Policia amerikane ka arrestuar një person të dytë të dyshuar për vrasjen e Grei Frashërit në New York. Sipas mediave vendase, ai është një 46-vjeçar i quajtur Eric Cruz, i cili akuzohet për vrasje të shkallës së dytë dhe armëmbajtje pa leje.
46-vjeçari u vetëdorëzua në polici, i shoqëruar edhe nga avokati i tij, pasi ishte në dijeni se autoritetet po e kërkonin. Eric Cruz rezulton të jetë personi që ka qëlluar me thikë në qafë shqiptarin Grei Frashëri, duke i shkaktuar atij vdekjen.
Cruz është person me precedent penal. Për herë të fundit ai është arrestuar në vitin 2008 për çështje droge. Më parë ka qenë i arrestuar në vitin 2006 për të njëjtën akuzë, në vitin 1998 për vjedhje dhe në vitet 1992 e 1986 për sulme dhe keqtrajtime. Një javë më parë, autoritetet amerikane arrestuan të dyshuarin e parë, Anthony Valentini 35 vjeç.
Ky i fundit qëlloi me armë në drejtim të 23-vjeçarit Frashëri, por plumbat nuk e prekën. Ajo që i shkaktoi vdekjen të riut nga Shqipëria, ka qenë goditja me thikë nga Eric Cruz. Hetuesit dyshojnë se Grei Frashëri u vra pas një debati me dy të dyshuarit për çështje që lidhen me marijuanën.
Një burim i tha policisë se shqiptari kishte filluar të punonte për një tregtar droge, që është rival me personin për të cilin punonte fillimisht. Hetimet janë ende në zhvillim për të zbardhur shkaqet e plota të kësaj ngjarje të rëndë, si dhe për të arrestuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me vrasjen.
23-vjeçari shqiptar mbeti i vdekur në rrugën 93 ST Bay Ridge të Brooklyn në New York, më 7 Shtator.
Ndihma e parë iu dha nga një agjent i shërbimit sekret amerikan, i cili ndodhej pranë vendngjarjes, por nuk mundi të mbijetonte për shkak të gjakëderdhjes. Grei Frashëri jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej moshës 3-vjeçare dhe punonte në një kompani që instalonte kamera.