Dje, në ambientet e komunës së Strugës, u zhvillua një takim pune mes shefit të kabinetit z. Dashmir Nasufi me shefin e stacionit policor-Strugë, z.Valon Hani, inpektorin shtetëror të tregut z. Shpendim Iljazi, si dhe inspektorëve komunal.
Qëllimi i takimit ishte bashkëpunimi i ndërsjelltë i më shumë institucioneve të cilat tangohen nga të njëjtat probleme dhe marrjen e masave për sezonin turistik.
Si prioritet u shpalosën koordinimi, komunikimi, dhe bashkëpunimi me të gjitha institucione për zgjedhjen e problemeve të ndryshme që paraqiten në qytet siç janë, trafiku rrugor, personat fizik që japin dhoma pa leje, lypësit, zëri i lartë i muzikës në lokale, problem i parkingjeve publike, shitësit mobil të frutave dhe perimeve si dhe shumë problematika të tjera.
z. Hani disa herë theksoi se policia nuk mund ti ndërrmer të gjitha këto masa vetë por duhet bashkëpunim nga Komuna e Strugës dhe Inspektorati i tregut, për një Strugë më të sigurtë dhe më të mirë. Ai poashtu shprehu keqardhje që shumica e institucioneve aspak nuk e informojnë stacionin policor në lidhje me ndodhitë dhe aktivitetet në qytet, prandaj kërkoi që të jetë i informuar të paktën dy ditë para evenimentit/aktivitetit.
z. Nasufi i falenderoi për bashkëpunimin të gjitha institucionet dhe potencoi se këto takime të jenë më të shpeshta që bashkëpunimi të sjellë rezultate të dukshme. Ai e përfundoi mbledhjen duke theksuar se ankesa dhe probleme do të ketë gjithmonë, por ne do të punojmë për një Strugë më të mirë dhe qytetarë të kënaqur.
(Komuna e Strugës)