Bashkia e Tiranës dhe UKT kanë hedhur poshtë pretendimet se është hapur diga e Liqenit të Bovillës.
Në një deklaratë të përbashkët, Bashkia dhe UKT thonë se pretendimi i ish-kryeminstrit Berisha dhe disa të zgjedhurve vendorë të PD nuk është i vërtetë.
“UKT dëshiron të bëjë me dije se niveli i ujit në Liqenin e Bovillës aktualisht është në kuotën 315.9 metra. Ndërkohë që, kuota para fillimit të reshjeve ishte 310 metra. Hapja e digës është një proçes normal që kryhet sa herë që niveli i liqenit kalon kuotën maksimale prej 318 metrash. Vendimin për hapjen e digës e merr administratori i shoqërisë, i cili paraprakisht ka detyrimin ligjor të njoftojë zyrtarisht Policinë e Shtetit, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si dhe Kryetarin e Bashkisë së Kamzës. Deri në këto momente, deklarojmë se nuk ka qenë e nevojshme hapja e portës shkarkuese të digës, duke qenë se thatësira e muajve të kaluar kishte ulur ndjeshëm nivelin e liqenit. Për këtë arsye, rritja e kuotës me 6 metra brenda një kohe kaq të shkurtër është brenda nivelit normal të tij”, thuhet në deklaratë.
“Prandaj, deklarata e sotme e Berisha se prania e ujit në zonën e Laprakës është shkaktuar si pasojë e hapjes së digës së Bovillës është krejtësisht e pavërtetë dhe hidhet poshtë lehtësisht nga skica e thjeshtë që po i bashkëngjisim kësaj deklarate”, vijon bashkia dhe UKT.
Bashkia sqaron se gjeografikisht Bovilla ndodhet në veri të Tiranës, pastaj në jug vjen Kamza e Paskuqani dhe ndahen nga Tirana me Lumin e Tiranës, i cili për herë të parë nuk u përmbyt.
“Si mundet një liqen të kapërcejë një lumë e të përmbysë një lagje matanë, në anën tjetër!?” ngre pyetjen bashkia dhe UKT.
Gjithashtu, informohet se stafi i UKT-së është duke monitoruar situatën e liqenit, si për nivelin e turbullirës ashtu edhe për kuotën, në mënyrë të vazhdueshme.