Tuesday, November 26, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionE dua një nuse të ndershme që do ta mbaj në shtëpi

E dua një nuse të ndershme që do ta mbaj në shtëpi

Vera erdhi, ditët e nxehta, plazhi, mërgimtarët, dasmat… Po, po, dasmat! Është sezoni ku shumë çifte bëjnë ceremonitë martesore, mërgimtarët vijnë të gjejnë ato vajzat “pa prekur”. Nuk po i fus të gjithë mërgimtarët në një thes, por një pjesë e mirë e tyre pas përvojave në vendet europiane ku jetojnë, vijnë në vendlindje të gjejnë një nuse të ndershme që do ta mbajnë në shtëpi, do të krijojnë familje. Janë vajzat që vrapojnë nëpër klinika që të “rikthejnë” nderin dhe në këtë mënyrë të lidhen më një mërgimtar që mbase gjendjen ekonomike e ka më të lakmueshme se një djalë i vendit. Fillojnë një jetë të re me dikënd që mbase e njohin prej pak kohësh, një fillim me një gënjeshtër të madhe. Nuk ka rëndësi, janë vendimet e tyre, por është diçka që quhet ndërgjegjie. Si mundet një djalë ta paragjykojë një vajzë vetëm për një himen, si mundet të kërkojë një të ndershme kur ka lënë nam në vendin ku jeton dhe vepron?
Në zonën e Pollogut vite më parë ishte turp të flisje hapur për seksin, virgjërinë. Sot nuk është më kështu, megjithëse ata që flasin shihen më një sy tjetër, “ekzaminohen” nga njerëzit përreth sa aktiv janë seksualisht. Të gjithë duan të kenë informacion, hapin sytë e veshët, por përsëri shesin moral. Morali, një lloj virtyti që duhet ta ketë njeriu, e sidomos gruaja shqiptare! Uhh, takoj një ditë një shoqe fëmijërie, nisemi drejt një lokali ku do të na bashkangjitej dhe një shoqe tjetër. Rrugës më tregonte që filanja do martohej me fistekun. Realisht nuk kisha informacion fare sepse kishte kohë që nuk e kisha takuar dhe vajza tjetër nuk kishte as profile nëpër rrjetet sociale më të përdorura, prandaj komunikimi jonë kishte kohë që ishte ndërprerë. Po më fliste se si kishte rikthyer virgjërinë në një klinikë private në një shtet afër të tonit dhe do martohej verës me një djalë që jetonte në një vend europian, kishte biznesin e tij, pasuri, por ishte rritur në familje konservatore e cila vlerësonte nusen shumë nga ana morale. Vajza ka pasur një lidhje të dështuar që e di edhe vetë unë, por kjo nuk i hynte në punë askujt. Më vinte keq se si një vajzë aq e bukur, e mençur do krijonte familje mbi një mashtrim të madh, po merrte një njeri që i ofronte çdo gjë nga ana materiale ngaqë gjendja e saj ekonomike ishte e rënduar në familje dhe në këmbim të kësaj po i jepte “virgjërinë”. Mirë, u takuam, ndenjëm ca minuta bashkë, kafe e llafe plot. Mbaroi me kaq, marr rrugën për në shtëpi me mendjen aty, kisha dëgjuar raste të tilla, por jo të njerëzve që njihja personalisht.
Himen, doktor, virgjëri sekondare, një gënjeshtër për gjithë jetën, aktrim, moral, sa shumë punë! Vrisja mendjen ç’mendojnë ata meshkuj kur një femër s’ka fare një cipë ose aksidentalisht e ka humbur virgjërinë pa kryer marrëdhënie? A hyjnë edhe këto femra në listën e “të përdalave”, atyre që nuk duhet të martohesh? Përse një mashkull që ka pasur marrëdhënie me herët duhet të marrë një të virgjër dhe të krenohet me këtë fakt? Nësë një femër që ka pasur marrëdhënië konsiderohet e përdalë, pse një mashkull i tille duhet të shihet si trim, i zoti që ze shumë femra?
Cilat vajza që nuk janë të virgjëra konsiderohen të mira te ne? Ato që kanë një punë, zgjohen që në mëngjes të mbajnë familjen kur burri fle? Ato që bëjnë karrierë, vijnë në shtëpi në darkë dhe durojnë një grusht paragjykimesh, ato që u merren lekët në fund të muajit? Shekulli 21 dhe ne akoma jetojmë si primitivë. Një cipë ndonjëherë ta përcakton fatin, t’i mbyll dyert. Për dikë mund të duket qesharake, si një film komik, për disa vendbanime, shoqëri të ndryshme është akoma si një film tragjik, ku nusja akoma përcillet në shtëpinë e vet (duke ju referuar shtëpisë së burrit) me një plumb në pajë.
Kur ushtroj profesionin tim shpesh kam pasur rastin të kem kontakt me gra dhe vajza që kanë bërë karrierë, janë të njohura, janë të suksesshme. Por shumica prej tyre stepen kur ju drejtoj pyetje provokative duke me vënë edhe mua në pozitë të vështirë kur thonë “Nuk dua të flas për këtë gjë, do ta lexoj mami dhe babi, do ta lexoj burri, vjehrra, ky apo ai”. Gra dhe vajza intelektuale, të shkolluara, të afta të mendojnë, ngurrojnë të flasin për tema gjoja të turpshme.
Një copë hekuri i verdhë në gisht nuk të siguron dashuri të përjetshme, nuk të garanton një martesë të sigurtë, pa probleme, pa tradhëti, ashtu siç nuk të garanton kurrë një copë himen a do të bëjë të lumtur apo jo.

Liridona Kuçi, gazetare

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!