Gjatë vitit të kaluar (2016) në Zvicër kanë marrë ndihma sociale 270 mijë veta nga popullata me qëndrim të përhershëm (pa i llogaritur azilkërkuesit). Dhe kjo shifër përbën 3.3 të gjithë kësaj popullate, bën të ditur Zyra Federale e Statistikave (BfS).
Në krahasim me një vit më parë kjo tregon për një rritje prej 0.1 për qind ose për 7600 persona më shumë. Si zakonisht, përqindja më e madhe e atyre që marrin ndihma sociale edhe kësaj here ka qenë në kantonet me karakter më të theksuar urban. I vetmi nga kantonet urbane ka qenë Cyrihu në të cilin është regjistruar një kuotë nën mesataren e vendit sa i përket shfrytëzuesve të ndihmave sociale.
BfS ka publikuar për herë të parë edhe të dhënat për ndihmat sociale në mesin e refugjatëve dhe në fushën e azilit. Nga këto dy kategori, kuota e shfrytëzimit të ndihmave sociale gjatë vitit 2016 ka qenë rreth 85 për qind. Kështu, gjatë vitit në fjalë kanë qenë 25500 refugjatë që kanë marrë ndihma sociale. Ndërsa në lëmin e azilit, mbështetje sociale kanë pasur 55.500 veta ose 88.4%.