Kur je kryetar komune, përgjegjësia jote është t’i zgjidhësh problemet, jo të fshihesh pas tyre dhe t’ua kalosh fajin të tjerëve. Po të rikujtojm z.Qyra se sot je në pozitën e kryetarit dhe jo në fushatë. Qytetarët presin veprime dhe llogaridhënie.
Nuk është spektakël politik të thuash të vërtetën dhe të përballesh me realitetin. Deri dje, Struga numëronte 144 orë pa ujë të pijshëm, ndërsa sot, fatkeqësisht, kemi arritur në plot 168 orë pa ujë. Z.Qyra nuk është çështje spektakli politik, por një problem serioz që prek çdo qytetar dhe që dëshmon dështimin tuaj dhe të gjithë ekipit tuaj . E vërteta nuk mund të fshihet duke e quajtur spektakël politik kërkesën për përgjegjësi!
Një pjesë e statusit tënd duket si kopje e reagimit të bashkëpunëtorëve të koalicionit tënd, VMRO-DPMNE-së. Por përsëritja e të njëjtave akuza nuk e zgjidh problemin e ujit. Të kërkosh fajtorë te mullinjtë e erës mund të bëjë zhurmë politike, por nuk sjell ujë në çezmet e qytetarëve. Don Kishoti luftonte me mullinjtë e erës ndërsa Struga ka nevojë për zgjidhje konkrete
Problemi me ujin në Strugë është serioz dhe kërkon përgjigje të qarta, jo përpjekje për t’ia kaluar fajin njëri-tjetrit. Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse uji është i sigurt, çfarë e shkakton ndotjen dhe kur do të zgjidhet problemi.
Askush nuk po mbjell panik, thjesht ne nuk manipulojmë qytetarët, siç po përpiqeni të bëni ju. Ne po themi të vërtetën, të cilën edhe vetë e keni pranuar në reagimin tuaj: problemi me ujin e pijshëm në Strugë është serioz dhe askush nuk ka të drejtë ta minimizojë.
Ne ua bëmë të ditur qytetarëve realitetin: struganët, për të disatën herë gjatë vitit të fundit, kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Për më tepër, reagimi juaj dhe i institucionit përgjegjës për furnizimin me ujë të pijshëm, i cili drejtohet nga bashkëpunëtorët e koalicionit tuaj, erdhi me plot 3 ditë vonesë. 3 ditë gjatë të cilave qytetarët, të shqetësuar dhe pa informacion të qartë, vërshuan marketet për t’u furnizuar me një nga nevojat më elementare për jetesë: UJIN dhe, edhe kur në fund të muajit në çezmë nuk ka ujë, fatura arrin në çdo shtëpi. Qytetarët detyrohen të paguajnë për një shërbim që nuk e kanë marrë. Kjo është e padrejtë. Komuna dhe ndërmarrja publike duhet të sqarojnë si llogaritet pagesa në rastet kur furnizimi ndërpritet ose mungon, dhe çfarë kompensimi u takon qytetarëve.
Gjatë muajit shkurt të këtij viti, struganët kaluan rreth 20 ditë pa ujë të pijshëm. Edhe gjatë verës, në shumë shtëpi shtypja e ujit është tepër e ulët, ndërsa nëpër ndërtesat nuk ka fare uj. Kjo është përditshmëria e qytetarëve që ju ofroni.
Prandaj, para se të flisni për propagandë politike dhe panik, përgjigjuni qytetarëve pse iu deshën 3 ditë institucioneve përgjegjëse për të informuar drejt dhe me kohë. Kërkesa për transparencë dhe përgjegjësi nuk është propagandë, por detyrim ndaj qytetarëve!
Përgjegjësia është sot në duart tuaja. Veproni dhe jepni llogari.
20.11.2026
Bashkimi demokratik për integrim- Dega Strugë














