Kërcënohet me jetë Nevzat Bejta
Kërcënohet me jetë Nevzat Bejta
Publikuar 16:55 28 Tetor, 2019
Nënkryetari i BDI-së ka pranuar kërcënime me jetë përmes telefonit.
Ish – Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta ka denoncuar në policinë e Gostivarit se një person tjetër e ka kërcënuar me jetë, mëson in7.
Ngjarja ka ndodhur në periudhën kur në degën e BDI-së në Gostivar ishte aktuale tema e zgjedhjes së kryetarit të ri.
Kërcënuesi i Bejtës është I. Jakupi, që është në lidhje familjare me Nexhati Jakupin, ish – ministër dhe njëri nga kandidatët për kryetar dege në Gostivar.
Garën në Kuvendin e BDI-së në Gostivar e fitoi me shumicë votash, Bashkim Hasani, ndërsa deri vonë flitej se edhe Bejta mund të jetë kandidat.
Nuk dihet nëse kërcënimi ndaj Bejtës ka ardhur si pasojë e debateve për të parin e degës, por jozyrtarisht in7 mëson se pikërisht kjo ka qënë arsyeja e kërcënimit.
Për këtë rast, in7 ka dërguar zyrtarisht pyetje në organet përkatëse pranë MPB-së.
“Në Stacionin e Policisë në Gostivar, N.B ka denoncuar se ka marrë kërcënime përmes telefonit nga I.J. Po punohet për zbardhjen e rastit” – thonë për in7 nga Ministria për Punë të Brendshme.
Nevzat Bejta njihet si një nga figurat kyçe të BDI-së dhe deri tani ka ushtruar një sërë pozitash të larta shtetërore, si kryetar komune, ministër e deputet.