Këtë vit shkollat e mesme profesionale po fitojnë terren përkundrejt gjimnazeve, sa i takon interesimit të nxënësve për t’u regjistruar.
Madje në Shkollën e Mesme Profesionale “Marija Kiri-Sklodovska” ku ka shumë drejtime me perspektivë, për herë të parë ndodhë që numri i nxënësve që kanë aplikuar për t’u regjistruar të jetë tre herë më i lartë se ai i viteve të kaluara. Drejtori i kësaj shkolle, Blerim Nebiu, thotë se nga 272 nxënës, në afatin e parë kanë aplikuar 210.
“Ndjekja e mësimeve në këto shkolla ka shumë avantazhe, sepse krijohet një kuadër që në tregun e punës mungon”, thotë Vullnet Iseni– ndihmës drejtor në shkollën e mesme profesionale “8 Shtatori”.
Siç thotë Xhevdet Shabani profesor në shkollën “Vllado Tasevski”, avantazh tjetër i këtyre drejtimeve është se nxënësit kanë mundësinë që paralelisht me teorinë të realizojnë edhe praktikë.
Nga 35 690 vendet e parashikuara në konkursin e MASH, prej tyre 24 581 do të jenë me mësim në gjuhën maqedonase, ndërsa 10 123 me mësim në gjuhën shqipe. Sot ishte dita e fundit e regjistrimit për afatin e parë ndërsa rezultatet nga i njëjti do të publikohen me datë 19 qershor. Afati i dytë është më 24 dhe 25 qershor, ndërsa rezultatet publikohen më datë 26 qershor. Afati I tretë është më datë 1 korrik, ndërsa rezultatet do të publikohen më datë 2 të të njëjtit muaj.