Aleanca për Shqiptarët në krye me Ziadin Selën dhe BESA e Bilal Kasamit ende pa marrëveshje konkrete mbi atë se kush do ta përfaqësojë bllokun opozitar shqiptar në KSHZ. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se së shpejti pritet që të merren vesh për një emër adekuat i cili do të ishte i pranueshëm për të dyja palët.
“Ende nuk jemi marrë vesh me Besën se kush do të jetë përfaqësuesi ynë në Komisionin shtetëror zgjedhor. Presim që së shpejti të merremi vesh në lidhje me këtë. Të kemi një person adekuat i cili do ta përfaqësojë opozitën shqiptare në këtë institucion”, nga Aleanca për Shqiptarët.
Konkursi publik për zgjidhje të anëtarëve të cilin e nënshkroi Kuvendi përfundoi më 12 qershor me dy ditë shtesë, por prej atje nuk informojnë saktë se sa kandidatura kanë arritur. Jo zyrtarisht Oliver Derkovski dhe Svetllana Karapetrova do të jenë emrat e propozuar nga VMRO-DPMNE, ndërsa partitë në pushtet nuk tregojnë ende. Nëse qeveria vepron sipas planit të caktuar që referendumi për marrëveshjen me Greqinë të mbahet në tetor, përbërja e KSHZ-së duhet të bëhet publike deri në fund të këtij muaji. Ende nuk dihet nëse referendumi do të jetë obligues, ose konsultativ.
Hapat e ardhshëm janë ndryshimet kushtetuese për të cilat profesori universitar Mersel Bilalli tha se varen nga vendimi i Qeverisë se çfarë referendumi do të mbahet.
“Ende nuk ka qëndrim të qartë. Në marrëveshje thuhet se shteti mund të mbajë. Domethënë Republika e Maqedonisë mund të mbajë referendum. Se a do të jetë konsultativ ose obligues kjo gjë do të shihet varësisht nga forca, dhe varësisht nga rezultatet do të dihet pozita e ndryshimeve kushtetuese”, tha Mersel Bilalli, profesor universitar.
Nëse vendi vendos që të mbahet referendum, nuk dihet se si do të jetë rezultati i tij, u shpreh profesori universitar dhe ish ministri I punëve të jashtme Denko Maleski. Sipas tij, nuk duhet të nënvlerësohet ndikimi i propagandës në të cilën njerëzit u ekspozuan në dekadën e fundit.
“Referendumi varet nga një gjë. Populli shumë gjatë ishte nën ndikimin e kësaj propagande të cilën nuk e ka kufizuar asgjë gjatë këtyre 10 viteve, por u servua në mënyrë të drejtpërdrejtë, të them se ishte politikë shtetërore. Një gjeneratë e tërë rritet nën atë ndikim, dhe me të vërtetë nuk do të dija të them se çfarë reagimi do të kenë qytetarët në momentin kur do të duhet të shprehin qëndrimin e tyre”, tha Denko Maleski, Ish ministër i Punëve të Jashtme.
Pas referendumit hapat e ardhshëm që parashihet sipas marrëveshjes janë që deri në fund të vitit 2018 në tërësi të miratohen amendamentet e kushtetutës. Pas kësaj Greqia në Kuvend do ta ratifikojë marrëveshjen. Pasi që të ndodhë e gjithë kjo që parashihet në marrëveshje, vendi do të fillojë ta shfrytëzojë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut./TV21/