Zyrtarisht nuk ka subjekt apo person fizik që qëndron pas protestave kundër marrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Derisa policia dhe Prokuroria po hetojnë, ekspertët hedhin dyshimet mbi mundësinë e përfshirjes së faktorëve të jashtëm. Ish eprori i policisë, Lubomir Gjurçevski, duke u nisur nga gjendja faktike në protestë, nuk përjashton mundësinë e implikimit ruso-sërb në protesta.
Nuk mund ta vërtetoj por edhe nuk përjashtohet që prapa këtyre protestave qëndron ndonjë faktor i jashtëm të cilët kanë aspirata të caktuara si në Maqedoni ashtu edhe në të gjithë Ballkanin. Në këtë drejtim, policia nuk guxon ta largojë vëmendjen nga ky aspekt sepse interesat e huaja në Ballkan janë të mëdha si të atyre perëndimore si të atyre lindore – tha Lubomir Gjurçevski, Ish epror i policisë.
Gjurçevski vlerëson se policia mbrëmë ka zbatuar direktivat ligjore, pasi që sipas tij pas vlerësimeve në terren është konstatuar se nevojitet ndërhyrja policore.
Policia e mbrëmshme nuk ishte një polici tjetër, ishte ajo e njëjta e cila më 27 prill ishte penguar që të bëj punën e saj. Policia mbrëmë vërtetoi se është e gatshme dhe e përgatitur për t’i mbrojtur institucionet për të cilat Kushtetua referon nivel të lartë të sigurisë për çfarëdo çmimi qoftë edhe ajo më e rënda, përdorimi i armëve të zjarrit. Policia duhet ta dijë cilat mjete, me çfarë intensiteti dhe force do të përdoren për të anashkaluar sulmet e mundshme ndaj objekteve institucionale – theksoi Lubomir Gjurçevski, Ish epror i policisë.
Ministria e Brendshme njofton se Shtabi Operativ është ne funksion. Duke mos dashur të japin detaje për masat parandaluese dhe perimetrin e sigurisë për objektet si Kuvendi dhe Qeveria, dikasteri Brendshëm njofton se veprimet e policisë janë në përputhje me ligjin, që nënkupton se zyrtarët policorë incizojnë veprimet e tyre me qëllim dëshmimin e transparencës dhe veprimeve të tyre në përputhje me ligjin. Masat e sigurisë do të shtohen të mërkurën, kur në Kuvend pritet ratifikimi i marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë. Jo zyrtarisht, forcat e rendit kanë plane rezerve të cilat në rast zbatimi do të pamundësojnë që protestuesit t’i ofrohen Kuvendit.