Studim për Evropën e jugut nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiffrung
Një brez gjakon më shumë BE
Ato janë rritur në Bullgari, Kroaci apo në Kosovë në këto demokraci të ndryshme po që funksionojnë keq. Të rinjtë e Evropës së jugut i bashkon entuziazmi për BE-në.
Ato duan më shumë siguri, më shumë mirëqenie, më shumë punë dhe përfundimisht më pak korrupsion. Shumica e tyre një udhëheqje autoritare e konsideron si një ide e mirë. Rinia e Ballkanit është shumë entuziaste ndërkaq për Bashkimin Evropian, para se gjithash sepse anëtarësimi në BE premton prosperitet ekonomik. Në të kundërt shumica e tyre janë të zhgënjyer nga qeveritë e tyre.
Në vija të trasha këto janë opinionet e një shumice e të rejave e të rinjve evropianë jugorë të moshës ndërmjet 14 dhe 29 vjeç. Për herë të parë në këtë formë kjo është provuar përmes rezultateve të një studimi përkatës realizuar nga fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) e afërt me SPD ku janë pyetur 10.000 të rinj nga 10 shtete të Evropës së jugut.
Studimi i FES për të rinjtë evropianë jugorë bën fjalë për një projekt kërkimor ndërkombëtar analog me studimin rinor të Shell-it. Për këtë studim janë përzgjedhur katër shtete anëtare të BE-së si dhe gjashtë shtete të Ballkanit perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Sllovenia.
Të dhënat janë mbledhur përmes një pyetësori standard ku është pyetur për dëshirat, vlerat dhe përvojat në sfera të ndryshme të jetës. Rezultatet e dala nga vlerësimet e dhjetë studimeve individuale dhe një studimi mbirajonal do të prezantohen për publikun sot, të martën në Bruksel.
Çfarë e motivon rininë e juglindjes së kontinentit? Dhe çfarë ka ndryshuar në vitet e shkuar? Për herë të parë autorët e raportit aktual kanë mundur t’i referohen edhe të dhënave nga studimet e mëparshme rajonale të FES-it. Ndër të tjera, një studim i Evropës juglindore i vitit 2015 pat treguar se shumë të reja e të rinj të Evropës juglindore duan që me patjetër të braktisin vendin e tyre.
Megjithëse në rënie, ikja e trurit vazhdon ende. Para se gjithash rina e e shteteve anëtare të BE-së si Rumania, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia shfaqin veçse një interes të ulët për një emigrim të përhershëm. Ndryshe është me të rinjtë e shteteve të Ballkanit perëndimor, shoqëritë e të cilëve karakterizohen nga mungesa e perspektivës. Në këto shtete janë të shumtë ata që mund të përfytyrojnë migrimin. Gjermania qëndron në majë të listës së dëshirave. Përmenden shpesh edhe SHBA, Britania e Madhe, Zvicra dhe Italia.
Për autoret e autorët e studimit kjo nuk paraqet një e papritur, ngase rinia atje ballafaqohen më së shumti me kushte të pafavorshme jetese, mbështetje të pamjaftueshme shtetërore dhe me një sistem arsimor të padepërtueshëm. Të gjithë këto janë komponente „të një krize fondamentale të qeverisjes demokratike në Evropën jugore“. Papunësia e rinisë në vitin 2016 sillej rreth 15,2 për qind (Slloveni) dhe 54,3 për qind (Bosnja dhe Hercegovina). Edhe sikur të ulen kuotat, për pjesën më të madhe të rinisë e sidomos të asaj të shteteve jo-anëtare të BE-së mundësitë për punë ngelin tutje dëshpëruese.
Ky është sfondi ku mund të klasifikohen pikëpamjet politike që vijnë në shprehje nga rinia e evropianëve jugorë. Të pyetur për frikërat e tyre, 49 për qind e tyre thanë se kanë frikë nga korrupsioni. Në përgjithësi, ndjeshëm më shumë frikë u ndjellin të rinjve problemet e natyrës ekzistenciale si papunësia, skamja, pasiguria e vendit të punës sesa temat e ndryshimeve klimatike apo fluksi i refugjatëve.
Për t’u befasuar është qartësia e rezultateve përkitazi me Bashkimin Evropian. „Kryekëput proevropianë“ shprehen të rinjtë; BE-ja thuajse idealizohet për një pjesë, thuhet në studim. Në këtë mes, qartazi parapëlqehet shteti social, i ashtuquajturi Modeli Nordik. Në të gjithë rajonin rinia për më tepër ka shumë më tepër besim në BE-në sesa në qeveritë kombëtare. S’është për t’u çuditur që me BE-në lidhen shpresat e mëdha e sidomos ato ekonomike.
Pyetjes „A duhet që vendi juaj (…) të qëndrojë, gjegjësisht të aderojë në Bashkimin Evropian?“ 95 për qind e të gjithë të rinjve shqiptare e shqiptarë i janë përgjigjur me Po. Në Bullgari këtë e miratojnë 91 për qind, në Kosovë 89, në Kroaci 87, në Rumani janë 85 për qind. Madje vlerat e larta e miratimit janë rritur qysh nga viti 2011. Vetëm në Serbi, e cila tashmë ështu duke i zhvilluar bisedimet për anëtarësim, duket se e gjithë kjo eufori është fashitur: vetëm 56 për qind e rinisë atje janë dakord me anëtarësimin në BE.
Po ashtu interesant: Megjithëse ato e kritikojnë korrupsionin në vendin e tyre, shumë të rinj (sidomos në Mal të Zi, Shqipëri, Rumani, Bosnjë dhe Hercegovinë) janë më pak tolerant kundrejt homoseksualitetit apo abortit sesa kundrejt korruptimit, nepotizmit dhe evazionit fiskal. Në dhjetë vitet e fundit është bërë më i pranueshëm fenomeni i „praktikave informale ekonomike“. Shkaqet për këtë shkencëtaret dhe shkencëtarët i shohin tek situata e përgjithshme ekonomike. Veçanërisht rinia e shteteve të Ballkanit perëndimor ndajnë mendimin se praktikat korruptive janë përgjithësisht të zakonshme – andaj s’u ngelet tjetër përveçse të përshtaten.
Gjakimi për shtet të fuqishëm social
Të rinjtë duan në fakt kushte më të mira e më të drejta. Sipas pikëpamjes së të pyeturve qeveritë kombëtare duhet të përqendrohen në këto tema të rëndësishme: zvogëlimi i papunësisë, rritja ekonomike, të drejtat e njeriut dhe sigurimet sociale. Ideja e një shteti të fuqishëm social përkrahet nga një shumicë dërrmuese. 86 për qind vlerësojnë se „Qeveritë duhet të marrin përsipër më tepër përgjegjësi, për plotësimin e të gjithë nevojave“. 77 për qind shprehen se janë për „Barazim më të madh të të ardhurave mes të pasurve dhe të varfërve“. Autorët e studimit shohin në këtë mes një prirje të qartë „në drejtim të socializmit demokratik“. Kjo formë shtetërore favorizohnet anembanë nga shumë vajza e djem të rinj; në shkecë bëhet fjalë për millennial socialism.
Zbatimin e reformave të rinjtë evropianë jugorë më parë ia besojnë një personaliteti të fortë udhëheqës. Ndonëse 63 për qind vlerësojnë se demokracia „në përgjithësi është një formë e mirë qeverisjeje“, 60 për qind miratojnë ndërkaq pohimin „Ne na duhet një lidership që e qeveris vendin me dorë të fortë në të mirë të publikut të gjerë“. Nga njëra anë këto rezultate ngjasojnë me studimet rinore në vendet e tjera të Evropës dhe në SHBA, ndërsa në anën tjetër, sipas shkencëtareve dhe shkencëtarëve, besohet se me këtë të rinjtë kanë parasysh „politikanë karizmatik, socialist-demokratë të nivelit të lartë“ si puna e Aleksis Cipras apo Bernie Sanders .
Mos vallë në këtë gjakim për një „dorë të fortë“ (në origjinalin anglisht: “A leader who rules the country with a strong hand for the public good”) mund të shquajmë një prirje në rritje për autoritarizëm? Autoret dhe autorët janë të bindur për këtë edhe pse pyetja krahasuese në kërkimet e realizuara në 2008 dhe 2017 qe formuluar ndryshe. Atëbotë të rinjtë duhej të shpreheshin se ç’mendin kanë për „një lidership të fortë që s’e vret mendjen fare as për parlament as për votime“. Shkencëtarët shohin megjithatë paralele të mjaftueshme: ndonëse „instrumenti i aplikuar“ nuk përputhet plotësisht, mund të konkludojmë „se përgjatë dhjetë viteve të fundit kemi të bëjmë me tendencën e një autoritarizmi në rritje të shpejtë.“
Parë privatisht, të rinjtë e Evropës juglindore janë çuditërisht të kënaqur, madje shikojnë me optimizëm për nga e ardhmja – pjesërisht “për arsye se shpresojnë të anëtarësohen në BE”. Në përgjithësi shkencëtarët gjetën një brez që ka pritshmëri të larta në politikë, mirëpo që vet që nuk do të angazhohet. Vërtet që shumica e të rinjve dalin për të votuar, por numri i atyre që me gojën e tyre pohojnë se nuk kanë “asfare interes” për politikën kombëtare, në shumicën e shteteve është megjithatë mbi 50 për qind. Shkencëtarët konstatojnë gjithashtu se për të rinjtë në vijë të parë qëndrojnë “vlerat individuale, familjare dhe konsumatore”. Këto nuk janë lajme të mira për një demokraci edhe ashtu të brishtë në rajon.
Por megjithatë autoret dhe autorët e studimit priren të këqyrin një potencial për zhvillim pozitiv. Perspektiva më të mira për punë, sundimi më i mirë i ligjit dhe frenimi i korrupsionit mund të ndihmonin „për të dobësuar prirjen për autoritarizëm politik“. Dëshira e madhe për një shtet të fuqishëm social dhe për anëtarësim në BE mund të rroket e të shfrytëzohet po ashtu pozitivisht nga politika evropiane sidomos në këndvështrimin e „procesit së Evropianizimit“.
Linku i studimit:
https://www.fes.de/jugendstudien-suedosteuropa/
Përcjell Struga Ekspres