Në zjarrin që shpërtheu këtë pasdite në një barakë në lagjen Tërnodol të Shkupit është një viktimë. Trupi u gjet gjatë pastrimit të mbetjeve nga zjarri.
“Zjarri është shuar para rreth 40 minutave. Një pjesë e zjarrfikësve që qëndruan në teren për ta pastruar terrenin e gjetën trupin”, deklaroi komandanti i Brigadës territoriale të zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, Vlladimir Simonovski në një deklaratë për MIA-n.
Zjarri u raportua në orën 14, ndërsa Brigada e zjarrit e Qytetit të Shkupit intervenoi me pesë automjete dhe 14 zjarrfikës.
Shkaqet e zjarrit do të dihen pas inspektimit të bërë.