Sonte në orën 21.00 hapen dyert e festivalit artistik ndërkombëtar “K’tu Fest”. Me të ftuar personalitetet më të mëdha të Rajonit.
Ky festival është i vetmi i llojit të tij në të gjithë Maqedoninë që i jep një theks të veçantë artit shqiptar në veçanti. Këtë vit është edhe vit jubilar për këtë festival sepse është viti i tij i 5 i organizimit. Emra të rëndësishëm si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Enver Petrovci, Yllka Mujo, Ema Andrea, Marin Orhanasi, Luftar Paja, Bujar Asqeriu, Romir Zalla,Flora Nikolla e shumë personalitete të tjerë janë ata që do të shkelin në tapetin buzë Drinit të Zi. Ky event i organizuar dhe themeluar nga Teatri Poshka mbështetet këtë vit nga Bashkimi Europian, Ministria e Kulturës së Maqedonisë, kompania e ndërtimit Trim&Lum, agjencia e fluturimeve Flamurtari, nga firma e shtrimit të rrugëve Beni Trans, nga hotel Ekskluziv dhe ING Luli.
Presidenti i festivalit Robert Ndrenika, vlerëson se ky festival është një manifestim që i bën nder të gjithë artit shqiptar dhe atij ndërkombëtar,duke e shëndruar Strugën në shtëpinë më të madhe të artistëve gjatë ditëve të tij.
Nën moton Çdo Rrugë të Çon në Strugë ai që do të bëjë hapjen zyrtare të këtij viti jubilar të këtij festivali do të jetë Profesor doktor, doktor honoris causa, drejtor i klinikës së kardiokirurgjisë i spitalit të qytetit të Cyrihut, Triemli, doktor Omer Xhemali i cili është një nga personalitetet e mjekësisë zvicerane dhe europiane.
I urojmë suksese festivalit “K’tu Fest” dhe le të fillojë festa e artit!
(Struga Ekspres)