Sunday, November 24, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeBotaBesimi islam dhe personat me nevoja të veçanta

Besimi islam dhe personat me nevoja të veçanta

Para 15 shekujsh, Islami pati trajtuar këtë kategori si pjesë të barabartë të shoqërisë, popujt e tjerë i vrisnin, për shkak të arsyeve banale.

Në secilën shoqëri ka persona me aftësi të kufizuara. Ndoshta, është më e përshtatshme t’i quajmë njerëz me nevoja të veçanta, sepse ne, të gjithë jemi njerëz me nevoja të ndryshme, veçse këta dallojnë. Njëherësh, kjo është më afër barazisë shoqërore. Sipas statistikave, bëhet e ditur se 3-5% e shoqërisë ose edhe më shumë, i përkasin kësaj kategorie, natyrisht një përqindje e ndryshme për shtete të veçanta. Është e kuptueshme që gjendja e të gjithë personave me nevoja të veçanta nuk është njësoj. Rastet dallojnë, në varësi nga shkalla dhe natyra e handikapit.
Disa prej tyre kanë probleme psikike, që përbëjnë rastin më të rëndë, e disa të tjerë, mendohet me numër më të madh, kanë handikapë të natyrës fizike.
Ne nuk do të diskutojmë për nivelin e aftësisë së kufizuar të këtyre personave dhe dallimet në mes tyre, sepse kjo është e parëndësishme për aspektin që do të shtrojmë. Po do të flasim për atë që është më se e sigurt, se këta persona kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë dhe ata duhen trajtuar si anëtarë të barabartë të shoqërisë, me të drejta dhe detyrime. Ekzistencën e kësaj kategorie të njerëzve, shoqëria duhet ta pranojë si një fakt përfundimtar, nga i cili nuk mund të iket.
Fundja, secila shoqëri dhe institucionet e vendit e kanë për detyrim të interesohen për mirëqenien e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, pa dallim, jo vetëm të hendikepuarve. Edhe ai që është i varfër, që nuk mund të sigurojë kafshatën e bukës, në fakt ka një hendikap, kuptohet në formë tjetër. Po ashtu njerëzit që kanë rënë në stres dhe traumë, në njëfarë forme janë njerëz me hendikape. Të gjithë këta, duhet të jenë preokupim i shoqërisë dhe se trajtimi dinjitoz i tyre është obligim fetar dhe qytetar.
Akti i imanit dhe barazia e njerëzve Feja Islame, personat me nevoja të veçanta i trajton si krijesa fisnike të Allahut, sikurse të gjithë njerëzit e tjerë. Hendikapet e ndryshme që kanë ata, nuk janë tjetër veçse një sprovë nga Allahu. Muslimanit nuk i lejohet t’i hidhërohet Allahut për sprovat që i kanë ndodhur, e as t’i gjykojë ato, ngase ato janë prej “kaderit” të Tij. Ne duhet të pajtohemi dhe ta pranojmë atë që ka vepruar Allahu, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo. Është e qartë që e keqja dhe e mira jetojnë bashkërisht me njeriun. Në të vërtetë, ky është ngushëllimi i vërtetë yni. Njeriut, mbase, nuk i pëlqen dhe vdekja e një anëtari të familjes, ose edhe shumë fatkeqësi të tjera në jetën e përditshme, por Allahu e ka punën e Vet dhe nuk pyetet e as nuk mund të merret në përgjegjësi për atë që vepron. Kundrejt kësaj, dinjiteti i njerëzve tek Allahut nuk bazohet në hendikape, po në çiltërinë e zemrës dhe shpirtit. Vetë akti i tevhidit – të besuarit në Allahun, se është Një i Vetëm, është i tillë që i barazon të gjithë njerëzit para Allahut. Sikur “ihrami” (veshja e bardhë në dy pjesë me rastin e kryerjes së Haxhit) që i barazon të gjithë haxhinjtë para Allahut, ashtu edhe akti i besimit në Allahun, në parim, i bën të barabartë të gjithë njerëzit (besimtarët). Mbi të gjitha, akti i besimit (imanit), është bazament për vlerësimin e njerëzve.
Allahu nuk i vlerëson njerëzit në bazë të fizionomisë, nëse është i verbër, sakat apo i shëndoshë. As në bazë të kilogramëve, se cili është më i madh dhe më i rëndë. Këtë e ka vërtetuar Pejgamberi a.s. kur ka thënë:
“… Allahu nuk e vlerëson trupin tuaj dhe as fizionominë tuaj, por e vlerëson atë qe keni në zemrat tuaja”.., dhe në vazhdim ka thënë: “devotshmëria është këtu (tri herë e ka përsëritur), dhe bëri me shenjë tek zemra në gjoksin e tij”. Po Allahu i vlerëson njerëzit në bazë të vlerave të vërteta të tyre, që burojnë nga devotshmëria si akt i çiltërisë, dhe veprave që bëhen për hir të Allahut dhe jo të dikujt tjetër. Ky është parimi i fesë Islame dhe ky garanton barazinë në mes njerëzve. Këtë e ka vërtetuar Allahu, pikërisht në një ajet, në të cilin fl et për praninë e dallimeve në mes njerëzve, dhe në fund të tij, i Lartësuari thotë: (Shih:El-Huxhurat, 13).
Dijetarët islamë, këtë ajet e konsiderojnë si argument të drejtpërdrejtë, ku Allahu vendos kriterin e vlerësimit të individit. Ne mund të mendojmë se tek Allahu më i mirë është ai që është më i bukur nga pamja, ose i pasuri. Jo, Allahu ka thënë ndryshe, – më i devotshmi dhe pikë. Në mënyrë të prerë, as në këtë ajet dhe në asnjë vend tjetër në Kuran, Allahu nuk ka thënë se i verbri është në një gradë më të ulët se ai që sheh, apo se sakati është në një gradë më të ulët se ai që lëviz, e kështu me radhë. Po ashtu, Allahu nuk ka thënë se ai që është normal, që i funksionojnë të gjitha cilësitë, ka epërsi ndaj tjetrit. Absolutisht të gjithë janë të barabartë, dhe faktikisht është një ngushëllim ideal për këtë kategori të njerëzve që të mos ndihen inferiorë ndaj të tjerëve, kur dihet se krenaria e tyre mund të jetë evidente para Allahut. Përveç kësaj, Allahu nuk e ka obliguar njeriun përtej mundësive (shih: El-Bekare, 286).
Për shembull, të sëmurit i lejohet të falet ulur ose edhe shtrirë, por jo edhe të shëndoshit që ka mundësi ta bëjë namazin në këmbë. Prandaj, i shëndoshi nuk obligohet më shumë sesa ka mundësi, sikurse që i verbri nuk ngarkohet për atë që nuk mund të shohë, sepse është i verbër. Në një rast, në kohën e Pejgamberit a.s., disa persona me nevoja të veçanta patën kërkuar të shkonin në luftë, duke
u brengosur se mos ndoshta po bënin ndonjë mëkat që nuk po shkonin të luftonin. Pastaj, ata dëshironin të arrinin gradën e lartë të atyre luftëtarëve, të cilët luftuan me jetën dhe pasurinë e tyre, e për të cilët Allahu tha se kanë vlerë shumë të madhe. (shih: En-Nisa, 95).
Por, ç’e do që Allahu i shfajësoi nga përgjegjësia e mospjesëmarrjes në luftë, ngase “…ishin të penguar pa vullnetin e tyre”. (shih: En-Nisa, 95). Dhe, si shkak i shqetësimit të personave me aftësi të kufizuara, Allahu zbriti ajetin e Kuranit, ku i thotë Pejgamberit a.s (SHih: El Fet’h, 17).
Vlerën e këtyre personave me aftësi të kufizuara, që e donin pjesëmarrjen në xhihad – luftën e shenjtë fetare, e ka vërtetuar edhe Pejgamberi a.s. në shumë hadithe të tij. Transmeton Xhabiri, i cili thotë: Kemi qenë me Pejgamberin a.s. në një betejë, e ai pati thënë: “Me të vërtetë në Medinë kemi lënë disa burra, por në çdo hap që ju keni bërë dhe çdo luginë që keni kaluar, ata kanë qenë me ju (sipas transmetimit të Vekiit: “ata ju kanë shoqëruar ju në shpërblim”), por i ka penguar sëmundja për të ardhur me ju”. (Muslimi).
Kjo do të thotë se ata, pavarësisht se nuk kanë marrë pjesë fizikisht në luftë, kanë qenë me zemër dhe shpirt për luftën, prandaj, edhe ky sinqeritet i tyre, që buron nga sinqeriteti i imanit, pa dyshim do të jetë i vlerësuar tek Allahu, në proporcion me mundësitë e tyre ekzistuese.

Respektimi i kësaj kategorie shoqërore

Duke u bazuar në parimin e barazisë besimore, Islami udhëzon për nderimin dhe respektimin e personave me nevoja të veçanta, pa asnjë paragjykim, ndërsa ndalon përbuzjen, talljen dhe braktisjen e tyre.
Në Evropën e hershme ka qenë një bindje e gabuar, sipas të cilës, te këta njerëz kanë depërtuar djajtë dhe forcat e liga, dhe për këtë arsye ata janë në këtë gjendje. Si pasojë e këtyre bindjeve, shoqëria i vriste ata persona ose i braktiste krejtësisht. Kjo ka qenë një prej gabimeve që njeriu ka bërë në historinë e vet.
Por, ç’e do që feja Islame ka bërë kthesën e madhe për dinjitetin e njerëzimit në përgjithësi. Muslimani duhet të solidarizohet me vështirësitë e një personi me nevoja të veçanta, dhe e ka të ndaluar t’i gëzohet gjendjes së rëndë të tij. Pejgamberi a.s., në një rast, ka thënë: “Mos iu gëzo fatkeqësisë së vëllait tënd, sepse Allahu mund ta mëshirojë atë, kurse fatkeqësinë e tij të ta caktojë ty”. (Tirmidhiu).
Askush nuk ka bërë kontratë me Allahun, që të sigurohet se nuk do t’i ndodhë ndonjë sprovë prej Allahut. Ne jemi njerëz dhe veprojmë brenda vullnetit dhe dëshirës së Allahut. Për çdo ditë dëgjojmë se dikush ka mbetur sakat (është këputur në kurriz), dikush tjetër e ka humbur njërin sy, një tjetër i ka humbur të dy sytë, tjetri krahun e tjetri këmbën, e kështu me radhë. Pastaj, dikush sprovohet në fëmijët ose me nipa.
Secili duhet ta prekë zemrën e vet, si do të ndihej nëse do të ishte në gjendjen e atij që ka nevojë për nderimin dhe ndihmën e shoqërisë?! Sigurisht që nuk do të ndihej mirë.
Për këtë arsye, muslimani duhet të tregojë dhembshuri dhe mëshirë ndaj vëllait të tij me nevoja të veçanta. Edhe ai është njeri me dëshira sikurse të gjithë të tjerët. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka besuar (plotësisht) asnjëri nga ju derisa të dojë për vëllanë e vet atë që e do për veten e tij”. (Buhariu dhe Muslimi).
Raportet e vëllait ndaj vëllait dihet se si duhet të jenë. Ndihma në mes tyre nuk është vetëm dëshirë, po edhe detyrim. T’i gëzohesh vëllait për të mirat e tij, dhe të brengosesh për sprovat që i kanë ndodhur, – është prej Islamit.
Pejgamberi a.s. i ka bërë respekt të veçantë Abdullah ibn Ummu Mektumit, i cili ishte i verbër në të dy sytë. Më një rast, Ibn Ummu Mektumi pati ardhur te Pejgamberi a.s. dhe i qe drejtuar Pejgamberit a.s.: “O i Dërguari i Allahut, më mëso atë që ta ka mësuar Allahu”!. Mirëpo, Pejgamberi a.s. në ato momente ishte i zënë në një takim serioz me parinë e Kurejshëve, të cilët i ftonte në Islam, dhe kalimi i mundshëm i tyre në Islam ishte shumë më i rëndësishëm. Në anën tjetër, Ibn Ummu Mektumi, ngase ishte i verbër, nuk e dinte se Pejgamberi a.s. ishte i zënë me dikë tjetër, dhe nuk pushonte të përsëriste thirrjen e tij drejt Pejgamberit a.s.. Kjo bëri që në fytyrën e të Dërguarit të Allahut, të shfaqej pakënaqësia dhe me atë rast e vrenjti fytyrën dhe ktheu kokën në shenjë shqetësimi për ndërhyrjen e tij. E, për shkak të kësaj, Allahu i zbriti dhjetë ajetet e para të kaptinës El-Abese: (Shih:El Abese, 1-4).
Pas kësaj, ta quajmë vërejtje, të Allahut, Pejgamberi a.s., sa herë që e shihte Ibn Ummu Mektumin, qeshte dhe i thoshte: Mirë se erdhe, o ti që për ty më ka këshilluar Allahu, a ke ndonjë nevojë?
Ky rast, tregon qartë se sa i rëndësishëm është respektimi i të hendikapuarit. Ani Pejgamberi a.s., vrenjten e fytyrës, nuk e ka bërë nga nënçmimi, sepse Ibn Ummu Mektumin e ka lënën dy herë zëvendës të tij në Medinë. Por, për shkak të ndërprerjes së takimit, dhe që të mos thoshin paria e Kurejshëve se këtë po e pasuakan vetëm të verbrit, të ulëtit dhe robërit (1)
Në anën tjetër, është fare e qartë, që Ibn Ummu Mektumi nuk kishte të drejtë të ndërhynte në atë mënyrë, sepse biseda ka rregullat e veta. Atëherë, shtrojmë pyetjen: Ku qëndron arsyeja që Allahu e këshilloi Pejgamberin a.s.? Pa dyshim, kjo këshillë e Allahut dëshmon drejtpërdrejt që personat me nevoja të veçanta kanë
të drejtë edhe atëherë kur nuk kanë të drejtë. Këtë duhet ta mbajmë në mend shumë mirë. Pse? Sepse personat e hendikapuar, në radhë të pare, mund të mos jenë në ngjarje për shumë gjëra; së dyti ata nuk mund të shkojnë e të vijnë kur të
duan; së treti indiferenca ndaj tyre reflekton shumë rëndë, ngase ata, edhe ashtu, janë të rënduar, e çdo nënçmim u shkakton dhimbje mbi dhimbjen etj..

Ndalohet tallja me këtë kategori

Personat me nevoja të veçanta janë sprovuar nga Allahu, dhe Allahu ka vepruar ç’ka dashur, as më shumë e as më pak. Bile, Pejgamberi a.s. sprovimin e tyre e ka konsideruar si diçka që do t’u bëjë dobi: “Është për t’u çuditur (për të mirë) me çështjen e besimtarit, çdo gjë për të është e dobishme: nëse e godet ndonjë e mirë, ai E falënderon Allahun, dhe kjo a priori është mirësi për të, po nëse e godet ndonjë e keqe, ai i bën durim, dhe kjo përsëri është mirësi për të”. (Hadithi është i
vërtetë).
Ndonëse Allahu i ka sprovuar, në hadithet në vijim, vërtetohet se kush bën durim në sprova, dhe E falënderon Allahu, i Lartëmadhërishmi do ta shpërblejë me Xhenetin e Tij. Transmeton Irbad b. Sarije, se Pejgam-beri a.s., në atë që e ka transmetuar prej Allahut të Madhëruar, ka thënë: “Nëse robit Tim ia marr dy fisnikët e tij (dy sytë) ndërsa ai i lakmon ata, Unë nuk pranoj t’i jap shpërblim tjetër përveç Xhennetit, nëse Më falënderon për këtë sprovë”.(2) Prandaj, ndalohet rreptësisht tallja me këta persona.
Çdo nënçmim ndaj personave me nevoja të veçanta është përbuzje e “kaderit” të Allahut, dhe është mëkat. Historia islame evidencon njerëz të mëdhenj që kanë dhënë kontribut të madh në shkencat islame, por që kanë qenë me nevoja të veçanta. P.sh., Muhamed bin Isa Et-Termidhij, autori i “Sunenit” dhe njëri prej dijetarëve më të njohur të hadithit, ka qenë i verbër; Ata bin Ebi Rebaha, fekih i njohur, ishte i paralizuar dhe i çalë; Ibn Ethiri kishte një sëmundje të pashërueshme në këmbët e tij, dhe nuk mund të ngrihej, etj..(3)
Prandaj, Allahu ka thënë: (Shih:El Huxhurat, 11).

Ndihma e kësaj kategorie

Muslimani e ka obligim që, sipas mundësisë, të ndihmojë atë që është në nevojë. Personat me nevoja të veçanta presin ndihmën tonë dhe respektin tonë. Ne duhet t’i ndihmojmë ata, nëpërmjet asaj që Allahu na ka ndihmuar. Bota është ‘zinxhir’, Allahu na ndihmon ne, ne u japim ndihmë të tjerëve. Përsëri e tërë çështja është
në dorën e Allahut, dhe mbi këtë bazë falënderimi i takon vetëm Atij dhe askujt tjetër. Ai që e bën këtë, e ka çuar në vend një dëshirë të Allahut dhe e ka ndihmuar vetveten. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi e as nuk e dorëzon. Kush e ndihmon vëllanë e tij, Allahu do ta ndihmojë atë, kush i largon një vështirësi muslimanit, Allahu do t’i largojë një vështirësi prej vështirësive të Ahiretit”.
Kjo është rruga e Islamit. Shoqëria islame dhe shtetit islam, jo vetëm nga fundi i shekullit XX, po gjatë gjithë historisë, i ka trajtuar këta persona në mënyrë të dinjitetshme. Bazat e para i ka vendosur Pejgamberi a.s. që në fillim të shekullit VII, ndërsa pas vdekjes së tij, këtë rrugë e kanë vazhduar halifët. Përkujdesja e shtetit islam ka qenë si në vijim:
a) Trajtimi mjekësor i tyre;
b) Arsimimi i tyre sipas kapacitetit të tyre; dhe
c) punësimi i personave të posaçëm që kujdesen për ta.(4)
Këtë program, të Pejgamberit a.s., Umer bin Abdulazizi njëri prej halifëve të njohur, e kishte zbatuar në praktikë dhe përveç të tjerash, kishte urdhëruar që çdo i verbër të kishte një mbikëqyrës që kujdeset për të, ndërsa për çdo dy të sëmurë kronikë, kishte caktuar një shërbëtor që u shërbente dhe kujdesej për ta. Ndërkaq, halifi emevit el-Velid b. Abdu’l Melik, ishte ideatori i parë, i cili që në vitin 707 m (88 h.), themeloi një shoqatë speciale për përkujdesjen ndaj personave me nevoja të veçanta, për se kishte ngarkuar mjekë dhe shërbëtorë me paga mujore, që të përkujdeseshin për këtë kategorie të shoqërisë.
Personave me nevoja të veçanta u kishte thënë: “Mos kërkoni nga njerëzit (lëmoshë)”!, dhe kështu i kishte pavarësuar nga të kërkuarit lëmoshë prej njerëzve. Ai kishte punësuar kujdestar për çdo sakat, të paralizuar dhe të verbër.(5)
Ky është Islami, që i ka sjellë njerëzimit krenarinë, që para 15 shekujsh, atëherë kur popujt e tjer nuk dinin se ç’është humanizmi dhe dinjiteti.

______________________________
1) Imam Kurtubiu, Tefsiru ajati’l ahkam, komentimi i kaptinës: El-Abese, 1-10, sipas: www.altafsir.com.
2) Muhamed Mus’ad Jakut, Rahmetun-nebij s.a.v.s. bidhevi’l ihtijaxhati’l hassah, sipas:www., (05.12.2013).
3)Jusuf Xhuma Abdul Hadi Selame, Anajetu’l Islam bidhevi’l ihtijaxhati’l hassah, sipas www.yousefsalama.com (cituar më: dt.11.12.2013).
4) Muhamed Mus’ad Jakut, po aty.
5) Ibn Kethiri, El-Bidajetu ven-Nihajetu, 9/186, sipas: Muhamed Mus’ad Jakut, po aty.

Mr. Orhan Bislimaj

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!