Në vigjilje të referendumit të nesërm, sot votojnë personat e sëmurë të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak, si dhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit të cilët janë paraqitur për deklarim.
Në 69 prej 80 komunave të paraqitur për votim janë 1.859 të sëmurë dhe persona me probleme shëndetësore. Anëtarë të bordeve zgjedhore do t’i vizitojnë shtëpitë e tyre ku të sëmurët dhe personat me probleme shëndetësore do ta realizojnë të drejtën e votës.
Më shumë të sëmurë për votim janë paraqitur në Demir Hisar – 145, në Prilep – 143, në Strumicë – 107 dhe në Kriva Pallankë – 100.
Votimi jashtë vendit do të realizohet në 33 përfaqësi konsullore-diplomatike dhe zyra konsullore të Republikës së Maqedonisë, ndërsa të paraqitur për votim janë gjithsej 2.694 shtetas të Maqedonisë.
Do të votohet në PKD-të në Bern, Venecia, Lubjanë, Vjenë, Toronto, Londër, Bon, Hagë, Berlin, Melburn, Kanberrë, Bruksel, Stokholm, Paris, Romë, Kopenhagë, Uashington, Detroit, Pragë, Abu Dabi, Beograd, Podgoricë, Ankara, Athinë, Bukuresht, Stamboll dhe Budapest.
Më së shumti të paraqitur për votim ka në Bern 321, Venecia 264, Lubjanë 217 dhe në Vjenë dhe Toronto ku deklarim do të ketë për 151 shtetas të Maqedonisë. Më së paku, vetëm 10 janë paraqitur për votim në Budapest, 13 në Stamboll, 14 në Bukuresht dhe 15 në Athinë.
Nëse dikush nga qytetarët e paraqitur për votim në PKD-të për referendumin ka udhëtuar në Maqedoni, nuk do të mund ta realizojë atë të drejtë në vend sepse emri i tij do të jetë në certifikatat e veçanta të Listës Zgjedhore të dedikuara për diasporën. Votimi në diasporë fillon në orën 7 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19 sipas kohës lokale.
Në Institucionet ndëshkuese-përmirësuese në vend duhet të votojnë 1.558 të burgosur dhe persona të cilët janë në paraburgim.
Sot duhet të votojnë edhe shtatë persona të zhvendosur brenda vendit.
Të mërkurën, votuan anëtarë dhe zëvendës anëtarë të bordeve zgjedhore të cilët udhëtuan në përfaqësitë konsullore -diplomatike të vendit në vende të huaja.
Të drejtë vote në deklarimin plebishitar nesër kanë 1.806.336 votues, të regjistruar në Lisën Zgjedhore. Sipas vendimit të sjellë nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, pyetja për referendumin është: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, me pranimin e marrëveshjes së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”. Votuesit do të duhet të rrethojnë “pro” ose “kundër” me stilograf me ngjyrë të kaltër.