më të mirë në këtë vend. Këtë gjë sipas tij, me vite me radhë e bën partia shqiptare në pushtet.
Sela theksoi se ai dhe partia e tij janë të angazhuar që më 12 Prill të kthejnë shpresën e humbur tek të rinjtë dhe për këtë ai shprehet se është i gatshëm të bshkëpunojë me çdo subjekt politik që e do këtë ndryshim.
“Problemin kryesor e kemi mungesën e shpresës dhe tendencat për të na vrarë shpresën akoma. 12 prilli me këtë ka të bëjë. Ose do e kthejmë shpresën dhe do i mbajmë njerëzit këtu ose do na vritet akoma më tepër shpresa dhe të rinjtë do vazhdojnë të ikin akoma më tepër. Ne e kuptojmë rëndësinë e këtij momenti dhe bazuar te rëndësia e këtij momenti ne jemi të hapur dhe kemi bërë ofertë për koalicion me partitë të cilat duan ta sjellin ndyshimin bashkërisht, në mënyrë që ta sigurojmë fitoren sepse neve nuk na lejohet të luajmë politikash me fatin e popullit tonë, me fatin e shqiptarëve. Më 12 Prill fati i shqiptarëve është në pyetje. Një njeri i zhgënjyer dhe i larguar është një dëm shumë i madh që i bëhet popullit”, theksoi mes tjerash Ziadin Sela.