Siguria është në nivel të lartë që nga orët e hershme të mëngjesit. Liderët e vendeve anëtare të Aleancës së NATO-s arritën në Londër.
Në Londër qëndron edhe delegacioni i Maqedonisë, kurse flamuri i vendit është ngritur në shtizën para godinës ku do të mbahet Samiti. Maqedonia e Veriut zyrtarisht ende nuk është anëtare e Aleancës, por megjithatë u ul në karrigen e 30-të dhe filloi të marrë pjesë në takime. Mbetet që vetëm edhe Spanja ta ratifikojë Protokollin, që vendi të bëhet pjesë e lidhjes ushtarako-politike.
Samiti do të mbahet nesër, por takime bilaterale dhe konferenca të ndryshme nën titullin “NATO-ja angazhohet” po organizohen gjatë gjithë ditës. Pjesë e këtyre ngjarjeve ishte edhe kryeministri Zoran Zaev.
dhuro
“Të gjithë që janë këtu, duhet të kujtojnë se Ballkani në të kaluarën ishte përplot me konflikte, luftëra, luftëra etnike, dëme të mëdha për tërë rajonit, por edhe për gjithë kontinentin evropian. Tani, pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, ne jemi anëtarja e ardhshme e Aleancës dhe kjo do të thotë stabilitet dhe siguri e madhe”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Kryeministri sot dhe nesër do ta udhëheqë delegacionin qeveritar në Samitin e Londrës, ku do të shënohet 70-vjetori i ekzistimit të Aleancës. Pjesë e delegacionit qeveritar, janë zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Pjesa qendrore e këtij programi është takimi i Këshillit Veritatlantik i krerëve të shteteve dhe qeverive që do të mbahet nesër në ditën e dytë të Samitit, në të cilin do të marrë pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev, me çka Maqedonia e Veriut do të përfaqësohet në nivelin më të lartë në punën e trupave të Aleancës.