Wednesday, November 27, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniBETEJAT E SKENDERBEUT NË KUFIRIN LINDOR OHËR – SHKUP

BETEJAT E SKENDERBEUT NË KUFIRIN LINDOR OHËR – SHKUP

Prof. Dr. Nebi Dervishi

BETEJAT E SKENDERBEUT NË KUFIRIN LINDOR OHËR – SHKUP

(“MOMENTE TË BALLAFAQIMIT SHQIPTARO-OSMAN NË
SHEK.XV NË BREZIN LINDOR OHËR-SHKUP”)

Ka ngjarje në jetën e popujve, të cilat për nga detyrat që shtrojnë për zgjidhje, për nga përmasat dhe forca e qëndresës popullore, mbeten përgjithmon në histori, si udhërrëfyese për kohën e vet dhe për të ardhmen. Një ngjarje e tillë në jetën e popullit shqiptar, është edhe lufta e madhe shqiptaro-osmane e shekullit XV nën udhëheqjen e Kryetrimit Legjendar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Historiografia shqiptare deri më tani nuk e ka trajtuar sa duhet çështjen e historisë mesjetare në trevat të cilat janë jashtë kufirit shtetëror që Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913 i la jashtë.
Dhe ka të drejtë Prof. Aleks Buda kur deklaron: “… Jam i mendimit se për peshën e këtyre trevave do të duhej një shqyrtim i ri, i gjithanshëm dhe i peshuar i tërë materialit burimor, por edhe i atij që ka dalur këtu në dritën e plotë e të drejtë jo vetëm Skenderbeu dhe epoka e tij, e cila është një nga periudhat më të lavdishme të historisë sonë”.
Pas fitoreve të para të Skenderbeut në vitet 1443-1444, filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet e ushtrive osmane, të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha në portat e trojeve shqiptare: në Alhri, Kostur, Manastir e Shkup, me forca gjithnjë e më të mëdha, me ekspedita të organizuara vit për viti, me një rregullsi të planifikuar, sidomos në kohën e korrjeve e mbjelljeve, me qëllim imediat për të shterur forcat njerëzore dhe mundësit ekonomike të vendit.
Siç është e njohur botërisht nga 24 betejat e zhvilluara në luftën e madhe shqiptaro-osmane në shek. XV, 19 nga ato janë zhvilluar jashtë kufirit aktual shtetëror, pra, në trevat më lindore shqiptare.
Gjatë kthimit nga Beteja e Nishit (3 nëntor 1443), Skenderbeu arriti në Fush-Dardani, vijoi rrugën Prishtinë-Prizren, që ishte e lirë nga osmanët dhe zbriti në rajonin e Dibrës. Kjo krahinë ishte pjesa më e pasur dhe më e begat dhe më e populluar e zotrimeve të Kastriotëve.
Në fillim Skenderbeu hartoi për ringritjen e shtetit të Kastriotëve që siç është shprehur në fillim të vitit 1445 formohej nga dy pjesë të mëdha e Dibrës dhe e Matit, të cilat i ndante lumi Drin.
Dibra, sipas konceptit të kohës për shqiptarët, e shprehur sidomos te Marin Barleci dhe Gjon Muzaka shtrihej në lindje deri në masivin malor të Mokrës (malet e Jakupicës), kurse Mati deri në Adriatik.
Krahina e Dibrës përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme dhe Dibra e Sipërme. Dibra e Poshtme ishte zonë fushore dhe shtrihej përgjatë rrjedhës së sipërme të Vardarit dhe arrinte në lindje deri te ngushtica e Dervenit në afërsi të Shkupit.
Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra e Epërme, që ishte kryesisht një rajon malor me shtrirje të gjërë. Këtu, në pjesën verilindore të Dibrës së Epërme, në veri të Krushevës e në segmentin rrugor Përlepe-Kërçovë, ishte qyteti mesjetar Debërshte, emër qe vazhdon të mbaj edhe sot. Kurse në veri të Liqenit të Ohrit ishte qyteti mesjetar dhe Nahia e Dibrës, emër që e mban edhe sot krahina e luginës së lumit Sateskë, që shtrihet në verilindje të Strugës. Gjon Muzaka, Martin Yegon e disa të tjerë kanë shkruar se qyteti i Ohrit binte në Dibër. Këto pak fakte dëshmojnë për shtrirjen e gjërë të rajonit të Dibrës së Epërme gjatë shek.XV dhe në mesjetë në përgjithsi.
Gjatë kthimit për në Athinë, Skenderbeu u ndal në Dibër, ku pa humbur kohë mblodhi menjëherë krerët e vendit dhe e tregoi planin e veprimit. Shumicën e bashkëluftëtarëve i nisi që të fshihen në rrethinat e Krujës, kurse vet u paraqit autoriteteve osmane në Krujë, si person i emëruar “subash” i saj nga Sulltani.
Pasi mori në dorzim Krujën, Skenderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj dhe bashkpunimi me krutanët shpartalloi garnizonin osman. Të nesërmen, më 28 nëntor 1443, mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i Kastriotëve. Pas Krujës luftëtarët e Skenderbeut çliruan kështjellat: e Petrelës, Gurit të Bardhë në Mat dhe Stelushin, të cilat kontrollonin rrugët tregtare në anët lindore. Luftëtarët e Skenderbeut ndërkohë kaluan në Dibrën e Sipërme dhe në bashkpunim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe shumë kështjella të tjera në këtë rajon, të cilat kishin pozicion shumë strategjik për kontrollimin e rrugës tregtare që shpinte drejt lindjes dhe që ishte vazhdim i rrugëve Via Egnatia.
Në jug të Kastriotëve ishin zotrimet e katër familjeve të rëndësishme: të Arianitëve, Topijave, Mazakajve dhe Gropajve që ishin zona kufitare me viset e pushtuara nga osmanët. Për këtë arsye mbi këto territore edhe do të binte barra kryesore e luftës kundër pushtuesve osmanë. Pronat e këtyre familjeve në jug arrinin deri te lumenjtë Seman e Devoll, kurse në lindje deri në afërsi të Manastirit.
Heroi i ynë Kombëtar Gj. K.- Skenderbeu gjatë një çerek shekulli (1443-1468) nga 24 beteja, shumicën e të cilave me hordhit osmane i zhvilloi pikërisht në këto rajone, disa prej të cilave do ti trajtojmë në veçanti.
Çlirimi i viseve të gjëra në Shqipërinë e Mesme e të Epërme në vitin 1443 shënonte një ngjarje të rëndësishme në luftën e gjatë e të ashpër që shqiptarët kishin zhvilluar deri në atë kohë kundër Perandorisë Osmane. Çlirimi i krijoi mundësinë një pjese të rëndësishme të shqiptarëve të jetonin në liri kurse në vitet që vijuan, forcuan përgjithësisht te shqiptarët tiparet e luftëtarëve të lirisë si dhe vetëdijen e tyre kombëtare. Çlirimi i rajoneve të gjëra në Shqipërinë qendrore e të sipërme që formonin një nga zonat më strategjike të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkimi politik dhe ushtarak i fisnikëve shqiptar (2 Mars 1444) në Kuvendin e Lezhës, përbënin një ngjarje shumë të rëndësishme e cila i kalonte kufijtë kombëtar. Zhvillimet politike në Shqipëri tërhoqën vëmendjen e qarqeve drejtuese të vendeve europiane dhe njëherit shkaktuan shqetësimin në oborrin perandorak në Edrene.
1. Beteja e Torviolit : “…Për të rivendosur sa më shpejt pushtetin osman në tokat shqiptare, – tregon Barleci, që është burimi kryesor për njohjen e këtyre ngjarjeve – Sulltan Murati II ngarkoi Ali Pashën një nga komandantët e tij më të shquar“. Ky duhet të ketë qenë Ali Beu i mëparshëm, subash i Shkupit. Në krye të disa mijra ushtarëve, në qershor të 1444 ai iu drejtua rajonit më të pasur të çliruar nga Skenderbeu, që ndodhej më afër Shkupit, pra, në Dibrën e Poshtme. Beteja u zhvillua në verë të 1444 në një fushë të Dibrës së Poshtme të palokalizuar ende, që konvencialisht është emëruar me emrin Beteja e Torviolit.
Xh.Biemi ( shekulli XVIII ) si datë përmend 29 qershor 1444. Duke marrë për bazë përshkrimin e terrenit ku është zhvilluar beteja që na jep Barleci, si dhe pozitën strategjike që ka terreni pranë rrugës Egnatia, ku edhe sot vërehen varreza të shumta e të vjetra, pranë vendit të quajtur “ Zabeli i Begut “ – ( 8 km në veri të Strugës ) , rezervojmë idenë se kjo Betejë ( e Torviolit ) duhet kërkuar në trekëndëshin e fshatrave Dobovjan-Tatesh-Dollogozhdë, rreth 8-9 km në veri të Strugës. E goditur nga të gjithë anët, së fundi edhe nga forcat e freskëta të komanduar nga Kont Urani, ushtria osmane e coptuar pësoi humbje të rënda dhe u shpartallua plotësisht. Shqiptarët në këtë betejë luftuan heroikisht dhe arritën një fitore të shkëlqyer. “Në atë betejë – shkruan Barleci, – “Luanët komanduan luanët”.
Fitorja e Torviolit pati jehonë të thellë në Shqipëri si dhe në vendet tjera. Ajo përforcoi besimin e shqiptarëve te Skenderbeu dhe ushtria e Besëlidhjes si dhe te lufta e drejtë e tyre për mbrojtjen e lirisë.
2-3. Në vjeshtën e vitit 1445 shqiptarët pritën në brezin kufitar lindor, dy ushtri osmane : njëra në luginën e ngushtë të Mokrës dhe tjetra në atë të Dibrës. Barleci, ndër të tjera thotë : “ Skenderbeu zuri menjëherë i pari dhe e mbushi me ushtarë të armatosur një luginë të ngushtë , që e quajnë lugina e Mokries, dhe që ishte e vetmja rrugë për barbarin…Tanët po prisnin me një heshtje të pandërprerë gjersa panë se barbari po hynte në luginë plot gëzim se kaloria ishte rrethuar nga katër anët prej qafash plot dushk e malesh dhe prej shkëmbinjsh thik…”.
Ndërkaq F.Noli për këtë betejë thotë : – “ …Këtë herë ushtria turke nuk erdhi nga Kosova në Dibër të Poshtëm , por nga liqeni i Alhrisë, në fushën e Mokrës afër Dibrës së Sipërme ” . Duke pasur parasysh se edhe Mokra e anës së Rekës edhe e anës së Debërcës kanë afërsisht terren identik, në këtët rast, – thotë studijuesi Aziz Ndreu – duke u bazuar te Barleci, mund të ngatërrohemi se për cilën Mokërr bëhet fjalë, e sidomos kur thotë se “ishte e vetmja rrugë kalimi për barbarinë “ . Por, përderisa vinte nga Alhria (Ohri), është e qartë se kemi të bëjmë me Mokrën e anës së Debarcës.
Beteja e Mokrës u zhvillua më 10 Tetor 1445. Ushtria osmane komandohej nga Feruz Pasha.
4. Beteja e dytë e Mokrës – Në mes ushtrisë së Skenderbeut dhe asaj osmane u zhvillua më 27 Shtator 1446. Noli flet edhe për këtë betejë: “Sulltani ngarkoi të merret me këtë punë komandantin Mustafa. Kastrioti megjithëse u lajmërua me vonesë , por këtu kishte arritur me 4.000 kalorës e 1.000 këmbësorë.
5. Beteja e tretë dhe e fundit zhvilluar në Mokër është ajo e vitit 1459. Për këtë betejë Noli thotë se ushtria armike drejtohej nga Sinan Pasha dhe Asan Beu dhe shton se Skenderbeu e priti ushtrinë në grykën e maleve të Mokrenës afër Ohrit.
6. Beteja e Oranikut : ushtria osmane e komanduar nga Mustafa Pasha u ndesh me ushtrinë shqiptare në vitin 1447. Forcat e Skenderbeut rreshtuar përballë saj, e thyen keqas në Oranik ose Orovnik të Dibrës së Sipërme, që shtrihet rreth 7 km në lindje të Strugës, me ç’rast zihet rob edhe komandanti i ushtrisë osmane.
Betejat për Svetigradin: Në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduar personalisht nga Sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte edhe i biri 21 vjeçar, sulltani i ardhshëm Memeti i II, iu afrua brezit kufitar të viseve lindore me qëllim që të depërtonin në thellësi të tokave të lira shqiptare, të rivendosnin në to pushtetin osman dhe ti jepnin fund njëherë e mirë qëndresës shqiptare.
Ushtria e Sulltan Muratit të II i përqëndroi operacionet e saj mbi kështjellën e Svetigradit, që ishte baza kufitare më e rëndësishme në pjesën ballore të kufirit lindor të viseve shqiptare të çliruara dhe e cila do të hapte rrugën për ripushtimin e Ohrit. Beteja për marrejn e Svetigradit 1448 është njëra nga betejat më të gjata të historisë së ushtrisë shqiptare të komanduara nga Skenderbeu kundër ushtrisë osmane. Ajo u zhvillua nga 14 Maj deri në fund të Korrikut 1448.
7. Beteja e parë për Svetigradin : Më 14 Maj pararoja e ushtrisë turke arriti dhe e rrethoi Svetigradin. Për të lehtësuar mbrojtjen e kalasë skenderbeu tërhoqi në Grykën e Rovikut dhe e shpartalloi ushtrinë osmane, natën e 22 Qershorit, doke hyrë madje thellë në kampin osman.
8. Beteja e dytë e Svetigradit: Në betejën e dyt pranë Svetigradit armiku pati 3.000 të vrarë e 4.000 të plagosur. Për këtë betejë Barleci nuk jep as vendin ku u zhvillua beteja por as edhe datën.
9. Beteja e tretë për Svetigradin : Beteja e tretë afër Svetigradit siç thotë Barleci, ishte ndeshja e ushtrisë shqiptare dhe asaj turke me 14.000 ushtarë, e komanduar nga Feruz Pasha.Noli për këtë betejë shënon: ”I trembur nga këto goditje të papritura, Sulltani dërgoi Feruz Pashën me 18.000 ushtarë për të ndaluar Skenderbeun që ti ketë duart e lira. Skenderbeu i doli përpara Feruz Pashës që ta qeronte nga mezi.Beteja ishte në të nisur kur Feruz Pasha doli në shesh dhe e provokoi Skenderbeun për duel. Më kot oficeret e tij përpiqeshin ta mbanin. Skenderbeu u lishua mbi të dhe gjersa të merrej vesht ç’ngjiste e shtriu përdhe. Ushtria Turke e ngrirë nga humbja e komandantit s’mundi t’u bënte ballë shqiptarëve për shumë kohë dhe mori arratinë, duke lënë 4000 të vrarë në fushëbetejë”.
Asnjëri nga autorët nuk japin vendin ku u zhvillua beteja, vetëm se thonë afër Svetigradit. Përveç këtyre 3 betejave, sipas Nolit janë edhe 2 beteja të tjera të zhvilluara gjatë rrethimit të Svetigradit nga forcat e komanduara personalisht nga Sulltan Murati II larg Svetigradit. Edhe këto beteja duhet të gjurmohen ne pellgun e Ohrit- Strugës.
Në rajonin e Ohrit – Strugës ka më shumë toponime që lidhen me luftërat e Skenderbeut. Të tilla janë kalat : e Vajtosit, e Modricës, e Marunishtit, e Trebenishtit, e Dollogozhdës, e Gabavës etj. mandej qytezat, kështjellat, vendqëndrimet e vendrojet, rrugët e kalimit, shtigjet, qafat malore, grykat dhe fushat. Disa nga Kalatë që gjinden në këtë zonë, janë edhe më të hershme , por një gjë është e sigurtë se këto kala e fortesa janë meremetuar dhe natyrisht u përdorën prej tij. Këto mund të kenë qenë kështjella që kanë shërbyer për garnizonet e vogla si pika për vrojtime si dhe për sigurimin e rrugëkalimeve të karavanëve tregtare dhe formacioneve ushtarake.
10. Beteja e parë e Modricës : (1452 ) : Beteja e Modricës ishte beteja e ushtrisë shqiptare të udhëhequr nga Skenderbeu kundër trupave të komanduara nga Hamza Pasha. Luftëtarët shqiptar i dhanë armikut një goditje të befasishme dhe të rrufeshme. Pjesa e ushtrisë osmane që shpëtoi u prit në ngushticën e luginës nga kalorësia shqiptare e komanduar nga Hamza Kastrioti. Në këtë betejë osmanët lanë shumë të vrarë; vetë komandanti i tyre u zu rob.
11. Beteja e Pollogut : (1452) : disa muaj pas betejës së Modricës Sulltani dërgoi një ushtri tjetër kundër shqiptarëve, nën komandën e Debrenës. Për shpartallimin e saj Skenderbeu i shpuri luftëtarët e vet në thellësi të viseve të pushtuara, i sulmoi ato natën e në disa drejtime në fushë të Pollogut dhe arritti që të vrasi edhe komandantin e saj, Debrenë.
12. Beteja e dytë e Pollogut (1453 ) : ishte betejë e ushtrisë shqiptare dhe asaj osmane e komanduar nga Ibrahim Beu.Qëllimi i ushtrisë turke ishte kësaj rradhe ta mbante Skenderbeun larg kufijve të Perandorisë, ndërkohë që forcat kryesore do të rethonin Kostandinopojën. Në prill 1453 ushtria shqiptare i sulmoi në fushën e Pollogut forcat osmane përballë dhe në krahun e djathtë. Pas një goditjeje të fuqishme të Mojsi Golemit armiku u shpartallua. Ushtria shqiptare e ndoqi kundërshtarin nga të dy krahët deri në thellësi të fushës së Pollogut.
13. Beteja e Oranikut (1456) : Mojsi Golemi ( Arianiti ) i kishte zotërimet në Dibër të Sipërme (Pellgun e Ohrit), e cila ishte zonë kufitare me viset e pushtuara.
I trembur nga disfata e Beratit (1455) dhe i bindur se bashkpunimi me pushtuesin nuk do të mbështetet prej banorëve të zotrimeve të veta, ai fshehurazi iku në oborrin e sulltanit. Për këtë akt Mojsiu u shpronësua dhe zotrimet e pasuria e tij kaluan në duart e Skenderbeut. Sulltan Mehmeti II i ngarkoi atij drejtimin e një ushtrie për t’i dhënë Skenderbeut goditjen përfundimtare pas ngjarjes të Beratit të cilat kishin dobësuar dukshëm fuqitë ushtarake të shqiptarëve.
Në pranverën e vitit 1456 ushtria osmane e drejtuar nga Mosiu arriti në fushën e Oronikut (Orovnikut), pranë Ohrit (aty ku tani është pista e aeroportit të Ohrit, pra në lindje të Strugës) dhe në betejën që u zhvillua aty u thye keq prej ushtrisë shqiptare. Pa kaluar shumë kohë, i penduar për bashkpunimin me osmanët, Mojsiu u kthye në Shqipëri për të luftuar besnikërisht, deri në vdekje, përkrah Skenderbeut, i cili e fali dhe i riktheu menjëherë pronat dhe pasurinë e konfiskuar.
Në tetor të 1456, ngjau një tjetër tradhëti në radhët e shqiptarëve. Gjergj Stres Balsha – nip i Skenderbeut (prej motre), ua lëshoi turqve kështjellën e Modricës, kundrejt një shume të hollash. Që të dukej që kështjella ra nga moskujdesia, ai së bashku me tërë garnizonin doli për gjah në një ditë të caktuar duke lënë portat e kalasë hapur dhe turqit hynë brenda pa derdhur asnjë pikë gjak. Gjergji me të vëllanë Gjok Stres Balsha u arrestuan dhe u dënuan me burg, në Napoli.
-Pas humbjes së rëndë që pësuan në Betejën e Ujë Bardhës më 1457, ushtritë osmane i ndërprenë për disa vjet sulmet e tyre mbi viset e lira shqiptare.
Në vitin 1460 Skenderbeu dhe turqit nënshkruan një armëpushim. Skenderbeu shkon në Napoli për t’i ndihmuar mikut Ferdinantit.
Skenderbeu u kthye në Shqipëri në vitin 1462, në një kohë kur çështja e kryqëzatës ishte gjithnjë në rend të ditës, pa u vënë akoma në vijë organizimi i saj. Në Shqipëri ai gjeti një gjendje jo fortë të qetë. Nga ana tjetër Venediku, i shqetësuar nga forcimi i aleancës shqiptare-napolitane, nisi përsëri nga provokimet e saj të vjetra. Nga ana tjetër, duke kujtuar se gjendja në Shqipëri e Skenderbeut ishte e dobësuar, Sulltan Mehmeti II Fatihu dërgoi atë vit kundër shqiptarëve tri ekspedita njëra pas tjetrës. Por edhe këtë radhë shqiptarët i bënë ballë furtunës turke. Si gjithmonë nën udhëheqjen e Skenderbeut të tri ekspeditat turke u thyen.
14. Beteja në Grykën e Mokrës : U zhvillua më 27 Gusht 1462 e komanduar nga Sinan Pasha e Ysein Beu .
15. Beteja e Shkupit (në Fushë të Pollogut)-(1462)- Beteja e ushtrisë shqiptare të udhëhequr nga Skenderbeu kundër ushtrisë osmane të komanduar nga Jusuf Beu. Në muajin gusht ushtria shqiptare, duke marshuar me shpejtësi, doli në fushë të Shkupit dhe pa i lënë kohë ushtrisë osmane të hynte në thellësi të tokave shqiptare, e goditi atë nga katër anët me sulme të rrufeshme. Osmanët u detyruan të hynin në betejë të pa organizuar dhe të tërhiqen duke lënë shumë të vrarë. Një pjesë e tyre u zunë robë nga ushtria shqiptare.
16. Beteja e Livadhisë (afër Ohrit) (një ditë e vjeshtës së vonë 1462); Beteja e ushtrisë shqiptare kundër ushtrisë osmane që komandohej nga Karanxho Beu. Nga zbulimi Skenderbeu përcaktoi me kohë drejtimin e ardhjes së saj dhe organizoi prita për të shpartalluar pararojën e osmanëve. Ata u detyruan ta ndërronin drejtimin e lëvizjes dhe u vendosën në kamp lufte në fushën e Livadhisë, që vendasit e quajn “Te Thonat”. Ushtria shqiptare i ndoqi dhe i goditi në befasi. Një shi i rrëmbyeshëm u dha mundësi osmanëve të tërhiqeshin pa humbje të mëdha e të shpëtonin nga katastrofa e plotë.
Gjatë vitit 1462 Skenderbeu për herë të parë po korrte një fitore të trefishtë brenda një viti, duke kapur edhe njërin nga komandantët e ushtrisë turke, Hysein Beun. Ata e ndjejnë se duhej përfunduar paqja me Turqinë ose me Venedikun. Vazhdimi i luftës kundër turqve në një kohë kur Shqipëria ishte e shkretëtuar dhe e izoluar, dhe zgjatja pa shpresë e pregatitjeve të kryqëzatës që kishte ndërmarrë papa Piu II, i cili synonte në këtë mënyrë të shkëpuste Skenderbeun nga kualicioni evropian. Paqja u nënshkrua në Shkup më 27.04.1463.
Marrëveshja e Shkupit shqiptaro-turke nuk u pa me sy të mirë nga papa Piu II, i cili e shfrytëzonte figurën e Skenderbeut në fushatën propagandistike kryqtare. Paqja e 27 Prillit 1463 e shqetësoi edhe Republikën e Venedikut, e cila duke bërë një kthesë të plotë në politikën e saj të jashtme, kishte vendosur të hynte tani në luftë kundër turqve për t’u marrë Morenë dhe dëshironte t’i shfrytëzonte shqiptarët si diversion në prapavijën e armikut. Papa dhe Venediku ushtruan mbi Skenderbeun një presion të madh, për ta detyruar të prishte marrëveshjen e arritur në Shkup. Në fillim Skenderbeu nuk pranoi. Si duket dëshironte së pari të shikonte kryqëzatën të vihej në lëvizje. Në nëntor 1463 kryqëzata u shpall zyrtarisht nga papa dhe ushtrit kryqzare nisën të grumbullohen në skelat e Italisë për t’u nisur kundër turqve. Atëherë, në mes Skenderbeut dhe Venedikut u lidh më në fund një traktat miqësie dhe aleance në luftën kundër turqve.
Me presionin dhe nxitjen e papës e të Venedikut që i premtuan ndihma të shpejta ushtarake, Skenderbeu u bind më në fund të solidarizohet me kryqëzatën dhe më 27 nëntor 1463 i shpalli luftë sulltanit, duke kryer një varg veprimesh luftarake në zotrimet turke në trevat më lindore shqiptare.
Ushtritë kryqtare deri në gushtin e 1464 nuk u nisën, sepse ndikuan një varg faktorësh, si: mosbesimi që ishte në mes pjesmarrësve të kryqëzatës, mungesa e organizimit paraprak dhe në fund edhe vdekja e papa Piut II më 14 gusht 1464. E tërë kjo solli dështimin e kryqëzatës. Me dështimin e saj shqiptarët përsëri mbetën vetëm përballë hordhisë turke.
Më 1464 për shqiptarët ishte periudha e fundit e luftës së udhëhequr nga Skenderbeu kundër hordhive osmane. Tani sulltan Mehmeti II dërgoi kundër Shqipërisë një varg ekspeditash njëra pas tjetrës, qëllimi i të cilave ishte të shkatërronte tërësisht vendin, të shternin burimet ekonomike e financiare, të demoralizonin forcat shqiptare dhe në këtë mënyrë të pregatitnin terenin për grushtin përfundimtar për të nënshkruar Shqipërinë.
17. Beteja e Ohrit : (1464) – Megjithatë shqiptarët nuk u ligështuan, por u përballën me të gjitha forcat e tyre kundër ushtrisë osmane. Më 14 gusht 1464 në afërsi të Ohrit, shqiptarët të udhëhequr nga Skenderbeu i dërmuan plotësisht ushtrit turke nën komandën e Shermet Beut.
Në vitin 1465 sulltan Mehmeti II ia ngarkoi barrën e ekspeditave një renegati shqiptar, Ballaban Pashës, një nga ushtarakët më të shquar të Perandorisë.
18. Beteja e Vajkalit ose e Falkalit: (prill 1465) : Beteja u zhvillua në prill të 1465 në fushën e Vajkalit ose Falkalit dhe përfundoi me disfatën e ushtrisë turke. Por, kjo fitore shqiptarëve u kushtoi shtrejtë. Ballabani arriti të tërhiqte ushtrinë turke nga beteja, pa pësuar dëme të mëdha dhe njëkohësisht të kapte disa robër shqiptarë, e ndër ta edhe 8 nga komandantët më të shquar të Skenderbeut, midis tyre edhe Mojsi Golemin.
19. Beteja e Oranikut : Edhe pas humbjes të bashkëluftëtarëve, Skenderbeu dhe shqiptarët e vazhduan luftën me vendosmëri. Në Oranik (Orovnik) të Dibrës së Sipërme, pa u diktuar nga rojet shqiptare, Ballaban Pasha e afroi ushtrinë shumë pranë ushtrisë shqiptare, për t’i zënë në befasi. Në saj të vigjiliencës së Skenderbeut, i cili arriti personalisht t’i zbulojë forcat armike, ushtria shqiptare u hodh menjëherë në sulm dhe e fituan betejën.
20. Beteja e Valkalit ose e Falkalit : Pas betejës së Oranikut, Ballaban Pasha me një ushtri të re, u përpoq për tre muaj t’i zinte në befasi shqiptarët, por kur u bind se një gjë e tillë ishte e pamundur, u ndesh me ushtrinë shqiptare përsëri në fushën e Falkalit (Bajkalit), pranë malit Bigë të Ohrit, ku trupat e tij pësuan disfatë të rëndë.
Pas këtyre luftimeve të përgjakshme Ballaban Pasha u përpoq t’i shkatërronte forcat shqiptare, duke i goditur ata njëkohësisht nga dy drejtime të kundërta: njëra në drejtim të Ohrit dhe tjetra në drejtim të Krujës. Duke u informuar për lëvizjet e turqve, ushtria shqiptare marshoi me shpejtësi, së pari në drejtim të Ohrit që komandohej nga vet Ballaban Beu, duke e shpartalluar tërësisht atë në afërsi të Ohrit; Pas kësaj shqiptarët u ndeshën me ushtrinë e dytë turke të komanduar nga Jakup Arnauti, i biri i një feudali renegat shqiptar (Todor Tiranit), ku forcat turke pësuan disfatë të rëndë.
Fitorja spektakulare e Skenderbeut në afërsi të Ohrit mbyllte një cakë fitoresh të tjera po kaq spektakulare të korrura prej tij në brezin lindor shqiptar Ohër Shkup, Brenda një harku kohor të shkurtër (1462-1465). Njohja e këtij aspekti të luftës legjendar të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skenderbeut, d.m.th. e veprimeve luftarake që u zhvilluan në viset përgjatë vijës së lartëpërmendur, ka rëndësi të veçantë jo vetëm për faktin se në këto vise u thur një pjesë e kurorës së lavdisë së heroit tonë kombëtar, por edhe për një fakt tjetër shumë të rëndësishëm: për të kuptuar se zhvendosja e fushës së betejave në pjesën lindore të territorit shqiptar ishte element përbërës i strategjisë së Skenderbeut për të garantuar më mirë mbrojtjen e vendit, duke mos i dhënë mundësi armikut të depërtojë në thellësi të vendit.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!