Njëri ndër pjesëtarët e sigurimit të ministrit Oliver Spasovski i cili në një moment shtiu me armë në shenjë paralajmërimi gjatë dhunës së përgjakshme në Kuvend, nuk i përmbajti lotët në sallën e gjykatës. Aco Angellovski dëshmoi thuajse tre orë, në pyetjet e drejtpërdrejta të Prokurorisë dhe në pyetjet e mbrojtjes dhe të një pjese të të akuzuarve. Angellovski sqaroi se vetëm një pjesë e policëve i kanë mbrojtur deputetët, derisa të tjerët që i njeh personalisht, kanë qenë pasiv dhe kanë shikuar prej anash. Përshtypja e tij ka qenë se shumica e sulmeve ka ardhur prej personave me maska. Angellovski tha se ka qenë i detyruar të shtijë nga revolja zyrtare, pasi që ka parë se si të tubuarit bëjnë nyje nga kabllot dhe më pas është dëgjuar urdhri – vritini!
Turma përnjëherë u nis drejt nesh. Nxora legjitimacion dhe përsërita disa herë -zmbrapsuni. Më pas e nxora revolen dhe shtiva një plumb për paralajmërim. E bëra këtë me bindje personale, pa urdhër dhe kisha kujdes që të mos ketë dëm nga rikosheja e plumbit – tha Aco Angellovski, dëshmitar.
Sipas Angellvskit, turma pastaj përsëri i ka sulmuar ndërsa kolegu i tij është përpjekur t’ia merrte armën. Në sallën e gjyqit tha se i ka shpëtuar deputeti Vllatko Gjorçev, i cili ka mbërritur në sallën e shtypit dhe i ka mbrojtur deputetët deri në arritjen e forcave speciale të policisë. Pas transferimit në disa hapësira, është tërhequr me makinë të ambulancës, së bashku me deputeten Radmilla Sheqerinska, e cila është maskuar si infermiere. Ambulanca është sulmuar para Kuvendit dhe shoferi nga frika ka ikur, por timonin e ka marrë shoferi i ish-ministrit Nikolla Todorov dhe i ka dërguar në spital. Angellovski e njohu të akuzuarin Munir Pepiç si një nga personat që kanë ndihmuar në evakuimin e tij. Pas dëshmisë së Angellovskit, deklaratë dha edhe prokurorja Ruskoska. Ajo tha se rasti për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit është ende në procedurë para-hetimore. Ajo është pyetur dhe nëse mendon se Nikolla Gruevski duhet të jetë dëshmitar, për shkak se një gjë të tillë kanë kërkuar disa prej të pandehurve.
Nëse unë mendoj se duhet të thirret, do ta thërrisja. Unë nuk mendoj kështu, sepse realisht as që ka qenë në shtet atë ditë, kështu që absolutisht nuk mendoja se duhet të thirret nga prokuroria, ndërsa në cilat rrethana do ta shqyrtojë mbrojtja do të shohim – u shpreh Vilma Ruskoska, prokurore.
Gjykimi filloi me fjalën e gjykatëses Kacarska, e cili ditëve të fundit është kritikuar për seanca të gjata. Me pak fjalë, ajo tha se gjykimet e ngadalshme janë ato që më shpesh kritikohen nga Strasburgu.
Alsat-M