Fitorja e Zvicrës një natë më parë 2-1 ndaj Serbisë u la në plan të dytë edhe nga mediat ndërkombëtare pas festimit të golave me simbolin e shqiponjës nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.
“The Sun” shkruan se ata kanë lindur në Kosovë. “Vëllai i tij Taulanti luan për Shqipërinë, dhe të dy janë shumë krenarë për trashëgiminë e tyre”, vijon shkrimi.
Nuk mungojnë as shkrimet e BBC, Sport Illustrated, Goal.com, Daily Express, The Guardian e madje dhe New York Times, e cila thotë se Zvicra mundi Serbinë në një ndeshje sa historike dhe politike, për shkak të veprimit të dy lojtarëve.
Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i mediave në Serbi që nuk nguruan ta vlerësonin festimin e golave si provokim, madje kërkuan edhe reagimin e menjëhershëm të FIFA-s.
Ndërkohë spanjollët e “AS” kanë shkuar edhe më tej, ku me anë të një shkrimin, thonë se shqiponja e Xhakës dhe Shaqirit irriton edhe Putinin”.
“Në një ndeshje të Kupës së Botës deri më tani ka qenë e mundur të dëgjosh tifozët rusë duke bërtitur ‘Kosova është Serbi’, një nga pak koret politike të dëgjuara në këtë turne. Rusët janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe Putini është aleati kryesor i Serbisë, ashtu siç ishte vendi i tij gjatë Luftës Ballkanike dhe më vonë. Kjo është arsyeja pse festimi i diskutueshëm i Xhakës dhe Shaqirit në momentin e golave të tyre kundër serbëve ka peshuar aq shumë në vendin organizator të Botërorit. Të dy e bënë me duart e tyre simbolin e ‘shqiponjës’ shqiptare, një gjest që ka kaluar nëpër tërë botën për shkak të komponentit të tij të fortë politik”, shkruan AS, transmeton Tch.
“Familjet shqiptaro-kosovare të Xhakës dhe Shaqirit janë dy nga mijëra, që duhej të largoheshin gjatë luftës për t’u vendosur në Zvicër, ku ata kanë zënë rrënjë. Përkundër kësaj, ata nuk i fshehin ndjenjat e tyre dhe madje vëllai i Xhakës, Taulanti, është ndërkombëtar me Shqipërinë. Në rastin e Granitit jo, sepse ai mendonte se ishte lojtar me një projeksion më të madh dhe me Zvicrën do të kishte më shumë mundësi për të shkëlqyer në turne të mëdhenj, siç po ndodh edhe me Shaqirin.
Duke parë këtë gjest në Kupën e Botës dhe në territorin ku ka ndodhur, janë goditur rusët. Sidomos Putini, i cili në ceremoninë e hapjes së Botërorit mbajti një fjalim prej më shumë se dy minutash (diçka e pazakontë në Kupat e Botës), në të cilën i mirëpriti vizitorët e huaj dhe u kërkoi atyre të jetojnë në harmoni dhe paqe. Por, përkundrazi, sipas tyre, gjesti i bërë nga lojtarët shqiptarë të Zvicrës, një provokim ndaj Serbisë dhe në vijim Rusisë, do të duhet të merret në analizë nga FIFA, për të mos shkuar më tej”, mbyllet shkrimi i AS.