Kryetari i Gostivarit Arben Taravari tha se ditën e djeshme ai dhe anëtarë të familjes së tij janë kërcënuar me jetë nga Hebib Fejzuli. Ai tha se ky është njëri nga dy personat që para disa muajsh hyri i armatosur në gjimnazin e Gostivarit dhe sulmoi dy profesorë në vendin e punës së tyre.
“Hebib, ti tashmë do jesh subjekt i akuzuar nga unë personalisht në organet e Drejtësisë dhe për të bërë më të njohur do të paraqes rastin tënd në çdo ambasadë, institucion apo politikan ndërkombëtar. Ti nuk je vetëm një armik i imi (pasi më kërcënon), por je armik i një Gostivari të tërë duke shqetësuar qytetarët të pambrojtur nga politika!
Nuk doja të të jepja kaq rëndësi pasi në fakt ti je viktimë e një fenomeni të mbrapshtë politik-mafioz, por individë si ti janë në borxh të madh me Drejtësinë prandaj ju ka ardhur koha të lajnë borxhet! Të jeni të sigurt që nuk tolerojmë askënd që prek lirinë dhe të drejtat e qytetarëve! Është misioni ynë!”, ka shkruar Taravari.
Por përmes një reagimi për media, sqarim për situatën të cilën flet Taravari ka dhënë edhe Hebib Fejzuli.
Ja reagimi i tij:
“Sot miqtë më njoftuan që isha përmendur në një status tëndin në Facebook.Si herën e parë para dy muajve, edhe tani isha etiketuar me akuza të rënda që prekin dinjitetin tim
personal dhe familjar. Habitem se si mundet që një prof dr, kryetar komune dhe sekretar gjeneral i një partie politike, të merret me një individ që nuk është asgjë më tepër se një zjarrfikës dhe një qytetar i rëndomtë i qytetit të Gostivarit. Herën e parë shpife në emrin tim, por nuk reagova publikisht, sepse, nuk jam politikan dhe nuk dëshiroj që të bëj politikë duke polemizuar me ju publikisht.
Isha i mendimit që akuzat ndaj meje më së miri do të zbardhen në instancat e drejtësisë. Procedura për shpifje tashmë ka marrë trajtën e një lënde gjyqësore dhe së shpejti drejtësia do ta thotë fjalën e vete. Kishe shkruar se dje të isha kërcënuar me jetë ti dhe familjes tënde, gjë që nuk është aspak e vërtetë. E vërteta është që kam kontaktuar shefin e kabinetit dhe në bazë shoqërore e kam pyetur se përse më është zvogëluar rroga për 50 % pa pasur ende një vendim të gjykatës.
Kjo është e vërteta e gjithë kësaj meseleje që ti e trajton publikisht dhe politikisht për llogaritë e tua politike. Ti mundet çdokush të të kërcënon sepse nuk ke aspak njerëzi në vetvete por të gënjesh se je i kërcënuar nga unë nuk është asgjë tjetër përpos që je i sëmurë dhe i etshëm për të gënjyer. E bënë mirë që t’i njoftosh ambasadat për sindromin dhe sëmundjen për gënjeshtra që ke, ndoshta do të ndihmojnë të të gjejnë medet dhe shpëtim.
Edhe unë do t’i lus ambasadat të të gjejnë ilaç që t’i lejshë rrenat dhe të fillosh të punosh për qytetarët që aq shumë ua paske konsideratën”, ka shkruar Fejzuli./medial.mk