11 marsi i vitit 1981 shënon fillimin e demonstratave gjithëpopullore për të drejtat e popullit shqiptar në Jugosllavi. Filluar nga rinia studentore, e mbështetur nga punëtorët e fabrikave dhe masat e gjera popullore Pranvera ’81 lëkundi themelet e ngrehinës së padrejtë jugosllave.
Nisur nga një gjest demonstrues lidhur me kushtet e rënda të studentëve në mensë protestat morën përmasa gjithëpopullore. Ato kulmuan me artikulimin e qartë të kërkesave për barazi politike. Pranvera ’81 prodhoi Ngjarjen që ende na thërret për angazhim e besnikëri ndaj Republikës.
Parullat “Trepça punon-Beogradi ndërton”, “Kosova si vend, por edhe si kombinat është e jona” tregojnë më së miri se kërkesa për barazi sociale është pashkëputshëm e lidhur me kërkesën për barazi midis popujve. Shovinizmi serb nuk mund të kuptohet deri në fund pa shpjeguar edhe shfrytëzimin kolonialist.
Potenciali emancipues dhe karakteri historik na mundëson që jehona e Ngjarjes të jetë aktuale edhe sot. Protestat e vitit 1981 duhen lexuar përkundër përpjekjeve të pushtetit jugosllav për të amortizuar përpjekjet çlirimtare përmes zgjidhjeve gjysmake. Siç i thurin lavde sot Kosovës pa sovranitet e integritet territorial atëbotë thuhej “është Republikë, veç emrin nuk e ka”. Por ngjarjet morën rrjedhën e kthimit pas deri në suprimimin e autonomisë pikërisht sepse nuk e kishim Republikën. E, nëse ka një mësim nga historiku i këtyre ngjarjeve ai është këmbëngulja deri në realizimin e plotë të qëllimeve.
11 mars 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!