Ndryshimi i Qeverisë në Maqedoni nuk ua ka ndryshuar pozitën shqiptarëve që jetojnë atje. Madje, shqiptarët jetojnë tash e 16 vite në monizëm në Maqedoni. Kështu thotë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe deputeti në Parlamentin e Maqedonisë, Ziadin Sela, sipas të cilit fatkeqësisht pritjet që kishin shqiptarët edhe me qeverinë e re nuk po realizohen.
Në një intervistë për KosovaPress, deputeti Sela thekson se shqiptarët vazhdojnë të jenë të margjinalizuar në Maqedoni, edhe me qeverinë e re, sepse sipas tij, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, ku gjysma e Qeverisë është e re derisa gjysma tjetër e vjetër.
Sela thotë se në qeveri vazhdon të jetë një parti shqiptare, BDI-ja, e Ali Ahmetit, e cila ka qenë pjesë e problemeve të qeverisjes së Nikolla Gruevskit, e cila prej 16 vitesh fiton zgjedhjet, por nuk ndryshon pozita e shqiptarëve në Maqedoni.
Premtimi më i madh në zgjedhjet e fundit ishte ligji për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, çka bëri që edhe kryeministri, Zoran Zaev të marrë votat e shqiptarëve, por, i njëjti ende nuk është funksionalizuar dhe shpallë në gazetën zyrtare.
Për këtë Sela thotë se derisa shumicën e Qeverisë e bënin ata si Aleancë për Shqiptarët që ishin pjesë e Qeverisë, ata kushtëzuan Qeverinë me disa kushte dhe u miratua ligji për përdorimin e gjuhës shqipe.
Sela tregon edhe arsyen pse Aleanca për Shqiptarët u larua nga qeverisja, ani pse e dinin se ligji për gjuhën shqipe ende nuk ishte bërë funksional.
Qytetarët, sipas tij, janë të zhgënjyer me këtë Qeveri sepse edhe votat partia e kryeministrit, Zoran Zaev ia ka marrë tek shqiptarët me premtimet për realizimin e të drejtave të tyre. Ndonëse Sela thotë se edhe zhgënjimi në dy partitë shqiptare, BDI-në e PDSH-në, ka bërë që një numër i votave të shkojë tek LSDM-ja e Zavit.
Sela ka përmendur edhe dënimin e shqiptarëve për lagjen e trimeve, që sipas tij, ishin dënime shumë të larta qindra vjeçare dhe që nuk kanë ndodhur asnjëherë që në Maqedoni të ketë dënime aq të larta. Madje, thotë se as në luftën e dytë botërore nazistët nuk kanë marrë dënime kaq të larta.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët ka përmendur edhe mospajtimet që ata kanë sa i përket marrëveshjes me Greqinë, ndonëse e quan të duhur zgjidhjen e kontestit të emrit.
Sela thotë se kanë edhe vërejtje tjera sa i përket gjuhës, sepse nuk përmendet askund gjuha shqipe për t’u regjistruar në kombet e bashkuara si gjuhë zyrtare, por vetëm gjuha maqedonase.
Pas arritjes së kësaj marrëveshje, Maqedonia mori ftesën nga NATO për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm të sigurisë. Por Sela thotë se kjo marrëveshje është me kushte sepse duhen plotësuar kriteret e marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve.
Deputeti Sela ka komentuar edhe vizitën e kryeministrit Zaev në Kosovë, të parën në histori të shtetit maqedon, duke thënë se Maqedonia duhet t’i ruajë raportet me fqinjët e saj, sidomos me Kosovën, sepse brenda saj ka 30 për qind të popullatës autoktone shqiptare.