Shumica e votuesve në referendumin e ardhshëm do të votojnë “Për”, tregojnë rezultatet e anketës së realizuar nga MCMS. Në pyetjen “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, duke pranuar Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë”, pozitivisht do të përgjigjeshin 41,5 për qind e të anketuarëve, kundër janë 35,1 për qind, nuk do të votojnë 12,4 për qind, nuk e dinë 9,2 për qind dhe 1,9 për qind kanë refuzuar të përgjigjen, transmeton Gazeta Lajm.
Sipas këtij hulumtimi të publikuar nga Telma, 66,4 për qind e të anketuarve kanë thënë se do të votojnë, kurse vetëm 19,8 për qind do t’i bashkëngjiten iniciativës për bojkot. Anketa tregon se 11,9 për qind e qytetarëve ende nuk kanë vendosur, kurse 1,9 për qind nuk janë përgjigjur fare.
Analiza në bazë etnike tregon përkrahje të bindshme te shqiptarët dhe përkrahje shumë më të ulët te maqedonasit. Te shqiptarët 88 për qind janë për, kurse vetëm 2.2 për qind kundër. Te maqedonasit vetëm 45,2 për qind janë kundër, kurse vetëm 27,4 për qind për.