Saturday, November 23, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionZIJADIN QIRA, USHTAR I PËRJETSHËM I ÇËSHTJES KOMBËTARE

ZIJADIN QIRA, USHTAR I PËRJETSHËM I ÇËSHTJES KOMBËTARE

USHTAR I PËRJETSHËM I ÇËSHTJES KOMBËTARE

Agim Vinca

Pesëmbëdhjetë vjet më parë dhe pikërisht më 5 tetor 2002, në Nju-Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vdiq atdhetari i devotshëm dhe veprimtari i dalluar i komunitetit shqiptar të Amerikës, ish-i burgosuri politik Zijadin Qira, për të cilin mund të thuhet me plot gojën se ishte njeri i idealeve kombëtare e demokratike; njeri që tërë jetën ua kushtoi përpjekjeve për çlirimin e Kosovës e viseve të tjera të robëruara shqiptare dhe për krijimin e një Shqipërie të plotë, të lirë e demokratike.
Kush është Zijadin Qira?
Lindi më 27 nëntor të vitit 1932 në Veleshtë, ku e kaloi edhe fëmijërinë. Qysh si fëmijë ra në sy me zgjuarsinë dhe natyrën e tij të gjallë. Në vitin 1944, si pionier, iu bashkua brigadave shqiptare, të cilat, pas çlirimit të Shqipërisë, kishin kaluar në viset shqiptare këndej kufirit për të vazhduar luftën kundër fashizmit. Pas mbarimit të luftës regjistrohet në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Pas Rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948 dërgohet me “detyrë speciale” në Jugosllavi. Vazhdon mësimet në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë në Kragujevc dhe merr gradën nëntoger. Ishte oficeri më i ri jo vetëm në Armatën Jugosllave, por edhe në Evropë dhe në botë. Edhe pse i ri, duke i parë padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nga ana e regjimit komunist jugosllav, vendos që të luftojë për lirinë e tij, por edhe kundër komunizmit si sistem represiv në përgjithësi. Në nëntor të vitit 1949, arrestohet me akuzën se është vënë në shërbim të CIA-s amerikane dhe pas më se 13 muajsh qëndrimi në burg hetues, ku u ekspozohet torturave të tmerrshme, për mungesë faktesh lirohet. Demobilizohet, por, pa kaluar shumë kohë, arrestohet përsëri në Manastir me akuzën se ka dashur të arratiset në Greqi dhe dënohet me tre vjet burg të rëndë, prej të cilave i mban dy të plota. Përsëri u nënshtrohet torturave. Vuajtjet, dënimet dhe torturat, në vend që ta thyenin, ia forcuan edhe më tepër bindjet politike. Në vitin 1956, së bashku me një grup shokësh nga të gjitha viset shqiptare, formon Partinë Nacionaliste Demokratike Shqiptare, dy pikat kryesore të programit të së cilës ishin bashkimi i trojeve shqiptare, pra krijimi i Shqipërisë etnike, por edhe lufta kundër diktaturës komuniste. Ndërmarrin disa aksione në Shkup, Tetovë, Gjakovë, Prizren, Pejë etj., me vënien e flamujve shqiptarë, shpërndarjen e trakteve, shkruarjen e parullave etj. UDB-ja u bie në gjurmë. Më 31 maj 1956 arrestohet përsëri dhe pas hetimeve sfilitëse e torturave çnjerëzore, të cilat i përballon stoikisht, nxirret në gjyq. Prokurori i Gjyqit të Qarkut në Ohër kërkon dënim me vdekje për të akuzuarin Zijadin Qira. Dënohet me 15 vjet burgim, dhjetë prej të cilave i mban në burgun famëkeq të Idrizovës (pesë ia zbret Gjyqi Suprem i Maqedonisë në Shkup), kurse plot shtatë vjet e katër muaj i kalon në qeli – në qelinë më të keqe të burgut të Idrizovës, të cilën shokët e tij të burgut do ta quajnë “qelia e Zijadinit”.
Edhe pse në kushte tejet të vështira dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme, në izolim e superizolim, Zijadini arriti që në burg të shkruante një libër dhe, madje, edhe ta nxirrte jashtë atë, gjë që është rast i rrallë në burgjet jugosllave dhe ndoshta i vetëm kur është fjala për të burgosurit politikë shqiptarë. Ndonëse i burgosur, përsëri ndaj tij hapen hetimet, vazhdojnë torturat dhe mbahet gjykim i ri. Gjyqi i Qarkut në Shkup e dënon me tetë vjet burg për propagandë armiqësore. (Pas ankesës Gjyqi Suprem i Maqedonisë ia ul dënimin me tre vjet). Kjo ndodhi në vitin 1962.
Provokimet e pareshtura të autoriteteve të burgut dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë ndaj tij vazhdojnë edhe më tutje, gjatë tërë vuajtjes së dënimit, por ai u qëndroi besnik bindjeve e idealeve të tij prej fillimi e deri në fund.
U lirua nga burgu më 4 korrik 1966, pas Plenumit të Brioneve, por meqenëse UDB-ja dhe zagarët e saj e ndiqnin hap pas hapi dhe i kanosej rreziku i montimit të ndonjë “vepre” të re, u detyrua të largohej nga atdheu. Më 22 shtator 1966 u arratis ilegalisht, së pari në Itali e pastaj në SHBA, ku jetoi e veproi deri në fund të jetës.
Zijadin Qira hyn në radhën e veprimtarëve shqiptarë që luftën për çlirimin e viseve shqiptare nën ish-Jugosllavi, por edhe kundër sistemit komunist në përgjithësi, e filloi qysh herët, në një kohë kur mendohej se komunizmi do të jetë i përjetshëm dhe kur Jugosllavia e Titos, falë politikës së saj perfide, por edhe disa rrethanave të favorshme për të, siç ishte mbyllja e Shqipërisë etj., gëzonte përkrahje të madhe në botë.
Në vitin 1970 botoi në anglisht në Nju-Jork librin Cell number 31 (Qelia numër 31). Libri ka 269 faqe. Është i shkruar në formë kujtimesh e ditari dhe, pos tekstit bazë, ka edhe dokumente (aktpadi, vendime gjyqësore, fotografi etj.).
Autori përshkruan në mënyrë besnike vuajtjet e veta dhe të të burgosurve të tjerë shqiptarë në burgun famëkeq të Idrizovës, por edhe aspiratën e pashuar të popullit shqiptar për liri e bashkim kombëtar. Libri i ofron lexuesit të dhëna, fakte e dëshmi të shumta, që flasin për vuajtjet e autorit dhe të shokëve të tij të burgosur të ndërgjegjes, për dhunën dhe torturat që ushtronin autoritet e burgut ndaj tyre, por edhe për dhunën dhe represionin e vazhdueshëm të regjimit shovinist jugosllav ndaj shqiptarëve të trajtuar si element i huaj në ish-federatën jugosllave. Libri zbulon gjithashtu, në një kohë kur dëshmitë e gjalla për këtë, sidomos nga shqiptarët, ishin të rralla, karakterin në thelb jodemokratik dhe jonjerëzor të komunizmit si sistem shoqëror.
Në vitin 1991, kur filluan proceset demokratike në ish-botën lindore dhe kur doli në skenë çështja e Kosovës, autori e ribotoi librin Qelia numër 31 (po në anglisht), kurse në shtypin shqiptar në Kosovë e Maqedoni u botuan fragmente nga ky libër.
Në këtë kohë, kur mërgata shqiptare në SHBA intensifikoi veprimtarinë e organizuar në mbrojtje të çështjes shqiptare, përkrahu çdo aksion për ndihmë atdheut dhe çdo iniciativë që avanconte çështjen shqiptare, por, duke qenë kundër organizimit partiak të diasporës, që u bë shkak i përçarjes së saj, veproi jashtë organizimeve të tilla. Tok me disa miq e bashkëpunëtorë të tijthemeloi organizatën atdhetare “Lidhja e Prizrenit”, e cila vepronte nga pozitat e Lidhjes së Prizrenit dhe kishte në program idealet e saj për një Shqipëri etnike, të lirë e demokratike. Ishte anëtar i kryesisë së saj deri në fund të jetës.
Kjo organizatë mbështeti pa rezervë, moralisht dhe materialisht, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën çlirimtare në Kosovë (më vonë edhe në Maqedoni), kurse pas çlirimit të Kosovës, në nëntor të vitit 1999, me rastin e Ditës së Flamurit, një delegacion i gjerë i saj bëri një vizitë në Kosovë, me ç’rast, pos takimeve me përfaqësuesit e institucioneve të të Kosovës, vizituan Prekazin e Reçakun, por edhe Prizrenin, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën etj.
Pas kthimit në SHBA, Zijadini (me Gani Perollin si bashkautorë) botuan te gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” një reportazh të gjatë me titull “Kosova: mall, lot dhe gëzim”, në të cilin me pietet të veçantë evokonin kujtimin për vizitën në Prekaz, në Kullën e Jasharëve, te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe Jasharëve të tjerë, por edhe te varri i Shaban Polluzhës, Tahir Mehës dhe luftëtarëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës.
Në pranverë të vitit 1999, në kulmin e luftës në Kosovë, botoi librin e tij të dytë Ujqit në frak,që doli në botim të shtëpisë botuese “Faik Konica” nga Tetova. Ky libër është një vëllim me “tregime të vërteta”, të përjetuara a të dëgjuara nga autori, që flasin për krimet dhe masakrat që bënë komunistët jugosllavë në tokat shqiptare gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Në promovimin e këtij libri, që u bë në Tetovë më 1 maj 1999, para një publiku të gjerë, pjesën dërrmuese të të cilëve e përbënin të dëbuarit nga Kosova, ndër të tjera, u tha:
“Libri që po promovojmë sot, Ujqit në frak, i autorit Zijadin Qira, është një paralajmërim i largët i asaj që po përjeton sot gjysma e kombit shqiptar në Ballkan. Ndryshimi qëndron në faktin që ujqit për të cilët flet autori i këtij libri, sot e kanë zhveshur frakun dhe kanë dalë lakuriq me tërë egërsinë që e karakterizon racën e tyre. Ujqit për të cilët flet Zijadin Qira në librin e tij Ujqit në frak, etërit shpirtërorë të satrapit të sotëm të Beogradit, ishin ujq me maska; ujq të veshur me frak, që thelbin e tyre të egër e armiqësor e fshihnin prapa frazave të bukura, por të rreme, për “vëllazërim-bashkimin” e “barazinë kombëtare”, por në venat e tyre rridhte i njëjti gjak i keq i urrejtjes shekullore për shqiptarët, të cilët ata, me dëshirë, do t’i zhduknin nga faqja e dheut.
Autori i këtij libri është nga ata që këtë gjë e kuptuan qysh herët. Dhe kjo është një meritë e tij dhe gjithsesi edhe e librit të tij të shkruar shumë kohë më parë”.
Disident i orëve të para, siç e kam quajtur në një shkrim të botuar në vitin 1993, antikomunist në një kohë kur kjo te shqiptarët ishte pothuajse e barabartë me të qenit antikombëtar; njëri nga njerëzit me stazh më të gjatë burgu politik në trojet shqiptare në Maqedoni, i cilësuar si njëri ndër “banorët” më kokëfortë të shtëpisë famëkeqe me emrin Idrizovë; i arratisur ilegalisht pas daljes nga burgu në Perëndim, për t’u vendosur përfundimisht në vendin e lirisë e të demokracisë së vërtetë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; përkrahës i parezervë i luftës çlirimtare të Kosovës dhe asaj në Maqedoni, Zijadin Qira, është njeri që për shumëçka koha i dha të drejtë.
Në historinë e gjatë e dramatike të ish-të burgosurve politikë shqiptarë në ish-Jugosllavi, figura e Zijadin Qirës do të mbetet shëmbëlltyrë e atdhetarit nacionalist, dishepullit të hershëm të demokracisë perëndimore dhe e ushtarit të përjetshëm të çështjes kombëtare.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!