Rikonstruimi i rrugës Saraj-Grupçin-Zhelinë, apo siç njihet “rruga e vjetër Shkup-Tetovë” do të përfundojë së shpejti.
Ky është një lajm i mirë për qytetarët që udhëtojnë nga Shkupi për Tetovë dhe anasjelltas, sepse do të kenë në disponim një rrugë solide gati si autostrada, ku nuk do të paguhet pagesa rrugore (patarina).
Nga ndërmarrja “Makedonija Pat” kanë njoftuar se po punojnë intensivisht dhe kanë angazhuar tërë maqinerinë që kanë në disponim, me qëllim që punimet të përfundojnë para pushimeve verore, kur autostrada Shkup-Tetovë përballet me një fluks të madh të veturave.
Qytetarët përshëndesin zhvillimin intensiv të punimeve, duke shpresuar se do të përfundojnë sa më shpejtë. Disa prej tyre thonë se pagesa e taksave rrugore në dy pikëpagesa është barrë e rëndë për qytetarët, kurse me ndërtimin e “rrugës së vjetër” do të kenë mundësi të mos paguajnë së paku njërën taksë. Ata edhe deri tani kanë qarkulluar këtë rrugë për t’i ikur “patarinave”, por ankohen se ajo ishte amortizuar tej mase.